Tuesday , November 13 2018
Home / Kulture / Halil Teodori: Nga Shqipëria në SHBA, rruga ime nga politikani tek veprimtaria krijuese

Halil Teodori: Nga Shqipëria në SHBA, rruga ime nga politikani tek veprimtaria krijuese

Halil Teodori: Nga Shqipëria në SHBA, rruga ime nga politikani tek veprimtaria krijuese

Intervistoi: Kozeta Turishta

Ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit vazhdojnë të jene në krye të vendit. Vendin e etërve të nomenklaturës komuniste e kanë zënë bijtë e tyre. Shtresat e persekutuara, të përndjekura, të denigruara të shpërdoruara vijojnë të lëngojnë plagët e së shkuarës. Askush deri më sot nuk është penduar për krimet e komunizmit dhe kjo është e mjaftueshme për të besuar se komunizmi gjallon ende në çdo hallkë të shtetbërjes në Shqipëri Ajo që më ka nxitur gjithnjë dhe më ka shtyrë të mbetem gjithnjë në kujtesën dhe vetëdijen e kohës është krijimi. Ja shqiptarët me të cilët mburrem

Halil Teodori është një personazh, i cili është gjithnjë e më i pranishëm në realitetin e sotëm shqiptar. Nga politikani i viteve të tranzicionit, ai tashmë është krijuesi i viteve të transformimit, atyre viteve ku vlera shpirtërore kërkon të zërë vendin që i takon në një realitet ku politika ngulmon me çdo çmim vendin kryesor. Me një numër të konsideruar botimesh, Halil Teodori po dëshmon anën e pazbuluar për shumë e shumë miq dhe të njohur, ata që e njohën në jetë dhe ata që bashkëpunuan me të në politikë. Megjithëse ka vite që ka emigruar dhe është sistemuar familjarisht në SHBA, ai kërkon vijimsisht dhe me energji që të jetë i pranishëm në të sotmen shqiptare. E ka bërë këtë me pasion e përkushtim, me ndërgjegje të lartë personale dhe kombëtare, përmes publikimit të librave të tij në poezi dhe prozë, gjithashtu dhe botimeve publicistike në median shqiptare.

Zoti Teodori, prej 17 vitesh jetoni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si e kujtoni këtë rrugëtim, çfarë ka mbetur në kujtesën tuaj prej atyre atyre impresioneve?

Ëndrra amerikane është një ëndërr për çdo banorë të globit dhe nuk mund të mos ishte si e tillë për ne shqiptarët e dalë nga një regjim që shkatërroi të gjitha vlerat njerëzore dhe groposi çdo atribut dhe cilësi. Gëzimi i të qenit amerikan është ngazëllim i njohjes me idealen e koncepteve bazë të jetës së një individi në një shoqëri demokratike, lirisë dhe i mundësive. Ky vend i pasurive të paarritshme, i pushtetit të aspiratave të larta të humanizmit dhe progresit ishte dhe mbeti një nga ëndrrat e realizuara. Megjithëse Amerika ka shumë arritje, projekti për zhvillim nuk mbaron kurrë. Demokracia amerikane bën marrëveshje me qytetarët e vet të thjeshtë, ku përmes lirisë vjen edhe detyrimi. Kjo s’ka të bëjë me kohën kur ke ardhur në SHBA. Nëse kjo marrëveshje nuk është respektuar, demokracia është e kërcënuar. Janë qytetarët amerikan që marrin pjesë në drejtim të vendit, ku çdo ankesë apo kërkesë shqyrtohet më vëmendjen më të madhe nga drejtuesit e institucioneve që zgjidhen. Kjo do të thotë se qytetarë, ndryshe nga vende të tjera marrin pjesë në qeverisje. Është pikërisht kjo filozofi e funksionimit të shtetit dhe marrëdhënie me shtetasit që i jep kuptim termit demokraci.

Ju keni qenë aktiv në politikë në Shqipëri. Si ish-nënkryetar i PDK në opinionin tuaj çfarë nuk shkon në politikën shqiptare?

Në opinionin tim dhe nga eksperienca ime, politika në Shqipëri ende shihet si vend përfitimi, si një mundësi të përmbushjes së interesave përmes kredos së pushtetit politik dhe kjo sot nën këtë qeverisje është me aktuale se kurrë. Kjo nxitje vjen nga e shkuara komuniste. Njerëzit anëtarësoheshin në parti vetëm për të përfituar privilegje. Sepse duke qenë në parti ti i kishe dhënë fund një herë e përgjithmonë halleve. Nga aty niste një erë e re e përmirësimit të jetesës dhe arritjes. Gjithçka ishte e mundur edhe pse citati i partisë sipas së cilit, “Komunisti është i pari në detyra dhe i fundit në privilegje”, bënte sikur e idealizonte këtë figurë, në thelb thjeshtë ai e rrethonte komunistin me një mburojë të padepërtueshme. Ai gjendeshe gjithnjë rrethuar nga një serë përfitimesh dhe privilegjesh si shpërblim. Në thelb pak ka ndryshuar nga dje në diktaturë sot në demokraci. Filozofia politike sot në Shqipëri vepron me të njëjtat pritshmëri për të gjithë aderuesit, por me një ndryshim të vogël që ka të bëjë me masivizimin, i cili ka shtuar pretenduesit e përfitimit, pa i rritur resurset ofruese. Kjo ka bërë që politika të synohet duke lënë mënjanë në një interesim më periferik angazhimet në sferat e tjera të jetës.

Sipas jush ngase ishte dhe është e kërcënuar klasa politike shqiptare, marrim parasysh faktin se ajo vepron me të njëjtën taktikë politikbërje si në diktaturë?

Ajo që e kërcënon më së shumti klasën politikën shqiptare dhe në veçanti lidershipin është intoleranca dhe arroganca, prepotenca dhe megallomania. Ata janë shndërruar në zotër të të gjitha të drejtave. Gjithashtu një kërcënim serioz është padyshim autoritarizmi, mungesa e mendimit të lirë, shtypja me çdo kusht e çdo zëri dhe mendimi ndryshe. Ne trashëgojmë edhe në politikë ashtu si dhe në familje një mënyrë drejtimi patriarkale, ku apriori drejtim i takon më të madhit. Kurrsesi ai nuk mund të zëvendësohet edhe nëse mundësitë e tij drejtuese kanë shteruar. Ai ka gjithnjë të drejtë edhe kur vendimet që merr janë arbitrare. Të gjithë duhet të binden edhe nëse asnjëri nuk është i bindur dhe nuk udhëhiqet nga e njëjta ide dhe synim i kreut. A nuk ka ndodhur kështu në diktaturë?.

Ka diçka që e kompromenton klasën e sotme politike nga ajo e kohës së Enver Hoxhës?

Patjetër. Plagën më goditëse trupit të demokracisë i’a jep kompromentimi me të shkuarën i atyre që sot përbëjnë kastën politike. Ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit vazhdojnë të jene në krye të vendit. Vendin e etërve të nomenklaturës komuniste e kanë zënë bijtë e tyre. Veprimtaria dhe vendimmarrja politike u përket eksponentëve të rëndësishëm të kësaj superstrukture të persekutimit të lirisë dhe privatësisë së qytetarëve. Duket sikur është kusht që sot në politikë të jesh i suksesshëm domosdo duhet të kesh një begraund në strukturat e sigurimit të shtetit dhe në pushtetin e diktaturës. Ndoshta ngjan si paragjykim por është i pamohueshëm fakti se ata që ishin dje janë edhe sot. Shtresat e persekutuara, të përndjekura, të denigruara të shpërdoruara vijojnë të lëngojnë plagët e së shkuarës. Askush deri më sot nuk është penduar për krimet e komunizmit dhe kjo është e mjaftueshme për të besuar se komunizmi gjallon ende në çdo hallkë të shtetbërjes në Shqipëri.

Në gamën e problematikave, cila është sipas jush në evidencën e fokusimit si diçka nga e cila duhet distancuar?

Ndryshimet demokratike në vend kanë sjell zhvillim. Po me dhimbje e them se Shqipëria i ngjet një të sëmuri patologjik. Shumë gjëra janë bërë sikurse shumë gjëra mungojnë. Mungon shpresa për një të ardhme më të mirë kjo ka bërë që rinia dhe inteligjenca të largohen për një jetë më të mirë. Vendi ka ngel të qeveriset nga partiak. Këto duke zënë karrigen e pushtetit pa asnjë përzgjedhje apo kontribut, ditë për ditë po ja marrin frymën shoqërisë. Shto këtu edhe antikapatin korrupsionin i cili është në nivele shumë të larta dhe që e ka kthyer ekonomin e vendit në kaos. Po kështu shoqëria shqiptare vuan nga premtimet boshe. Dhe e keqja më e madhe është se njerëzit e shohin politikën si mjet fitimi.

Nëse do të kishte diçka tek e cila do të ishte emergjente ndërhyrja, sipas jush çfarë do të ishte ajo?

Ajo që duhet ndryshuar është njeriu. Duhet çmontuar i ashtuajturi “njeriu i ri” që na e la peng diktatura, njeriu që nuk duhej as të mendonte as të vepronte. Atij ju kërkua të jetonte si një krijesë e drejtuar sipas një programi veprimesh të kontrolluara. Me fjalë të tjera, ai ka jetuar si një makineri jo si një qenie biologjike me aftësi për të menduar, gjykuar, arsyetuar dhe vepruar. Këtij njeriu i’u desh të ishte një mekanizëm që duhej vetëm të punonte pa të drejtën të amortizohej apo të prishej. Është kjo një nga pasojat më të rënda që Shqipëria vuan. Tendenca e kësaj qenie që guxoi të largohet nga ajo vetvete e programuar dhe e drejtuar e ka degdisur në një udhë pa krye. Liria është një nga shpërdorimet më të rënda që ky individ i ka bërë vetvetes dhe lirisë si koncept. Përtej kësaj shteti dhe ligji nuk ishin detyrime, thjeshtë arsye mosbindëse. Koha kalon dhe gjerat nisin të ndryshojnë duke sjell progres, por jo atë premtuesin.

Mendoni se politika është molla e sherrit për çdo gjë që ndodh në Shqipëri?

Politikanët po i sjellin dëm vendit. Kanë zënë karrigen e pushtetit si rezultat i shërbimeve të ndaj padronëve dhe janë bërë të pazëvendësueshëm. Ata vinë nga një parti e vjetër dhe po të njëjtin mentalitet vazhdojnë të servirin edhe sot, duke mos qenë në gjendje të bëjnë ndryshimet e nevojshme për kombin. Kudo që janë vendosur në detyra marrin paga të majme dhe punojnë për ti shërbyer padronit ndërsa popullin as që e përfillin. Kjo ndodh në një vend ku populli nuk merr pjesë në qeverisje. Kjo elitë që qeveris vendin është e paaftë të përshtatet me botën e civilizuar. Për mua kasta e vjetër duhet të zëvendësohet me intelektual të ri që kanë studiuar dhe punuar për një farë kohe jashtë vendit. Ata duke sjellë përvojën e tyre në vendet e civilizuara do të bëjnë të mundur të transformojnë faqen kësaj Shqipërie.

Përditë dëgjojmë e shohim rreth fenomenit të emigrimit. Po e braktisin Shqipërinë mëndje dhe resurse të dobishme njerëzore. Kësaj mase i janë bashkëngjitur personalitete të fushave të ndryshme. Do të kishit diçka për të thënë rreth kësaj?

Tragjikisht kjo është më se e vërtetë. Plaga e emigrimi vazhdon të rrjedh, kjo për fajin e mënyrës se si po qeveriset ky vend dhe në dëm të interesave dhe aspiratave integruese të Shqipërisë. Rrjedhja e trurit përbën fenomenin më negative të qeverisjeve në këto vite të tranzicionit. Akademikët dhe inteligjenca e mirëfilltë e vendit janë zëvendësuar me pseudointelektualë që nuk i kanë kryer normalisht shkallët e arsimimit. Dimë njerëz qe kanë marrë diploma të paguar pa mbaruar arsimin e mesëm. Kjo ka bërë që arsimi shqiptarë në botë të jetë notë pakaluese.

Jeni autor i disa librave, romane, novela dhe poezi. Ndërkohë që puna juaj është diçka tjetër prej së cilës merr të ardhurat e jetesës, por të shkruarit mbetet pasion apo prefesion i dytë?

Po është e vërtetë. Pas divorcit me politikën dhe ikjes nga Shqipëria ajo që më ka nxitur gjithnjë dhe më ka shtyrë të mbetem gjithnjë në kujtesën dhe vetëdijen e kohës ishte pikërisht krijimi. Ndoshta kjo është mënyra më e mirë dhe më dinjitoze për të mbetur mes bashkëkombësve. Mënyra më efikase për të shkrirë kufijtë kohor dhe fizik mes Shqipërisë dhe SHBA-ve ku jetoj dhe punoj me bashkëshorten dhe dy vajzat. Përfaqësimi im në botën e letrave shqiptare është modest. Ajo është një përpjekje e vazhdueshme, e cila vjen duke u gjallëruar dhe formëzuar botim pas botimi, vlerësim pas vlerësimi. Krijimtaria ime ka të bëjë jo vetëm me poezinë, e cila është një rrekje përjetuese e rinisë, por edhe një manifestim botëkuptimi shpirtëror. Dhe jo vetëm kaq, në synimet e mia ka qenë dhe është promovimi i historisë dhe figurave të rëndësishme të krahinës sime. Bërja publike e këtyre personazheve, promovimi dhe njohja e këtyre vendeve të mrekullueshme është një lloj amaneti, por edhe një ndjenjë krenarie.

Në jetën tuaj amerikane, gjatë takimeve dhe bisedave me kolegë dhe njerëz që njeh çfarë u tregon atyre për Shqipërinë? Çfarë dinë ata më shumë për vendlindjen tënde?

Shumë gjëra ndaj me miqtë dhe të njohurit e mia amerikanë. Kryesore ka qenë rehabilitimi i imazhit të Shqipërisë, i cili për shkak të rrethanave dhe ndjenjës ksenofobe është gjendur në pozita denigruese. Njerëz të përvetshëm dhe media ndërkombëtare, mendësi të sëmura dhe viktima të rasteve sporadike, kanë bërë që imazhi i Shqipërisë të kalojë një periudhë të errët denigrimi. Por vitet dhe integrimi i shqiptarëve, jo vetëm në SHBA por në të gjithë vendet e botës, roli veprues dhe vlerat promovuese, kanë bërë që kjo e shkuar të hidhet pas krahëve. Këtë e tregojnë dhe destinacionet turistike, të cilat kanë futur në kalendarin e tyre të preferencave dhe propozimeve edhe Shqipërinë, për veçantitë e saj historike, traditën, zakonet, kulinarinë, folkun dhe mikpritjen. Më këto vlera të papërsëritshme janë njohur edhe amerikanët, të cilët ose e kanë vozitur Shqipërinë, ose kanë dëgjuar për të zëra pozitiv.

Ka diçka shqiptare me të cilën ju ka rastisur që të mburreni?

Natyrisht. Nga personalitetet historike, ato të penës dhe bamirësisë, lista e shqiptarëve me të cilën krenohemi është e gjatë. Nga Skënderbeu dhe roli i tij përcaktues në frenimin e hordhisë otomane për të mos nënshtruar katolicizmin, deri te roli i pashoq i humanistes dhe bamirëses shqiptare, shenjtores shqiptare Nënë Tereza. Për të vazhduar me njerëzit e penës, nga Fan Noli dhe Faik Konica, njerëz me integritet dhe me shumë influencë në politikën amerikane, për të mbërritur deri te brezi i ri, i artistëve, avokatëve dhe sipërmarrësish. Nga vëllezërit Bekushi te Eliza Dushku, etj., etj., Shqipëria tashmë nuk është një vend anonim. Ajo ka zërin e saj të fuqishëm në organizmat ndërkombëtare si kontributor për paqen dhe demokracinë, është rol kyc në shembullin e bashkëjetesës dhe harmonisë fetare, ka rol stabiliteti në Ballkan dhe vepron në mekanizmat gjallues të biznesit rajonal dhe europian. Këto e pafund raste, të cilat sa vijnë dhe e vendosin gjithnjë e në një vend më të dukshëm nderin dhe famën e këtij vendi të vogël, me njerëz zemërmëdhenj e vital.

Sa e vështirë ishte të përshtateshit këtij vendi në madh, por edhe kulturës së tij? Si ka qenë për ju?

Si çdo përshtatje edhe kjo kishte vështirësitë e saja. U desh kohë për të sfiduar kryesisht mallin për vendlindjen dhe të afërmit që kishim lënë pas. Në New York ku edhe jam vendosur, jetojnë rreth 190 nacionalitete. Me përshtatjen nënkuptohet të lihet pas plogështia dhe pluhuri që na kishte mbuluar dhe kjo duhej bërë duke dyluftuar me vështirësitë për jetën. Rrugë tjetër s’kishte. Kultura amerikane si për çdo vend tjetër përfshin zakonet dhe traditën e SHBA, të cilat detyrimisht duhet t’i bësh pjesë e synimeve tuaja.

Check Also

Festa e Shotës (VIDEO)

Qindra adhurues të valleve e këngëve shqipe kishin mërsyer të shtunën sallën Salmen në Cyrih …

Komentoni

%d bloggers like this: