Votuesit e diasporës përçajnë BDI-në

0
344

Votuesit e diasporës përçajnë BDI-në

Shkup, 3 korrik 2016 – Ndryshe nga partia e tij, Bashkmi Demokrarik pë Integrim (BDI), e cila e ka quajtur çështje teknike zhvendosjen e diasporës në një listë të veçantë zgjedhore, deputeti i kësaj partie Rafiz Aliti, e vlerëson këtë nismë si shumë të dëmshme për shqiptarët.
Aliti thotë se një iniciativë të ngjashme me këtë të LSDM-së e kishte ndërmarrë edhe VMRO-DPMNE-ja, në vitin 2000, transmeton Alsat M.
Sipas tij, qëllimi kryesor i dy partive maqedonase është që të shlyhen nga lista zgjedhore votuesit e diasporës, 80 për qind prej të cilëve janë shqiptarë.
“Kjo ide është e kamotshme, e iniciuar nga subjektet politike maqedonase VMRO dhe LSDM, dhe ekziston nga viti 2000. Ka pasur edhe dokument të nënshkruar këtu, në Kuvend, që të gjithë ata që kanë adresa apo jetojnë jashtë Maqedonisë të evidentohen me yll dhe, duke e ditur prapavijën e subjekteve politike dhe organeve dhe institucioneve të këtij shteti, më vonë, çdo herë ka pasur rrezik që nëse atyre votuesve u vendoset ylli apo vulosen se nuk jetojnë në Maqedoni rreziku është i madh që të shlyhen nga lista zgjedhore”, tha Rafiz Aliti.
Tema për evidentimin me yll të e votuesve të diasporë dhe zhvendosja e tyre në listën zgjedhore si pjesë e veçantë, sipas deputetit Rafiz Aliti, nuk është diskutuar ende në parti.
Ai thotë se përfaqësuesit e BDI-së që kanë pranuar këtë kërkesë të LSDM-së në bisedimet për pastrimin e listës duhet të japin sqarime para organeve partiake.
“Nëse dikush ka pranuar që diaspora shqiptare të evidentohet me yll apo t’i vihet vulë emrit të atij personi që është me punë të përkohshme jashtë vendit, gjithsesi se ai person duhet të japë sqarime në organet partiake”, u shpreh Aliti.
Ditë më parë, deputeti i BDI-së Talat Xhaferi, tha kërkesa për evidentimin e votuesve të diasporës me yll është çështje teknike dhe u zotua se partia së cilës i takon nuk do të lejojë që ata të shlyhen nga lista zgjedhore.
Krahas idesë për zhvendosjen e rreth 176 mijë mërgimtarëve në një listë të veçantë zgjedhore, LSDM-ja është duke kontestuar edhe 42 mijë votues të tjerë, pjesa dërrmuese e të cilëve thuhet se janë shqiptarë. (r.m.)

NO COMMENTS

Leave a Reply