Wednesday , November 14 2018
Home / Lajme nga Shqipëria / Vlora drejt transformimit

Vlora drejt transformimit

Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Vlora se qyteti bregdetar do t’i nënshtrohet transformimit përmes infrastrukturës rrugore , por jo vetëm.

Ai deklaroi se buxheti i infrastrukturës u zgjodh të prezantohet jo rastësisht në Vlorë, pasi sipas tij, qyteti i pavarësisë është vendi ku flitet më mirë për Shqipërinë.

“Për buxhetin dhe infrastrukturën erdhëm ta prezantojmë këtu. Askund më mirë se në Vlorë nuk mund të flitet më mirë për Shqipërinë. E vërteta është që me ndryshimin e qeverisë, u bë i mundur edhe ndalimi i një ecurie shumë të rrezikshme që kërcënonte qëndrueshmërinë financiare, jo më për arsyen e piramidave, por pas një filozofie të konceptimit si të tilla. Deri në vitin 2013 buxheti i shtetit mbështetet tek borxhi i jashtëm”, tha Rama.

Rama pohoi gjithashtu se qeverisja e tij ka transformuar sistemin urban të Shqipërisë, ndërsa shtoi se e gjitha kjo po bëhet pa borxhe të prapambetura.

Shefi i qeverisë tha se në projekt ndërtimi janë disa akse të rëndësishme, por premtoi para vlonjatëve se muzeu apo shtëpia e pavarësisë do të pastrohet nga kioskat, të cilat e kanë rrethuar nga të gjitha anët.

“Sot kemi një buxhet, i cili nuk bazohet në asnjë qindarkë borxh, që do të thotë se gjithçka që do ndërtohet nuk do të jetë një barrë për fëmijët tanë. Jemi duke bërë dy gjëra të rëndësishme; po rrisim volumin e investimeve dhe po ulim borxhin publik. Si deputet i Vlorës unë do të flas vetëm për Vlorën, sepse Damianin e kemi për të gjithë Shqipërinë. Do të fillojmë rrugën Orikum-Llogara dhe ministri do të mbajë zotimin e tunelit të Llogarsë. Është koha që tunelin ta bëjmë realitet. Nga ana tjetër do të nisim vijimin e Lungomares deri tek tuneli i Ujit të Ftohtë. I vetmi vend në botë ku shtëpia e pavarësisë  është e rrethuar nga kioska. Vitin e ardhshëm do të nisë ndërtimi i aeroportit. Mos më shkruani mesazh nesër se pse nuk e ndërtove aeroportin. Ai do të bëhet brenda mandatit, por se kur këtë nuk mund ta them.”, shtoi Rama.

Rama dha edhe një premtim të ri. Ai deklaroi se Shqipërisë i duhet edhe infrastruktura hekurudhore teksa njoftoi se vitin e ardhshëm do të nisin punimet edhe në këtë sektor.

“Kemi për herë të parë pas 30 vitesh buxhet për hekurudhat, për të ndërtuar hekurudhë. Hekurudha e re me shpejtësisë së lartë, Tiranë-Rinas-Durrës nis vitin e ardhshëm”, shtoi ai.

(n.m/BalkanWeb)

Huazuar nga

Check Also

Vlora dhe Laçi në ‘kthetrat’ e maskave!

TIRANE Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar në faqen e tij të ‘Facebook’ dy ngjarje në …

%d bloggers like this: