Monday , October 22 2018
Home / Kulture / Artistja gjermane Ruth Wolf-Rehfeldt ekspozon në Galeri

Artistja gjermane Ruth Wolf-Rehfeldt ekspozon në Galeri

“Ruth Wolf-Rehfeldt: Kolazhe dhe Edicione”, quhet ekspozita e artistes gjermane Ruth Wolf-Rehfeldt, kuruar nga Sven Spieker/dizajni i ekspozitës nga arkitektja Johana Meyer-Grohbruegge e cila është hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve.Gjatë konferencës për shtyp drejtori i GKA-së, z. Erzen Shkololli theksoi mbështetjen e ambasadës gjermane, dhe veçanërisht e ambasadores gjermane znj. Sussane Schütz si thelbësore për të sjellë për herë të parë në Tiranë veprat e artistes Ruth Ëolf-Rehfeldt, e cila është një ndër përfaqësueset më të rëndësishme të lëvizjes artistike të artit postar.

Kuratori i ekspozitës, Sven Spieker foli më gjatë për praktikën artistike të Ruth Ëolf-Rehfeldt e cila përdorte makinën e shkrimit në vend të duarve të saj për të prodhuar imazhe të ndryshme në zinkografi. Ruth zgjodhi këtë mënyrë si një përgjigje ndaj situatës dhe kufizimeve që ajo përjetonte si artiste në Gjermaninë Lindore, gjatë viteve 1970-të. Kuratori tha se së bashku me arkitekten Johana Meyer-Grohbruegge e konceptuan ekspozitën si një hapësirë ku punët e Ruth Wolf-Rehfeldt shfaqen në 24 vitrina ekspozuese të cilat të gjitha së bashku ri-krijojnë një ndër imazhet të prodhuara nga vetë artistja.

Në fund, kuratori zhvilloi një tur në ekspozitë për të gjithë gazetarët. Ruth Wolf-Rehfeldt është një artiste gjermane që njihet kryesisht për artin e saj me poezi pamore dhe art postar. Në fillim të viteve 70-të, pas punës së saj si piktore, ajo zgjedh makinën e shkrimit si mjetin kryesor për të prodhuar art. Përdor dy modele të ndryshme të makinave të shkrimit të tipit Erika të RDGJ-së duke kthyer germat e tyre standarde në valë dinamike, rrjedha simbolesh dhe struktura poezish të ndërtuara me presje, pikëçuditëse e shkronja. Në mesin e imazheve të saj arkitekturale, shpesh herë dallojmë kulla dhe kafazë: Wolf-Rehfeldt nuk e fsheh faktin se ndjehej e kufizuar nga mbikqyrja e rreptë e regjimit nën të cilin jetonte.

Megjithatë, duke zgjedhur punën e daktilografistes – profesion ky stereotipikisht femëror – ajo jo vetëm që arriti të përcaktoj përmbajtjen e asaj çfarë shkruante në letrat e saj, por edhe të zbuloj poezi aty ku të tjerët nuk e shihnin. Në vitin 1981, pas një aksidenti të rëndë trafiku, ajo filloi të prodhonte kolazhet e para, duke bashkuar typewritings/makinëshkrimet e saj me copëza gazetash apo me riprodhime të pikturave të hershme të saj në bardh e zi. Wolf-Rehfeldt përdorte letër karboni për të bërë kopje të punëve të saj me makinë shkrimi, ndërkohë që shfrytëzonte edhe mjetet e Shoqatës së Artistëve për të printuar deri në pesëdhjetë kopje të tjera – që ishte maksimumi i kopjeve që lejoheshin në ish-RDGJ.

Shumë nga këto fletë qarkulluan në rrjetin ndërkombëtar postar, pjesë e të cilit, me plot energji dhe entuziazëm, ishin edhe Ruth me bashkëshortin e saj Robert. Studio e tyre në Mendelstrasse, në lagjen Pankoë të Berlinit Lindor, mbeti një nyje e veprimtarisë së artit postar ndërkombëtar – deri në vitin 1989: pas rënies së Murit të Berlinit, Wolf-Rehfeldt vendosi t’i jepte fund prodhimit të typewritings/makinëshkrimeve. Sipas saj, nuk ekzistonte më nevoja për to.

13 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)


Source link

Check Also

Rimbaud, ky gjeni!…

Arthur Rimbaud, (Rembo), u shfaq vonë në botën e poezisë dhe të kulturës shqiptare. Ai …

%d bloggers like this: