Dibra kalon në Njësinë 5?

0
569

Gazeta KOHA nga burime parlamentare merr vesh se nuk pritet të ketë kundërshtime nga VMRO-së dhe LSDM në këtë propozim të BDI-së, por se kundërshtime eventuale mund të priten vetëm nga PDSH, zyrtarë të lartët të së cilës më herët kanë kërkuar që në pesëshe të kalojnë Zajazi dhe Osllomeja

Fatos RUSHITI

Kalimi i Komunës së Dibrës nga Njësia 6 tek Njësia 5 është variant më i mundshëm për rregullimin e trupit votues, variant i cili siç merret vesh jozyrtarisht, qëndron edhe në draft-propozimin e BDI-së dërguar tre partive tjera VMRO-së, LSDM-së dhe PDSH-së, për balancimin e trupit votues. Nëse shkohet në kë variant, atëherë bëhet rregullim i pjesshëm, pra vetëm të Njësisë numër 6, ndërsa rregullimi i tërësishëm i të gjitha njësive zgjedhore pritet të ndodhë pas zgjedhjeve të parakohshme, kur edhe duhet të kthehen 30 mijë votuesit e kontestuar në listën zgjedhore. Gazeta KOHA nga burime parlamentare merr vesh se nuk pritet të ketë kundërshtime nga VMRO-së dhe LSDM  në draftin e BDI-së, por se kundërshtime eventuale mund të priten vetëm nga PDSH, zyrtarë të lartët të së cilës më herët kanë kërkuar që vendbanime të ish komunave të  Zajazit dhe Osllomesë të kalojnë në Njësinë e 5 zgjedhore. Ndërkohë, koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Talat Xhaferi, draft propozimin të premten në mëngjes e ka dërguar te grupi parlamentar i PDSH-së, ndërsa të hënën siç thotë ai, mund të priten konsultime të përbashkëta mes katër grupeve parlamentare. “Mund t’ju konfirmoj se sot në mëngjes(e premte) ua kam dërguar te grupi parlamentar draftin tonë, ndërsa presim që ata ta shqyrtojnë dhe të japin mendim mbi këto propozime apo të kenë edhe propozimet e tyre. Të hënën është e mundshme të kemi koordinim të përbashkët mes katër grupeve parlamentare dhe do të shohim si do të shkojë puna më tej”, thotë deputeti Talat Xhaferi, duke mos pranuar të jap detaje se për cilat vendbanime bëhet fjalë të kalojnë nga Njësia e 6 në Njësinë e 5 zgjedhore . “Për momentin nuk mund të flasim se çka kemi propozuar ngaqë duhet t’i shohim edhe mendimet e partive tjera, më pas bashkërisht do të shohim se për cilat vendbanime do të kemi marrëveshje”, shton më tej deputeti Xhaferi.

Zyrtarë të lartë të PDSH-së thonë se ende nuk kanë qëndrim përfundimtar për balancimin e trupit votues, ndërsa parimisht janë që të nivelizohet trupi votues mes të gjitha njësive zgjedhore. “Ne jemi për atë që e drejta e votës të llogaritet njëjtë sa i përket kthimit të saj në mandate deputetësh. Parimisht qëndrojmë në atë se duhet të kemi nivelizim të të gjitha njësive zgjedhore, pse jo edhe të ulet pragu prej +/- 5%. Por nuk mund të themi më tutje asgjë pa i parë edhe qëndrimet e partive tjera, sidomos të BDI-së dhe VRMO, të cilat shpresojmë se kësaj radhe e kanë seriozisht konsensusin, e jo siç kanë bërë më herët duke vendosur të vetëm”, thonë zyrtarë të lartë të PDSH-së.

Iniciativa e BDI-së erdhi pasi KSHZ njoftoi organin ligjvënës së Njësia e 6 e ka tejkaluar pragun zgjedhore me +5.28 %, duke qenë ndesh me Kodin zgjedhor, ndërsa nga VMRO dhe LSDM nuk kishte asnjë lëvizje për këtë çështje. Këto dy parti duket që nuk duan të ndryshojnë Kodin zgjedhor, kurse për bisedime eventuale për rregullimin e trupit votues,  nuk mund të mos ceket edhe fakti se edhe Njësia 3 dhe Njësia 4 janë afër tejkalimit të -5%, ndërsa edhe njësia 2 ishte afër kalimit të +5 %.  Edhe ekspertët e ndryshëm juridik shqiptar më herët këtë shmangie të partive politike maqedonase për të mos intervenuar tek trupi votues mes njësive zgjedhore e kanë shpjeguar me faktin se në çdo variant do të kishim zvogëlim të elektoratit maqedonas në njësitë 6, 5, 2 dhe 1, meqë  kufijtë e njësive nuk japin mundësi shumë që përsëri të ndryshojnë vendbanime në kurriz të elektoratit shqiptar. Nëse marrim shembull Njësinë 2, e cila tashmë me kthimin eventual të 30 mijë votuesve të kontestuar do të kishte kaluar +5%, atëherë në rast se do të kishte kalim të vendbanimeve maqedonase tek Njësia 3, meqë kufijtë e Njësive 2 me Njësinë 3 janë tërësisht më popullatë maqedonase, do të përfitonin shqiptarët më shumë për 1 apo 2 deputetë. Eskpertët zgjedhor gjithashtu kanë sqaruar se vendbanimet shqiptare do të ishte e palogjikshme të kalonin në Njësinë 1, sepse kjo njësi vazhdimisht është konstante, duke mos kaluar apo zvogëluar numrin prej 300 mijë votuesve ashtu si njësitë tjera. Ndërkaq, në këto zgjedhje ka ndryshime sa i përket diasporës, e cila nga tre njësi zgjedhore sa ishte më parë, tani është një njësi zgjedhore. Në një njësi zgjedhore të diasporës vlerësohet se do të ketë akumulim të votës shqiptare dhe shanset janë mbi 90 % që shqiptarët të nxjerrin një deputetë prej 3 sa zgjidhen nga diaspora. Por, ekspertët shqiptarë thonë se për këtë duhet një organizim të mirëfilltë të diasporë dhe më një fushatë aktive të partive politike shqiptare, mund të nxirren edhe dy deputetë shqiptarë, sepse më nuk do të ketë njësi të veçantë në rastin e Australisë në zgjedhjet e kaluara, ku me treqind vota maqedonasit nxorën një deputetë. Nga ana tjetër, diaspora shqiptare është dyfish në numër më e madhe se diaspora maqedonase, sidomos në vendete e Evropës perëndimore, por mungesa e mobilizimit nga partitë politike lë për të dëshiruar.  /koha.mk

NO COMMENTS

Leave a Reply