Elegji për Hajdar Tonuzin …….!

0
439

Elegji për Hajdar Tonuzin …….!

Nga Beqir SINA – New York

BROOKLYN NYC : Elegjia që ai ka thurur të tjerëve, ishte një poezi e gjallë, që pikonte dhimbje e buronte lot. Tani ajo është është një Elegji për Hajdar Tonuzin, ku evokohet një nga personalitet e njohura të diasporës shqiptare në SHBA , mbretëror në zemër, legalistë me veprimtari, Vatranë i përkushtuar, prindër shembullor, intelektual dhe inxhinier artitekture në jetën e përditëshme. Kjo është një Elegji e Atij që nuk jeton më, dhe jeta e tij është edhe një pjesëzë nga historia e Vatrës dhe e pariotëve të tjerë shqiptarë, që u thuren kurora lavdie pavdeksisë, Eligjisë, së atyre patriotve shqiptarë që vunë gjithë jetën në shërbim të kombit.

Hajdar Tonuzi vdiq në moshën 86 vjeçare – Ai ishte një nga personalitet e njohura të diasporës shqiptare në SHBA , mbretëror në zemër, legalistë me veprimtari, Vatranë i përkushtuar, prindër shembullor, intelektual dhe inxhinier artitekture në jetën e përditëshme.

Ai, vdiq pas një sëmundje të gjatë, pasi kishte vuajtur nga sëmundja Alzheimer për gati 5 vjetë…….. Vdiq në një spital në qytetin ku jetojë për më shumë se 50 vjet, në Brooklyn – New York, funerali u mbajtë në Xhaminë e parë shqiptare në Bruklin, ndërsa varrimi i krye në varrezat e shqiptarve të vjetër në Staten Island – NYC.

Hajdar Tonuzit iu dha lamtumira e fundit duke u kujtuar si Mbretëror, por edhe si një nga vatranët më të hershëm, ku ai sherbeu për një vit edhe si kryetari i saj – ku për disa vite ishte zv/kryetar i Vatrës, e për një vit Kryetar i Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA, pas vdekjes të papritur së Peter Chikos, me 1970.

Ndërkohë, ka qenë arkatar për shumë vite, dhe anëtar bordi prej 4 dekadash.

Gjatë mbrëmjes pas Kuvendit të Vatrës të vitit 2013, z. Hajdar Tonuzi, u nderua nga Vatra me titullin e “MIRËNJOHJES së VATRËS” titulli me i lart i Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA.

Hajdar Tonuzi ishte një prindër shembullor, i dashur dhe i respektuar me të gjithë.

Vdiq i rrethuar nga anëtarët më të afërt të familjes së tij; bashkëshortja, Ferija Tonuzi, katër bijat Mirushe, Engjellushe,Vera dhe Hike , dhëndri Shefqet Koçi, dhe vëllau Haki Tonuzi, nipërit e mbesat dhe të dashurit e tij, dhe u varrosë në varrezat e shqiptarve në Staten Island.

Gjatë, gjithë jetes së tij, luftojë pa u kursyer për çështjen kombëtare; për rrëzimin e komunizimit në Shqipëri, duke iu bashkuar grupeve anti komuniste në diasporë, dhe dhënë kontributin e tij edhe në demokratizimin e Shqipërisë.

Mori pjesë në demostrata dhe veprimtari për lirinë , çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, për të drejtat e shqiptarve në trojet e tyre etnike – dhe për Çamërinë, në Washington dhe New York.

Sipas biografisë së tij publikuar në gazetat shqiptare në diasporë, thuhet se gjatë kohës që qendrojë si emigrant në Maqedoni – kur u largua nga Shqipëria, do të dallohej edhe përhapjen e shkollave shqipe, për shkrimin e leximin e gjuhës amtare, për ruajtjen dhe forcimin e zakoneve e traditave të popullit shqiptar në trevat shqiptare në Maqedoni.

Hajdar Tonuzi, lindi më 15 shtator 1930 në katundin Allajbegi të Peshkopisë, një katundë ky i zonës kufitare që lidh dy dibrat – Dibrën e Madhe dhe të Vogël.

Hajdar Tonuzi kishte një jetë interesante, që zhvendoset nga Allajbeg i Dibrës, në Tiranë, nga Dibra e Madhe në Shkup, nga kampi famëkeq i Gerovës në Paris, nga Parisi në Madrid dhe së fundi nga Madridi në New York.

Kur erdhi në SHBA, dhe kaloi këtu më shumë se gjysmë shekulli – deri sa mbylli syt një her e përgjithmonë, duke ikur i lumtur në botën tjetër, se la pas vetes një grua fisnike, fëmijë dhe nipa e mbesa të edukuar dhe të shkolluar në shkollat amerikane, vëllezër e motra, të mrekullueshem, miq e dashamirë të nderuar dhe të respektuar, nga Shqipëria, Kosova dhe trevat shqiptare.

Në Kuvendin e Vatrës në Boston më 1967 Hajdar Tonuzi zgjidhet zv/ kryetar, ndërkohë që kryetar ishte Anthony Athanasi. Dhe, në numrin e 25 tetorit të vitit 1967 të gazetës ”Dielli”, në faqen e parë, të saj botohet një portret me fotografinë e Hajdar Tonuzit, dhe në brendësi biografia e tij.

Të cilën më pas e kan shfrytëzuar gazetarët “që ti bëjnë” biografinë në faqet e gazetave me të cilat ai bashkëpunojë, Dielli i Vatrës, Atdheu i OKLL, dhe gazeta shqiptaro amerikane Illyria, në New York.

Gazetat shkruanin se Hajdar Tonuzi e filloi jetën e tij si një korrieri i vogël partizan, kur menjëherë pas lufte, ai do ta shihte veten të veshur me uniformën e kadetit në kryeqytet, dhe më pas do të vazhdonte një shkollë profesionale në Shqipëri, pas çlirimit të vendit.

Kur nuk do të ishte më shumë se 14 vjeç, rasti e çoi partizan në rreshtat e Nacionalçlirimtares, edhe pse familja e tij ishte rreshtuar atëhere në radhët e Mbretërorve.

Në një intervistë mbi biografinë e tij në gazetën shqiptaro – amerikane Illyria, Haidari duke kujtuar atë kohë, ka rrëfyer se :” Kur shkova unë të luftoja, nazizmi kishte marrë tatpjetën dhe po kërkonte shtigjet e veriut të Shqipërisë, për t’u tërhequr drejt Jugosllavisë; ishte koha kur dara po shtrëngohej drejt mbylljes: aleatët po përparonin. Ishte koha kur partizanët më shumë sulmonin kundërshtarët e tyre, nacionalistët e Legalitetit dhe të Ballit, për të qëruar hesapet, që të mos u bëheshin pjesë në tortën e pushtetit”.

Mirëpo, ish “Partizani i vogël” dhe njeriu që luftoi për çlirimin e vendit, ashtu si veprojë ai regjim, ka qenë shpallë ”armik i popullit” nga regjimi i egër i diktatorit Enver Hoxha !

Në biografinë e tij, thuhet se Familja Tonuzi përbënte historinë tipike të pasluftës së Dytë Botërore, ku familjet ishin të ndara në dy kampe; vetë Hajdari ishte në radhën e triumfatorëve, ndërsa vëllai i madh, Shehati ishte, në anën e humbësve, që komunistët i shpallën kolaboracionistë.

E vërteta është se Shehati, kish qenë adjutanti i Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë Shqiptare, sapo pat mbaruar akademinë ushtarake italiane, e mbajtën ca kohë në Torino dhe më pas e çuan në front që të luftonte në krah të ushtrisë së Musolinit.
Hajdar Tonuzi do të linte shkollën e kadetëve për të shkuar tek shkolla e ”Kuadrove të reja”, në degën e bujqësisë.

Hajdari kujtonte sa ishte gjallë se “3 herë në javë shkonin në Kavajë, ku praktikoheshin për mirërritjen e bletëve, kujdeseshin për kultivimin e krimbit të mënadafshit, pulave, lopëve etj. Ai nuk e harron dashurinë që tregonte për nxënësit, mësuesi i përgatitur nga Harry Fullci, agronomi i shquar, Abedin Çiçi, i cili kultivoi tek ata dashurinë për çdo lloj pune dhe u përcolli njohuri të thella shkencore; trashëgimi e shkollës amerikane”.

Më 1948, Tonuzi diplomohet si Teknik Bujqësor dhe emërohet në rrethin e vet, në Peshkopi. Sapo ia kishte marrë dorën punëve, filloi operacioni i pastrimeve për biografi. I grumbulluan në sallën e mbledhjeve dhe paralajmëruan:Kush nuk do të dëgjojë emrin në listë, nuk duhet të qëndrojë më këtu, por të shkojë në shtëpi. Ishin fazat e para të operacioneve biografike të kuadrove, dhe ai u perjashtua nga puna.

Vëllai i tij, Shehati, që kishte dalë nga burgu, pas 5 vjet vuajtjeje, kthehet në fshat dhe merret me punët e bujqësisë.

Shehatin, të cilin e kishin paralajmëruar se familja Tonuzi ishte në shënjestër, ndërsa, Shehati vetë, ishte shumë i rrezikuar. Nuk bëhej fjalë thjesht për burgosje, por ndoshta dhe jeta ishte në kufijtë kritikë të rrezikshmërisë…

“Ishte ky sinjal i marrë në kohën e duhur, – ka thanë Hajdar Tonuzi, për gazetat shqiptare në diasporë, që e detyroi familjen Tonuzi të merrte shtigjet e arratisë. Së bashku me nënën, vëllanë e madh Shehatin dhe dy vëllezërit më të vegjël – Hajdari, në pranverë të vitit 1950, ku familja e tyre kishte lënë përmes një ankthi vatrën e të parëve dhe ishte hedhur në Dibër të Madhe, ku kan qendruar për disa vjet.” sipas tij.

Më tej ai rrefen se në zonat shqiptare në Maqedoni, atehere, kishte nevojë për mësues, prandaj e dërgojnë Hajdarin në Shkup, për të vazhduar studimet pedagogjike, ndërkohë që tre muajt e verës vazhdoi një kurs për pedagogji, psikologji dhe metodikë. Më pas u emërua mësues në Dibër të Madhe. Më 1953 do të pranohej për të vazhduar studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkupit. E mbaroi vitin e parë shkëlqyer, por përsëri telashet nuk kishin të sosur.

Hajdari kujton se serbët bënin ç’ishte e mundur të punonin me emigracionin nacionalist shqiptar duke e kthyer atë mish për top ndaj Shqipërisë, kryesisht edhe për interesat e vetë Jugosllavisë.

Atij dhe sot i duket habi se si Dushan Mugosha, që gjatë viteve të luftës punoi me komunistët e Enver Hoxhës dhe i ndërseu ata kundër nacionalistëve në atë që u quajt luftë civile mes shqiptarëve, pas lufte, punoi me kundërshtarët e tyre për t’i hedhur kundër komunistëve.

Edhe kur kishte patur ndonjë përpjekje që ‘t’i jepej fund kësaj tabloje, siç kishte bërë Shehati, Mugosha ishte përpjekur që të fuste zjarrin mes vetë nacionalistëve.

Hapen dyert e perëndimit për Hajdar Tonuzin…….!

Në biografinë e tij lexojmë se më në fund, më 7 korrik 1956, pas kërkesash të njëpasnjëshme, familja u lejua të ikte në Perëndim.
“Nuk na besohej se ishim të lirë kur arritëm në Paris, – kujtonte Hajdari, i cili shtonte se familja u nda; një pjesë në Paris e tjetra në Belgjikë dhe Itali”.

Menjëherë Hajdari, që nuk ishte më shumë se 26 vjeç, me të mbërritur në Paris, mendoi për shkollimin e tij. U regjistrua në “ALLEANCE FRANCESS” dhe për një vit zotëroi gjuhën franceze, të cilën nuk e kishte fare të panjohur, ngaqë për një vit, sa studioi në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkup, kishte zgjedhur frëngjishten si gjuhë të dytë. Pasi përfundoi me rezultate të larta ”ALLEANCE FRANCESS” kalon në “DESSINATEUR D’ETUD-ET INGENIERUR DE MECANIQUE GENERAL” .

Pas diplomimit inxhinieri i ri, Hajdar Tonuzi, filloi punë në Paris në fabrikën e shumënjohur “RENAULT”, në zyrën e projekteve të makinerisë për automobilë. Gati për 5 vjet punoi atje dhe tani, si shpërblim, ai merrte një pension simbolik nga Franca, falë punës që bëri asokohe në fabrikën “Renault”.

Në Francë, Hajdari bëri edhe dasmën.

Kjo ngjarje e gëzuar e jetës së tij ndodhi në pranverën e vitit 1962. Nusja ishte një ish nxënëse e tij nga Dibra, vajzë bejlerësh, siç thotë me të qeshur Hajdari. Dasma u bë në Bonneull të Parisit, me shpenzimet e një organizate ndërkombëtare të emigrimit dhe kursimeve të tij. Ishte një ceremoni e thjeshtë, e dominuar nga shqiptarët. Hajdari ruan nga ajo ditë kujtimet më të bukura. Në arkivin e tij janë edhe urimet që mori nga shumë miq e të afërm, por veçon telegramin e urimit që mori nga vetë Mbreti Leka, me 17 prill 1962:

”I ndershmi zotni Tonuzi,

Thellësisht u gëzova për martesën tuaj e ju uroj trashëgim me plot lumtëni e të mira. Me këtë rast, si juve, po ashtu gjithë familjes suaj u dërgoj të falat e përzemërta”-Leka

Një telegram i ngrohtë urimi kishte mbërritur edhe nga adjutanti i Oborrit Mbretëror, z. Hysen Selmani:

” I dashur Hajdar Bej,

U gëzova shumë për martesën tuaj dhe miqësisht ju uroj me gjithë zemër që ta kaloni jetën me plot lumtëni e u tashëgofshi në gëzime.

Si juve po ashtu gjithë familjes tuaj të ndershme u dërgoj të falat e mija ma miqësore! I juaji-Hysen Selmani”.

Ndërkohë, jeta e Tonuzit ka edhe linjën tjetër, atë politike.

Ai që në fillim ra në kontakt me nacionalistët shqiptarë që jetonin në Paris. Takoi emra të njohur, kundërshtarë të regjimit komunist të Tiranës, si:Halim Begeja, Sefedin Çollaku, Nel Çupi, por u njoh edhe me ish komunistë që nuk e kishin duruar dot diktaturën e Enver Hoxhës si Sadik Premte, të cilit agjentët e Sigurimit kishin arritur që t’i bënin tre atentate ne Paris.

Megjithëse Tonuzi ishte në krahun e mbretërorëve, ai e takoi me shumë respekt udhëheqësin e Ballit Kombëtar, prof. Abas Ermenjin, i cili pat luftuar trimërisht kundër italianëve dhe gjermanëve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe qe nga të fundit që u tërhoq nga malet e Shqipërisë, ku qe ngjitur së bashku me çetën e tij pas fitores së komunistëve. Profesori nuk i shihte me sy të mirë legalistët, por me Hajdarin u soll mirë, e respektoi si student i ri dhe si nacionalist me ide të qarta.

Në moshën studentore Hajdar Tonuzi u bë udhëheqësi i legalistëve për Parisin. Kjo u arrit në një mbledhje që u zhvillua konform statutit të mbretërorëve. Edhe pse takimi është zhvilluar gjysëm shekulli më parë (mbledhja është bërë më 1957 në Paris) ai ruhet i plotë në arkivin e Tonuzit:- Nuk ishim më shumë se 24 veta në mbledhjen e parë që organizuam aty nga fillimi i vitit 1957, mbledhje, që pati si kryetar Nezir Spahiun dhe sekretar Ragip Lohjen, – kujton Tonuzi.

Pikërisht kjo mbledhje zgjodhi si kryetar të organizatës legaliste, z. Hajdar Tonuzi, atëherë student 27 vjeç, ndërsa sekretar u zgjodh Xhelal Kaca prej Mati. Pikërisht ky takim ishte denoncuar në rajonin policor dhe kryetari i sapozgjedhur përfundoi në rajon për bisedë kontrolluese dhe verifikuese. Policia kërkoi të dhëna se kush ishin, ç’organizatë kishin krijuar, kë kishin në krye, për kë luftonin, ç’platformë kishin e shumë pyetje të tjera të tilla. Me gjakftohtësi Hajdari e përballoi ballafaqimin dhe raportoi se organizata e tij mbështeste Mbretin Zog, i cili ishte dhe miku i De Golit. Pas këtij momenti, policia e kishte zbutur zërin dhe i kishte uruar aktivitet të mbarë. Madje disa ditë më pas, një epror i lartë i policisë kishte kërkuar që kryesia e organizatës, veçanërisht Hajdari si kryetar, të ndihmonin në identifikimin dhe sistemimin e nacionalistëve shqiptarë që vinin nga rajonet shqiptare, kryesisht Kosovë, Mali i Zi dhe Maqedoni.

Tonuzi ruante të gjalla shumë kujtime nga takimet me Mbretin Zog dhe pjesëtarët e tjerë të Oborrit Mbretëror.

9 prilli qe një ditë zie për mbretërorët, do të thoshte Hajdari, i cili kujtonte në detaje varrimin e Mbretit, pjesëmarrjen e shumë përfaqësuesve edhe nga Gjermania, Anglia, Belgjika, Italia,Kandaja, Amerika, Egjypti, etj.

“Në ditën e varrimit nëna Mbretëreshë ishte shumë e lodhur, e rraskapitur nga netët e pagjumta në spital, kështu që ceremonia u reduktua. Madje desh që të lexonte një përshëndetje edhe Cufe Mullaj, agjenti i sigurimit të shtetit shqiptar, i dërguari i Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut, i cili pat depërtuar në radhët e legalistëve dhe kishte ardhur nga Belgjika, si përfaqësues i legalistëve të atjeshëm, por nuk mundi për shkak të shkurtimit të protokollit”.

Të shtatat e Mbretit u përkujtuan me madhështi, – kujtonte Hajdari, i cili atë ditë, në emër të mbretërorëve të Francës mbajti fjalën e rastit, ku evokoi figurën e mbretit dhe renditi meritat e tij në themelimin dhe udhëheqjen e shtetit shqiptar, arkitekt i të cilit qe Mbreti Ahmet Zogu.

Në vjeshtën e vitit 1962, pas 6 vjetë jetë intensive, emigranti Hajdar Tonuzi, së bashku me bashkëshorten e tij do të merrnin rrugën drejt kontinentit të ri, Amerikës, ku ishin grumbulluar shumë nga legalistët që kishin qenë të shpërndarë nëpër Europë.

Këtu jeta e tij nisi, thuajse nga e para; të njejtat shqetësime si në Francë. Në fillim mësimi i gjuhës, i cili për çdo emigrant përbën hapin e parë orientues dhe integrues, do të kujtonte Hajdari.

Ai nuk pati shumë vështirësi për të përparuar në kurset e anglishtes, ku u regjistrua sapo erdhi. Vuri kontaktet e para me specialistë të fushës inxhinierike, fushë ku ishte diplomuar në Francë.U njoh me inxhinierin Agim Karagjozi, kryetarin e sotëm të Vatrës, me të cilin ruante miqësi të vjetër.

Tonuzi e vlerëson ndihmën e pakursyer profesionale, që i dha atëherë inxhinier Agim Karagjozi. Në të njëjtën kohë, Hajdari u regjistrua në “Mechanich Institute” dhe më 1971 u diplomua edhe për “Plumbing Projecting”.

Nuk i ndërpreu asnjëherë përpjektjet për integrim të plotë dhe në vitin 1974 arriti që të diplomohet edhe për profesionin tjetër që kishte të bënte me sistemin e ngrohjes, ventilimit dhe ajrit të kondicionuar. Në këtë profesion, Tonuzi punoi deri sa doli në pension në moshë të thyer në zyrën e tij të projekteve në Manhattan.

Ai ka qenë Kryetari dhe për shumë vjet arkëtar i Vatrës – ndërkohë, që vazhdoi të punonte për organizatën e Legalitetit, duke qenë anëtar i Senatit të OKLL, në New York, derisa z. Karagjozi, i propozoi të bashkëpunonte me Vatrën, dhe ai nuk u nda as nga Legaliteti as nga Vatra.

“M’u duk jo shumë normale që të isha edhe me Legalitetin edhe me Vatrën, ndaj ia thashë z. Karagjozi se unë isha me Mbretin dhe isha i zgjedhur në Këshillin e legalistëve. Por ai më tha se nuk kishte asgjë anormale, në Vatër merrnin pjesë edhe nga parti e organizata të tjera nacionaliste.”

Dhe kështu, shkova tek Vatra, – thoshte Tonuzi. Në vitin 1966 legalisti u bë edhe vatran. Aktiviteti dinamik ra në sy të vatranëve, të cilët, me propozimin e z. Agim Karagjozi, i besuan arkën e Vatrës për degët e New York dhe New Jersey, e më pas për të gjithë Vatrën. Detyrat i kryente me përkushtim,kujtohet edhe sot: Ishte korrekt Hajdar Tonuzi!.

Gjatë vizitës së Leka Zogut në Boston më 1967, Hajdar Tonuzi ishte në delegacionin e legalistëve. Ishte një pritje madhështore kujton ai dhe e përshkruan ceremoninë dhe darkën që Vatra shtroi për Mbretin, si shumë madhështore. Fjalimet ishin të jashtëzakonshme, si nga zoti Anthony Athanas, nga kryetari i darkës, z. Kristo Thanas, ashtu dhe nga Mbreti Leka.

Në Kuvendin e Vatrës në Boston më 1967 Hajdari zgjidhet zv/ kryetar, ndërkohë që kryetar ishte Anthony Athanasi. Në numrin e e 25 tetorit të vitit 1967 të gazetës ”Dielli”, në faqen e parë botohet një portret me fotografinë e Hajdar Tonuzit. Në shkrimin ”Kush është nënkryetari ynë”, jepet njoftimi i zgjedhjes së tij zëvendës i zotit Athanas dhe përshkruhet rruga e jetës, shkollimi, aktiviteti politik etj. Pra, në një kohë shumë të shkuurtër, falë aftësive të tij Tonuzi bëhet person publik dhe përfaqësues i krahut nacionalist tek Vatra.

Edhe gjatë vitit 1968 Tonuzin e gjejmë përsëri zv/ kryetar. Këtë herë kryetar është Peter Chikos.

Si aktivitetin më madhështor për Federatën, ish zv/kryetari i Vatrës kujton vizitën e arbëreshëve, të cilët ishin ftuar nga Vatra për të kremtuar së bashku festën e Flamurit dhe përvjetorin e Diellit.

Në kuvendin e ri të Vatrës, që u organizua në janar 1971, u zgjodh kryetar i ri Barney D. Kirka, ndërkohë që zv/ kryetar përsëri mbeti Hajdar Tonuzi. Nënkryetari gëzonte respektin e palëve brenda federatës. Ai pohon se kishte dy linja brenda Vatrës: njëra që tërhiqte majtas dhe tjetra djathtas. Madje jo rrallë kishte dhe fërkime, por që kapërceheshin me dialog dhe urtësi. Madje ndonjëherë fërkimet kalonin masën, ishin të ashpra.

Hajdari kujtonte se në Boston kishte një grupim që nuk e duronte elemintin nacionalist. Psh. njëri prej tyre, Jimy Thanas, shpesh ngrihej kundër duke thënë se këta janë mbeturina të nazifashizmit, mbeturina të zogizmit, s’kemi pse merremi me ta. Ne debatonim, debati ashpërsohej, por ndërhynte Kristo Thanas që na ulte tensionet.

Tonuzi do të mbetej zv/kryetar i Vatrës edhe në zgjedhjet e vitit 1972, kur kryetar do të vinte Gregory L. Chiriaco, edhe në vitin 1973, kur kryetar do të zgjidhej Nick Kreshpani, edhe në vitin 1974, kur Vatra do të kishte për kryetar Kristo Thanasin. Ndërsa në Kuvendin e nëntorit të po atij viti, kur u bënë zgjedhjet e reja, Tonuzi dha dorëheqjen.

“E ndjeja veten të lodhur, “ shpjegonte ai dorëheqjen. Në vendin e tij u zgjodh i ndjeri Ibrahim Kulla, që ishte po nga krahu zogist.

Nga aktiviteti i Vatrës, Tonuzi nuk u tërhoq. Vazhdonte të ishte ndër anëtarët më aktivë, si në degën rajonale të New York-New Jersey, ashtu edhe në qendër. Më 1986 emri i tij ishte në Këshillin e qendrës, ndërsa më 1988, Peter Lukas, që ishte zgjedhur kryetar e afroi pranë vetes dhe Hajdari nuk kundërshtoi postin e zv/ presidentit të Vatrës.

Përplasja e vatranëve kur Ramiz Alia vizitoi Amerikën

Përplasjet brenda gjirit të Vatrës u bënë të ashpra pas vizitës së Ramiz Alisë, do të kujtonte Tonuzi, i cili pohon se pas asaj vizite pat një debat të ashpër në gjirin e Këshillit Drejtues të VATRË-s. Një pjesë nuk mund ta pranonte që ajo vizitë të pasqyrohej në faqet e Diellit. Madje u përgatit numri i gazetës, ku në faqe të pare ishte portreti i ish – udhëheqësit të fundit komunistë Ramiz Alisë, por ai nuk u printua, e bllokuan nacionalistët me gjithë presionin e majtistëve. Ky debat u transplatua deri në kuvendin e ri, ku u bënë ndryshime, sipas Hajdra Tonuzit.

Tonuzi, në intervistën e tij për gazetën shqiptaro amerikane Illyria, ndalej në një nga Kuvendet e Vatrës:- Atë të 1991 kur u zhvillua Kuvendi i Vatrës për zgjedhjet e reja. Kryetar i mbledhjes u zgjodh z. L. Cungu dhe Zv/ kryetari Tonuzi paraqiti raportin vjetor, nga që Peter Lukas për arsye shëndetësore nuk ishte paraqitur në Kuvend, ndërsa Harry Stoja paraqiti raportin e arkës.

Komisioni i përbërë nga Tonuzi, Ramiz Dani e Sabit Bitiçi, verifikoi kredencialet e 16 delegatëve.

Sipas tij :”Dy linja u përvijuan edhe në këtë mbledhje; ajo e nacionalistëve, që përfaqësohej nga zotërinjtë Karagjozi, Bitiçi, Oruçi, Kulla, të cilët mbështetën kandidaturën e paraqitur prej meje rrefente ai, që kryetar të ishte prof. Arshi Pipa. Grupi i Bostonit, reagoi ashpër. Në emër të tyre, z. Anthony Athanas, kundërshtoi, duke thënë se kështu shkeleshin rregullat e Kuvendit; nëpërkëmbej Kanunorja; si mund të zgjidhej një njeri që mungonte, qoftë ky dhe Arshi Pipa! Debati qe i ashpër. U ngrit dr. Oruçi dhe u kujtoi kundërshtarëve se po me këtë metodë, pra në mungesë, ishte zgjedhur vite të shkuara, më 1974 edhe Kristo Thanas, i cili për arsye shëndetësore, nuk kishte qenë fare i pranishëm në Kuvend. Kështu edhe Prof. Pipa e kishte pranuar kandidaturën që i ishte propozuar nga z nga unë dhe duhej të ligjërohej” treonte ai duke shtuar se përsëri kishte mbajtur postin e zv/kryetarit së bashku me dr. Gjon Buçajn, sekretar Agim Rexhaj.

Profesor Pipa e mbajti vetëm një vit postin e kryetarit, post të cilin e zuri z. Agim Karagjozi në Kuvendin e 28 qershorit të vitit 1992, ku Pipa humbi me një votë më pak. Që nga ajo kohë z. Tonuzi mbajti arkën e Vatrës, detyrë që e dorëzoi më 2009.

Hajdar Tonuzi i cili u nda nga kjo jetë më 6 Qershor 2017, ka një jetë interesante, që zhvendoset nga Allajbeg i Dibrës, në Tiranë, nga Dibra e Madhe në Shkup, nga kampi famëkeq i Gerovës në Paris, nga Parisi në New York e Madrid etj.

Jetoi prej se kur erdhi në qytet-lagjen e emigrantëve, Bruklinin në qytetin e Nju Jork-ut. Dhe megjithse i kishte kaluar të tetëdhjetat, nuk ka hequr dorë nga veprimtaritë e diasporës shqiptare në Amerikë, derisa vdiq pasi kishte vuajtur nga sëmundja Alzheimer për gati 5 vjetë……..

Në funeralin dhe në varrimin e tij morën pjesë, me qindra vetë, anëtarët të familjes, Tonuzi, miq e dashamirë, veprimtarë dhe personalitete të dalluara të komunitetit shqiptarë, klerikët, por mungojë zyrtarisht për fatkeq, ajo që ai ju përkushtua me gjithë zemër, dhe dha një kontribut historik duke qenë edhe kryetari i saj Vatra, për t’i dhën një respekt lamtumire dhe hedhur një dorë dhe, vatranit historik Hajdar Tonuzit.

Mbi dy a tre mijë kan qenë mesazhet e ngushëllimit të drejtuar familjes Tonuzi, bashkëshortes dhe fëmijëve të tij në medien sociale Facebook e tjera.

Shkriptari dhe publicisti i njohur Ramiz Lushaj do të shkruante se ;”Iku dhe nji nga lisat e Monarkise Zogiste e te Legalitetit. Po rrallohen perdite keta lisa te medhenj me nje jete te heshtur ne vendin e vet per arsye te emigrimit te larget. Emri i Hajdar Tonuzit me kujton emrat e medhenj KOMB, ATDHE, MBRET. Ai i la nje emer te mire kohes dhe koha do ia japin nderimet e saj ne perhershmeri. I kofte i lehte Dheu. I ndri’te shpirti i tij i mire. Ngushellime familjes e te gjitheve, mbreterore e legliste ne Atdhe e ne Diasporat Shqiptare”.

Ndërkaq, Veprimtari i shquar i komunitetit, i nderuar nga Prisidenti i Shqipërisë me dekoratën “Nderi i Kombit” zoti Harri Bajraktari, dërgojë mesazhin e tij nëpërmjet medieve shqiptare ku ai thotë se “vdekjen e Hajdar Tonuzit e përjetova me dhimbje të thellë, sepse i ndjeri ishte një patriot i rrallë, një veprimtar i vjetër i komunitetit tonë, dhe mbi të gjitha ishte një njeri i jashtëzakonshëm, ku në çdo periudhë ka dëshmuar vlerat e tij kombëtare e njerëzore”.

I ndjeri ishte mik i madh i babait tim, Metës, dhe mik i im, shkruante zoti Bajraktari, i cili asnjëherë nuk u nda nga rruga e kombit, edhepse jetoi kryesisht jashtë Shqipërisë, në SHBA, si shumë patriotë të tjerë të hershëm, ideal kishte Shqipërinë e lirë, Kosovën dhe viset tjera shqiptare.

“Hajdar Tanuzi, thotë ai ishte anëtar dhe i zgjedhur në organet më të larta të “Vatrës”, një adhurues i Mbretërisë Shqiptare dhe një aktivist i palodhshëm për Shqipërinë etnike.Ky u përket atdhetarëve që për kohë të gjatë luftuan regjimin e diktatorit Hoxha, si të keqen më të madhe që u kishte ndodhur shqiptarëve”.

Me rastin e ndarjes nga jeta të Hajdar Topnuzit, familjes dhe farefisit të tij, i shprehu ngushëllimet e mia më të thella, duku përkujtuar veprën, njerëzinë, sinqeritetin dhe miqësine që patëm me të ndjerin, ishte mesazhi i ngushëllimit të veprimtarit të shquar i komunitetit, i nderuar nga Prisidenti i Shqipërisë me dekoratën “Nderi i Kombit” zotit Harri Bajraktari.

NO COMMENTS

Leave a Reply