Bota sot : Maqedonia votoi: Betejë e ngushtë ndërmjet partisë së Gruevskit dhe Zaevit

0
515

Bota sot : Maqedonia votoi: Betejë e ngushtë ndërmjet partisë së Gruevskit dhe Zaevit

MË: 12 DHJETOR 2016 NË ORA: 07:51

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ende nuk ka publikuar rezultatet zyrtare të zgjedhjeve të së dielës, por nga përpunimi i 98 për qind të të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të këtij institucionit rezulton që VMRO DPMNE-ja të ketë fituar mbi 437 mijë vota, mbi 37 për qind, e pasuar nga Lidhja social-demokrate e opozitës me mbi 420 mijë vota, mbi 36 për qind,BDI-ja me mbi 84 mijë vota, mbi 7 për qind, Lëvizja BESA me mbi 56 mijë vota, Aleanca për Shqiptarët me mbi 34 mijë vota dhe PDSH-ja me 30 mijë vota.

Sipas KSHZ-së në votime kanë dalë 67.66 për qind e trupit të përgjithshëm votues prej 1.8 milion qytetar me të drejt vote.

Në mungesë të rezultatit zyrtar dhe diferencës të ngushtë mes partive politike, Lidhja social demokrate dhe VMRO DPMNE-ja kanë shpallur fitoren në zgjedhjet e jashtëzakonshme të së dielës që kaluan në atmosferë kryesisht të qetë dhe korrekte, me disa parregullsi që besohet të mos kenë ndikuar në rezultatin zgjedhor.

Në mungesë të rezultateve nga Komisioni Shtetëror i ZgjedhjeveLidhja social demokrate që drejtohet nga Zoran Zaev, ka njoftuar se partia e tij ka fituar 52 mandate, VMRO-ja 51,

“Ju keni shkruar historinë, do të keni se çfarë do ti tregoni fëmijëve tuaj , nipërve tuaj. Unë krenohem me ju, Maqedonia krenohu me ju. Regjimi u mposht, fitoi e ardhmja. Këto janë moment historike, dëshmuam dhe me shumë përkushtim I treguam gjithë botës se mundemi. Maqedonia do të jetë e lirë, demokratike dhe më përparuese”, ka deklaruar Zoran Zaev, kryetar I Lidhjes Social-Demokrate.

Pak më vonë fitoren e ka shpallur edhe VMRO DPMNE-ja e ish kryeministrit Nikolla Gruevski.

“Sot fitoi VMRO DPMNE dhe koalicioni Për Maqedoninë më të mirë. Sot fitoi edhe Republika e Maqedonisë. Kjo është fitorja e dhjetë më radhë e VMRO DPMNE-së. Pjesa më e madhe e qytetarëve të Maqedonisë votuan për vizionin tonë, ekipin dhe mënyrën se si punojmë dhe planifikojmë të punojnë në të ardhmen”, ka deklaruar Gruevski.

Sa i përket bllokut politik shqiptar, ato kanë shënuar rezultat shumë më të dobët nga zgjedhjet e kaluara duke humbur një numër të madh të mandateve. Këtë e ka pranuar edhe Bashkimi Demokratik për Integrim duke fajësuar për këtë numrin e madh të partive politike. Pavarësisht kësaj edhe partitë shqiptare kanë shpallur veten si fituese të zgjedhjeve.

“Me hidhërim e them se shqiptarët kanë humbur mandate. BDI-ja ka fituar zgjedhjet por mua më ka interesuar që në radhë të parë të fitojnë shqiptarët dhe nuk më gëzon fitorja e Bashkimit Demokratik për Integrim. BDI-ja do të mbetet e vendosur në drejtim të mbrojtjes së doktrinës së vet të paraqitur para shqiptarëve të Maqedonisë”, ka deklaruar Ahmeti.

Lëvizja Besa, subjekti më i ri politik shqiptar që edhe ka paraqitur befasinë më të madhe për humbjen e votës shqiptare ka fajësuar politikat e BDI-së që kanë çuar në dëshpërimin e madh të shqiptarëve.

“Në këto zgjedhje ka humbur BDI-ja dhe kanë fituar shqiptarët. Ata prej nesër shqiptarët e Maqedonisë do të kenë përfaqësimin e tyre në institucionet e këtij shteti, në Parlamentin e Maqedonisë dhe do të jenë krenar me përfaqësuesit e tyre në institucione”, ka deklaruar Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes Besa.

Humbjen e thellë në zgjedhje e ka pranuar Partia Demokratike Shqiptare e cila tani radhitet si forca e fundit politike ndër shqiptarë. Kryetari i saj, Menduh Thaçi tha se fituese e zgjedhjeve është lëvizja Besa dhe humbëse BDI-ja e Ahmetit.

“Kjo është një betejë e humbur, megjithatë më lejoni të theksojë se zgjedhjet shpallën fituesit e vërtetë tek shqiptarët. BDI-ja i ka humbur zgjedhjet në mënyrë katastrofale. Zgjedhjet tek shqiptarët i fitoj lëvizja Besa në koalicion me RDK-në dhe unë personalisht ju uroj fitoren dhe u dëshiroj suksese”, ka deklaruar Thaçi duke i ofruar të gjithë mbështetjen pa kushtëzime subjektit të ri politik.

NO COMMENTS

Leave a Reply