Monday , October 22 2018
Home / Sport / S’ka fitues në Kroaci-Angli, Lukaku mposht Zvicrën

S’ka fitues në Kroaci-Angli, Lukaku mposht Zvicrën

Kroaci-Angli, sfida më e rëndësishme e ndeshjeve që janë luajtur mbrëmjen e sotme në Nations League, është mbyllur në barazim pa gola. Miqtë nuk kanë arritur të marrin hakmarrjen e tyre për eliminimin e pësuar në gjysmëfinalet e Kupës së Botës, por të dy ekipet kanë arritur të marrin pikën e parë në Grupin 4 të Ligës A, që kryesohet nga Spanja me pikë të plota.

Mungesa e tifozëve, me Kroacinë që vazhdon të shlyejë dënimin për të zhvilluar ndeshjet me dyer të mbyllura pas incidenteve të shkaktuara nga tifozët kroatë në 2015-ën, në një takim të luajtur kundër Italisë, i kanë hequr spektaklin sfidës. Rastet nuk kanë munguar për të dy ekipet, por rezultati ka mbetur i pandryshuar.

Një tjetër përballje e rëndësishme e mbrëmjes së sotme ka qenë ajo që është zhvilluar në Bruksel mes Belgjikës dhe Zvicrës, e vlefshme për Grupin 2 të Ligës A. Një takim ky që është mbyllur 2-1 për vendasit. Heroi i sfidës ka qenë Lukaku, i cili ka zhbllokuar ndeshjen në minutën e 58-të dhe i ka dhuruar fitoren Belgjikës në të 84-ën pasi Gavranovic ka barazuar përkohësisht në të 76-ën. Falë këtij rezultati, “Djajtë e Kuq” kryesojnë grupin me 6 pikë, 3 më shumë se zviceranët dhe gjashtë më shumë se Islanda e vendit të fundit.

Për sa i takon ndeshjeve të tjera të luajtura sot, Arnautvic (71′) i ka dhënë fitoren Austrisë kundër Irlandës së Veriut, ndeshje kjo e vlefshme për Grupin 3 të Ligës B. Një grup që kryesohet nga Bosnje Hercegovina (6 pikë), që ndiqet nga austriakët (3 pikë) dhe Irlanda e Veriut (0 pikë).

Në Grupin 2 të Ligës C, Greqia ka mundur 1-0 Hungarinë në shtëpi falë një goli të Mitroglou (65′) dhe është ngjitur në vendin e dytë me 6 pikë, të ndjekur nga hungarezët me 3 pikë. Vendi i parë mbahet nga Finlanda që ka fituar 1-0 në fushën e Estonisë me një gol të Pukki në minutën e 91-të. Estonezët mbeten në vendin e fundit me zero pikë pas tri ndeshjes.

Në fund, në Grupin 2 të Ligës D, Bjellorusia ka marrë kreun e grupit pasi ka mundur 1-0 Luksemburgun në shtëpi. Ndeshja është vendosur nga një gol i Saroka-s në minutën e 43-të. Në takimin tjetër të këtij grupi, Moldavia ka mundur 2-0 San Marinon dhe ka shkuar në kuotën e 4 pikëve, dy më pak se Luksemburgu i vendit të dytë. Të dy golat e ndeshjes janë shënuar nga Ginsari (31′, 67′).



Source link

Check Also

Tirana në rënie të lirë, Alves i dhuron fitoren Flamurtarit

Goli i Alves ka vendosur supersfidën mes Flamurtarit dhe Tiranës, që ka mbyllur javën e …

%d bloggers like this: