Maqedoni :Qeveria do të angazhojë ekspert ndërkombëtarë për të zbardhur rastin e “Kumanovës”

0
227

Saliji: Hetim ndërkombëtar për “Kumanovën”, i mundur03 NOVEMBER

Qeveria do të angazhojë ekspert ndërkombëtarë për të zbardhur rastin e “Kumanovës”, thotë Ministri i Drejtësisë Bilent Saliji. Sikurse kolegu i tij nga Ministria e Punëve të Brendshme, as Saliji nuk jep afat se kur ekspertët e huaj do të fillojnë me rihetimin e rastit të “Lagjes së Trimave”.

Tanimë jeni të njoftuar se qeveria me programin e saj është e përcaktuar që për të gjitha rastet për të cilët hidhet dyshim në vërtetësinë e rastit, Qeveria është e përcaktuar që të angazhojë edhe ekspertë ndërkombëtarë me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit. Ministria e Drejtësisë në kuadër të kompetencave të veta, aktivisht do ta ndihmojë procesin- deklaroi Bilent Saliji, ministër i Drejtësisë.

“Vendimi gjyqësor ka shkelje të rënda procedurale të cilat pala mbrojtëse në mënyrë konstante i ka theksuar.”

Këto janë fjalët e para që i vijnë në mend juristit Naser Ziberi kur përmendet rasti i “Kumanovës”. Ai thotë se nuk ka epilog të drejtë gjyqësorë përderisa nuk janë hetuar të gjithë të përfshirët duke mos përjashtuar funksionarë të qeverisë së kaluar, të cilët dyshohet të kenë pasur lidhje me të dënuarit. Ziberi ngre dyshimin se gjykata ka sjell vendim duke u bazuar në faktet e selektuara të cilat Prokuroria ia ka dorëzuar, ndërsa një pjesë tjetër e fakteve asnjëherë nuk është shfaqur. Pikërisht për këto arsye, ai konstaton se vetëm hetimi ndërkombëtar mund të sjell një gjykim të drejtë.

Kualiteti i ekspertizës së tyre mund të jetë shumë më i lartë dhe më i besueshëm, si për gjyqësorin ashtu edhe për opinionin dhe qeverinë. Çfarë vendimi pastaj do të marrë gjykata është çështje tjetër por me rëndësi është që në rend të parë ata që vuajnë dënimin, familjet e tyre, opinioni shqiptarë në Maqedoni dhe në Kosovë të binden se është ndjek procedurë ligjore e drejtë, se janë shqyrtuar të gjitha mundësitë për zbardhjen e rastit dhe se janë përfshirë të gjithë personat e involvuar. Sepse në këtë rast kemi vetëm personat që janë kryerës të veprës penale por jo edhe ata që e motivuan, jo ata që e ndihmuan dhe ndoshta edhe e financuan- deklaroi Naser Ziberi, ekspert juridik.

Ambasadori i Francës Kristian Timonier tha se hetimi i ndërkombëtarëve mbi rastet e dyshimta është i mundur, por sipas tij, fillimisht drejtësia duhet të kërkohet në institucionet vendase.

Kjo është një mundësi e hapur, së paku nga ajo që e lexuam në media, por para se të fillojmë që të kërkojmë që të zgjidhen problemet në suaza ndërkombëtare, mendoj se duhet të mundohemi që të njëjtat t’i zgjidhim në sistemin e brendshëm gjyqësorë- tha Kristian Timonier, ambasador i Francës në Shkup.

Familjarët e 34 të dënuarve dhe 4 të liruarve nga akuza për ngjarjet e 9-10 majit, vazhdimisht kanë kërkuar hetim paralel të ndërkombëtarëve, me brengën se hetimi dhe vendimi i gjyqit do të jetë politik dhe i njëanshëm.

NO COMMENTS

Leave a Reply