Tuesday , November 13 2018
Home / Lajme nga Kosova / Hasani: Mos liberalizimi i vizave pengon pjesëmarrjen e të rinjve në projekte ndërkombëtare

Hasani: Mos liberalizimi i vizave pengon pjesëmarrjen e të rinjve në projekte ndërkombëtare

Pjesëmarrja e të rinjve në vendimmarrje po del të jetë një element i rëndësishëm për vendin, madje shpesh interesimi i madh e shtyn edhe Qeverinë e Kosovës të krijojë programe dhe projekte të reja, të cilat kanë për qëllim inkuadrimin e të rinjve në vendimmarrje. Kështu thotë Koordinatori Nacional për Gjeneratën e Re, Avdullah Hasani.

Hasani tha se edhe tani për tani ka shumë këshilltarë politikë, si dhe drejtorë të departamenteve të ndryshme, të cilët janë të rinj në moshë e që shtrijnë funksione të ndryshme, qoftë në Zyrën e Kryeministrit apo edhe në ministri të ndryshme.

“Pjesëmarrja e të rinjve në vendimmarrje nga dita në ditë është në rritje e sipër, sidomos atë në nivelin komunal me numrin e asamblistëve që prijnë prej viteve të tjera, por edhe në nivelin politik, qendror si dhe në administratë. Pjesëmarrja e të rinjve në vendimmarrje, në borde, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në ministri të ndryshme është një rritje jashtëzakonisht e madhe dhe kjo është e dukshme. Edhe në Zyrën e Kryeministrit, por edhe në ministri, shumica e këshilltarëve politikë, drejtorëve të departamenteve, ka shumë prej tyre që janë në moshë të re” tha Hasani, për Ekonomia Online.

Ai tha se Qeveria e Republikës së Kosovës u ka dhënë hapësirë të madhe projekteve dhe realizimeve të ndryshme, me qëllim të nxitjes së të rinjve për pjesëmarrje në vendimmarrje.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nëpërmjet ministrive të linjës, në veçanti Ministria e Kulturës, Ministria e Mirëqenies Sociale, Ministria e Tregtisë dhe ministritë tjera i kanë dhënë hapësirë të madhe përmes projekteve konkrete, sidomos politikave për punësimin e gjeneratës së re, politikave për aftësim profesional dhe projekteve të konkurrueshme përmes projekteve shkencore në arenën ndërkombëtare”.

Hasani përmendi edhe çështjen e mosliberalizimit të vizave, gjë që, sipas tij, po pengon lëvizjen e lirë të të rinjve për projekte të ndryshme.

“Problemi i liberalizimit të vizave po na pengon që të rinjtë tanë të lëvizin lirshëm, por në aspektin e studimeve në vendet e botës, kemi mjaft të rinj që po tregojnë suksese të mëdha. Ne i kemi mbështetur të rinjtë edhe përmes bursave, por ajo që po mendojmë që do të rritet në vitin 2019 është pjesëmarrja e të rinjve në konferenca ndërkombëtare”.

Kryeministri Ramush Haradinaj, sipas Hasanit, ka qenë shumë efektiv në mbështetjen e të rinjve rreth ideve dhe projekteve të tyre.

Hasani tha se Qeveria aktuale prej fillimit të mandatit të saj u ka ofruar të rinjve mundësi praktike në nivel të duhur brenda institucioneve, i cili, sipas Hasanit, nuk ka ekzistuar në qeverinë e kaluar.

Ai gjithashtu shtoi se Qeveria e Kosovës po përgatitet për ofrimin praktikave të ndryshme me pagesë edhe në sektorin privat.

“Qeveria e Republikës së Kosovës përmes zyrës së koordinatorit nacional për gjeneratën e re, po synojmë që ta rrisim prezencën e praktikave me pagesë edhe në sektorin privat, me përkrahje të organizatave ndërkombëtare”, tha ai.

Source link

Check Also

Asistentët të domosdoshëm për fëmijët me aftësi të kufizuar

Mungesa e asistentëve për fëmijët me aftësi të kufizuar që vijojnë mësimet, po vlerësohet se …

%d bloggers like this: