Tuesday , November 13 2018
Home / Lajme nga Maqedonia / Strategji afatgjate për të evituar kaosin në Tetovë

Strategji afatgjate për të evituar kaosin në Tetovë

Qyteti i Tetovës vazhdon edhe më tej të përballet me mungesë të vendeve të parkimit. Rrugë që frekuentohen nga qindra automjete në ditë, institucione që ndodhen në pjesët qendrore pa asnjë vend parkimi, ndërtesa të mëdha që janë ndërtuar pa asnjë kriter dhe pa vende parkimi, mungesë të parkingjeve të mbyllura e bëjnë Tetovën një qytet ku vështirë mund të gjesh një vend parkimi gjatë ditës. Kjo situatë ka vijuar edhe pas vendosjes së parkimi zonal vite më parë në disa nga bulevardet kryesore të Tetovës. Kjo mungesë ka bërë që të ketë edhe shumë kundërvajtje në këtë aspekt, duke patur numër enorm të automjeteve që parkohen paralelisht në rrugë, krijohet kaos dhe radhë të gjata të pritjes në komunikacion.

Policia dhe Komuna e Tetovës janë dy institucionet që duhet të kujdesen në këtë aspekt, por efikasiteti në këtë drejtim, vite me radhë ka qenë nën nivel, ngase kjo problematikë nuk ka gjetur zgjidhje të përhershme. Nga Policia e Tetovës thonë se janë në koordinim të vazhdueshëm me komunën dhe janë duke punuar për të gjetur një zgjidhje afatgjate, me hapjen e vendeve të parkimit, zgjerimin e rrugëve, hapjen e bulevardeve të reja, si dhe me kontrolle të shtuara në ato pjesë ku edhe ka parkim joadekuat.

“Normalisht se kjo dukuri përsëritet vite me radhë dhe së bashku me komunën, jemi duke hartuar një Strategji për të evituar këto anomali në qytetin e Tetovës. Si zgjidhje është hapja e bulevardeve të reja, ndërtimi apo zgjerimi i zonave të parkimit, dhe normalisht – kontrolle më të shpeshta në pjesët qendrore për të shmangur kaosin dhe parkimin joadekuat”, tha Besir Qamili, zëvendëskomandant i Stacionit Policor, Sektori për siguri në komunikacionin rrugor. Por, për të realizuar këtë, nevojiten kapacitete më të mëdha si në aspektin e rritjes së numrit të kontrolleve në komunikacion, më shumë pjesëtarë të policisë dhe më shumë automjete të “merimangës”. Qamili thotë se këtij aspekti i është kushtuar rëndësi në të kaluarën.

“Për momentin, në bazë të nevojës kemi shtuar patrullat tona në terren në lidhje me këtë problem. Për këtë dukuri, normalisht në bashkëpunim edhe me Komunën, kemi marrë masa, sepse më parë kishte një ‘merimangë’, ndërsa tash komuna posedon me dy, dhe aty shihet se kemi një ‘merimangë’ shtesë në aktivitetet tona dhe tani normalisht që i kemi shtuar në atë aspekt me qëllim që të minimizojmë atë dukuri në qytet që t’ju mundësojmë qytetarëve të kenë qarkullim të lirë në pjesën qendrore të Tetovës dhe më gjerë”, thotë Qamili.

Në ndërkohë, gjatë një takimi me gazetarë, Qamili është pyetur se pse gjithnjë Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë është ndër sektorët ku më shumë shqiptohen dënime ndaj vozitësve në krahasim me qytetet tjera. Ai ka nënvizuar se zona e Tetovës është ndër zonat ku edhe ka më shumë kundërvajtje dhe më pak respektohen rregullat në komunikacion.

“Një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Ne masat i kemi adekuate, kemi masa preventive dhe normalisht që kemi tolerancë në atë aspekt. Megjithatë, kjo tregon edhe një dukuri tjetër se këtu mund të them lirisht se ndoshta edhe më pak respektohet Ligji në lidhje me atë se shumica e vozitësve parkohen gabimisht apo parkohen keq. Për këtë ne kemi raportime të tepërta dhe mosrespektimin e Ligjit ne e kemi në nivel më të lartë. Për këtë arsye, numrat janë këto që janë. Tash unë nuk e di se si jemi në krahasim me Sektorët e tjerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, megjithatë ne marrim masa në bazë të Ligjit dhe normalisht kemi edhe prevencione, kemi edhe tolerance, ku shumë vozitës ne edhe i tolerojmë me vërejtje të ndryshme”, thotë ai.

Qamili me këtë rast ka apeluar edhe tek prindërit që të mos u japin veturat fëmijëve të tyre që nuk kanë leje për qarkullim, ngase sipas policisë, fenomeni i këtillë ka marrë përmasa shqetësuese, ku ndalohen persona nën moshën 18 vjeçare që drejtojnë automjete. (koha.mk)

Huazuar nga

Check Also

Arratisja e Gruevskit, ekspertët kritikojnë dështimin e policisë –

13 Nëntor 2018 / 15:28 Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski nuk mund të përjashtohet nga …

%d bloggers like this: