Na ishte një herë Esnafi i Dibrës!

0
1461

Sot Dibra nuk është ajo që ka qenë. As nuk i ngjan asaj të dikurshmes. Nuk është më ai numër i dyqaneve që ka qenë, por nuk janë me prezent as zejtarët. Industria dhe jeta e sotme ka bërët të vetën. Qyteti është më i bukur, por është më i vogël, thonë njohësit të mirë të Çarshisë dibrane

Vjollca SADIKU

Dibra ka qenë qendër tregtie dhe zejtarie që ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e këtij rajoni. Deri më vitin 1912, ishte një ndër qytetet më të zhvilluara në rajon si për nga aspekti ekonomik, zejtarë, tregtarë dhe në planin social-kulturor. Në atë kohë, Dibra kishte 11.000 banorë dhe 462 dyqane. Elita e themeluar nga tregtarët dhe zejtarët, e quajtur ndryshe si Esnafi, kishte ndikim të madh në jetën shoqërore të këtij qyteti. Haki Sharofi, autor i librit “Historia e Dibrës”, shkruan se tregtarët atëkohë ishin ndarë në manifakturistë, bakallë, pemëshitës, duhanxhi…, megjithëse pjesë më e rëndësishme ishin rrobaqepësit, këpucëtarët, argjendarët, teneqexhinjtë, jorganxhinjtë, nallbanët, avokatët , kafexhinjtë e tjerë. Edhe pse një pjesë të madhe e dibranëve janë marrë me bujqësi, esnafi dibran ka qenë dominues në aspektin e ndikimin në jetën shoqëroro-politike. Sot Dibra nuk është ajo që ka qenë. As nuk i ngjan asaj të dikurshmes. Nuk është më ai numër i dyqaneve që ka qenë, por nuk janë me prezent as zejtarët. Industria dhe jeta e sotme ka bërët të vetën. Qyteti është më i bukur, por është më i vogël, thonë njohësit të mirë të Çarshisë dibrane. Rexhep Agolli është një i moshuar i cili gjithë jetën ka qenë berber. Ai në dyqanin e tij thotë se ka praktikuar dhe ka mësuar një numër të madh të kallfave dhe të rinjve të cilët sot janë jashtë shtetit dhe me sukses punojnë si frizerë në SHBA dhe shtetet të Evropës. “Në berberhane qetheshin dhe rruheshin esnafi dibran. Punëtoria jonë ishte përplot me klientë. Por përveç punës që bënim, berberhania ishte edhe vendi ku kuvendonin shumë dibranë me ndikim. Kishte debate për situatën ekonomike, politike por edhe muhabete të shumta dibrane”, thotë Rexhepi, i njohur ndër dibranët si “usta Xhepja”. Dibra, thotë më tej Rexhepi, në të kaluarën ka patur një jetë aristokrate, të organizuar dhe ka patur shumë banorë. “Ne si të rinj organizonim edhe vallëzime, të cilit grumbullonin edhe meshkuj edhe vajza në kohën kur në qytetet të tjera shqiptare në Maqedoni kjo nuk ndodhte”, sqaron Rexhep Agolli, tash në moshë 80-vjeçare. Ai tregon se nga viti në vit, Dibra e Madhe po zvogëlohet. Pazari i Dibrës më nuk është ai që ishte. Numri i banorëve ka një rënie drastike dhe në qytet ka shumë pak të rinj. Migrimi është tmerrues dhe ata të rinj që janë, në pjesën më të madhe janë pa punë dhe shohin vetëm si të ikin. Shumë të rinj me zanatet të tyre sot në mërgim janë të suksesshëm. “Dibra në të kaluarën ka qenë qendër e madhe tregtare dhe ekonomike”, thotë dibrani Emin Lleshi. Edhe ai tregon se numri i dyqaneve dhe i zejtarëve ka qenë shumë i madh. “Pazari i Dibrës ka qenë i pasur dhe ka punuar me shumë fitime. Të gjithë kishin punë. Përveç dibranëve, në pazarin e Dibrës vinin edhe banorë të fshatrave të Zhupës dhe Rekës, dhe zanatçinjtë kanë qenë ekonomikisht të fuqishëm. Kishte tregtarë me emër, të cilët kishin një domethënie të madhe edhe në rajonin më të gjerë. Ishin shume familje dibrane që merreshin me tregti edhe atë Qormemetat, Seçanat, Papranikat e tjerë. Ishte qendër tregtare me shumë dyqane”, kujton ato vite Lleshi. Berberët , kallajxhinjtë, terzitë , samarxhinjtë, jorganxhinjtë…, thotë Lleshi, ishin tregtarët e klasit të parë. “Pikërisht profesionalizmi i tyre sillte shumë punë për ta. Atëherë isha fëmijë, por mbaj mend se ka patur edhe një harmoni dhe bashkëpunim të mirë mes zejtarëve nga i njëjti profesioni. Atë kohë kishte një bashkëpunim vëllazëror dhe ndihma e njëri-tjetrit ishte e theksuar. Me shumë sukses ka funksionuar edhe shtresa që është quajtur Esnafi i Dibrës . Ajo shtresë ka qenë e themeluar kryesisht nga familjet të njohura qytetare. Ata kanë patur një ndikim të madh edhe në jetën e tregut. Zejtarët kanë koordinuar çmimet e punës dhe askush nuk ka mundur nga zejtarët të vendos çmime të tjera. Marrëveshja e tyre ka qenë ligj. Njëkohësisht, kur është dashur që të ndërmerret ndonjë aktivitet në tregun e qytetit, është dashur një konsensus mes esnafit”, kujton Emin Lleshi, i cili sot ka 82 vjet. E sot, Dibra nuk e ka esnafin e vet. Nuk e ka për shkak se nuk e ka numrin e dyqaneve dhe zejtarëve që e ka patur atë kohë. Industrializimi dhe migrimi kanë bërë punën e vet. Sot, Dibra nuk e ka atë numër të banorëve që e ka patur, kurse rrobaqepësit nuk qepin më rroba, por vetën bëjnë riparime meqë rrobat janë më lirë nëpër shitoret të cilët ofrojnë rroba të firmave të njohura. Kështu është edhe me profesionet dhe zejtarët të tjerë. Ata zejtarë që kanë mbetur, kanë shumë pak punë dhe mezi mbijetojnë.

NO COMMENTS

Leave a Reply