Presidenti i Korabit, Turhan Rusi: Do tremben ekipet e Superligës!

0
1208
     Korabi në një kohë të shkurtër ka arritur të ndërtojë një ekip simpatik, për të garuar denjësisht në Kategorinë Superiore. Dhe kjo falë ndihmës së bijve dibranë që jetojnë në Amerikë, Selim Rusi dhe Naim Agolli. “Duhet të tremben të gjithë ekipet e Superligës”. Kjo është deklarata që lëshon presidenti i Korabit, Turhan Rusi, babai i Selim Rusit, i biznesmenit nga Dibra e Madhe, për të mos thënë shqiptari më i pasur që jeton në SHBA.
     Pas një ftese nga vetë Turhan Rusi, drejtuesit e klubit të Korabit, si dhe një përfaqësi e Bashkisë së Dibrës, me në krye kryetarin Ethem Fida, kanë takuar në shtëpinë e këtij të fundit presidentin, duke i dhënë edhe një mirënjohje për kontributin, njëkohësisht duke i dhuruar bluzën më numër 1 të Korabit, si simbolikë për përkrahjen që po i jep ekipit në këto moment historike.
     Pas fjalës së gazetarit dibran Dëfrim Methasani, teksa i dhuroi mirënjohjen, Turhan Rusi premtoi se do të ndërtohej një ekip dinjitoz, i ndershëm, ku të gjithë rivalët në Superligë do t’i tremben, pasi është vetëm fillimi. Pas bisedës me drejtuesit e Bashkisë Dibër, Rusi iu drejtua atyre që të nisnin sa më shpejt punimet për ndërtimin e stadiumin e Peshkopisë, të paktën ato punime që janë emergjente, me qëllim që t’u krijohen kushte tifozëve dhe të licensohet për në garën e Kategorisë Superiore.
“Ju faleminderit shumë për respektin. Do të keni mbështetjen tonë maksimale. Do ta bëjmë Korabin që të tremben klubet e tjera të Shqipërisë. Por me një lutje: të keni shumë kujdes sepse djali im është i ndjeshëm në blerjen e lojtarëve. Prandaj mos shitni lojërat. Nuk ka rëndësi shuma, po për 1 mijë apo 2 mijë dollarë nuk duhet të bëhemi pis” – ka deklaruar numri një i Korabit, presidenti Turhan Rusi, i cili ka telefonuar edhe të birin e tij, Selimin, në mënyrë që të ndihmojë ekipin e futbollit.
Më pas drejtuesit e Korabit kanë drekuar me presidentin Rusi, ku kanë folur edhe për detajet e tjera të mbarëvajtjes së klubit. Edhe njëherë tjetër Rusi ka shprehur mbështetjen, duke u thënë drejtuesve të ofrojnë sa më parë dy sulmues cilësorë. Kujtojmë që presidenti i Korabit e ndoqi direkt në stadium edhe ndeshjen miqësore kundër Skënderbeut. Vetë presidenti i klubit korçar, Ardjan Takaj, u shpreh që është vërtet kënaqësi të kesh kolegë kaq të mirë që kontribuojnë për vendlindjen e tyre.

Burimi: http://telesport.al/presdenti-korabit-turhan-rusi-tremben-ekipet-e-superliges/
© telesport.al

NO COMMENTS

Leave a Reply