Intelektualët Dibranë me gojë mbyllur me dry

0
955

Bisedë nga larg me Dibranin Bujar Kapexhiu

Të shoh nga larg mëmëdheut çdo ditë Bujar Kapexhiu. Të shoh në kryefaqet e gazetave me lapsin që djeg me spec e të bën të qeshësh dhe të qash. Të shoh ekraneve televizive të përcjellësh  gaz e humor të shëndetshëm. Jeni një njeri me kulturë të gjerë.
Të pashë sot në faqen e parë të një  gazete në një karikaturë therëse ku i kishe qepur 7 deputetë të Dibrës përpara hyrjes së Kuvendit të Shqipërisë me një dry të ndryshkur në gojë.

Do të desha të të shoh edhe me “një varg specash djegëse” përqafe, nga ato lloj specash që rriten në Fushë të Gjoricës e në Fushë të Odovës.
Unë Fushën e Odovës e kam parë në një fotografi të vjetër, kam në një dosje një tapi toke të 1892-shit në adresë të saj, kam edhe një letërkëmbim me kryetarin e atëhershëm të Komunës së Dibrës z. Argëtim Fida një fragment të së cilës e kam vënë në faqen e parë të librit “Po Dibrës! Jo Skavicës”.
“Dibranët, më shkruan z. Argëtim, nga ndërtimi i liqenit artificial të Dibrës dhe hidrocentralit të Shpiles nuk panë asgjë të mirë për këto 40 vjet pas humbjes së rreth 5000 hektarë të tokës më pjellore dhe që vaditej nga dy lumenj, burimi kryesor i ekzistencës të numrit më të madh të familjeve dibrane.
Sot të mirat nga prodhimi i rrymës përfitohen vetëm nga qeveria maqedone që nuk do të ja dijë nëse këto familje u detyruan të largohen në Turqi ose ShBA për të siguruar ekzistencën”

Fusha e Odovës nuk është më i nderuar Bujar dhe qyteti i Dibrës, qytet që po të bësh disa matje diletante, i bie të jetë qendra gjeografike e shqiptarëve autoktonë në trojet e veta mijëravjeçare, është në breg të mbytjes së saj.
Por nuk e di nëse e ke marrë vesh nga ndonjë shkrim i censuruar faqeve të ndonjë gazete, shpejt, madje është hapur tenderi që edhe ajo të pësojë fatin e Odovës. Dhe kush? Fusha e Gjoricës ku la taborët Hajredin Pasha dhe dhjetë vjet më vonë, në Fushë të Dibrës, u zhvesh në “këmishë e në brekë” Hysni Pasha (!)
Duan ta shuajnë Gjoricën dhe tërë Luginën e Drinit të Zi që nga Ura e Spiles deri tek Ura e Dodës, duan ta mbysin Dibrën në 65 kilometra katrorë e të zhbijnë nga trojet e tyre 40 mijë banorë. Duan ti mbysin varret e të parëve, të kaluarën dhe të sotme e një treve heroike e punëtore.
I kam thirrë intelektualët e Dibrës nëpërmjet librit tim dhe të disa shokëve të mi “Po Dibrës! Jo Skavicës!”. Vazhdoj ti thërres tash kur ministri Gjiknuri del përditë e flet për hidrocentralin e Katundit të Ri, (varianti shkatërrues i luginës me “tri diga” ), madje duke caktuar 1 janarin 2017 si ditë fillimi të shkatërrimit të Dibrës.
Disa nga intelektualët, mbasi e kanë lënë Dibrën në rrjedhën e një shekulli (që nga viti 1913) apo tash njëzet e pesë vjet, me tituj shkencorë e me medaljen “Qytetar nderi i Dibrës” nuk e di pse heshtin, nuk e di pse nuk flasin, nuk e di pse nuk bërtasin, nuk e di pse nuk dalin në rrugë e të thonë njëzëri “Jo Skavicës”! Mua më ngjan se për ta më rëndësi kanë “tre dynimë tokë” tek Liqeni Artificial i Tiranës, se sa mbytja dhe zhdukja nga faqja e dheut e një krahine të tërë.
Lulzim Basha, në rrugën e palavdishme për kryetar bashkie, mblodhi një grup dibranësh dhe nën zë u tha: jam dibran. Se ku i kishte rrënjët e të qenit dibran, tek  babai, nana, gjysh-stërgjyshi, askush prej pjesëmarrësve nuk e mori vesh. Të vetmen gjë që morën vesh ishte kërkesa e “dibranit Basha” “Votoni për mua!”
E njëjta gjë ndodhi edhe me Halim Kosovën i cili deklaroi prejardhjen e tij dibrane-kosovare.
Lulëzim Basha del përditë e sulmon të majtën në pushtet për gjëra nga ato më të çuditshmet. Asnjë zë nuk ka dalë nga goja e tij (si dibran) që të kundërshtojë ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës përveç zërit të ngjirur të zëdhënëses së tij që flet për “tender korruptiv” .
Dibra ka nevojë për trurin e saj i nderuar Bujar, tru i cili duhet të punojë jo vetëm për mbrojtjen e saj, për mbajtjen gjallë por edhe për zhvillimin e saj.
Dhe zhvillimi nis me Rrugën e Arbrit, rrugë që nuk ka dibran që nuk e ka përjetuar nëpërmjet tregimeve të pleqve, nëpërmjet dokumenteve thellë në histori e në veçanti gjatë ikjes masive të viteve 1913-1920 dhe në vitet 1943-1945. Është ikja më e dhimbshme dibrane, ikje që formoi “Mëhallën Dibrane”, mëhallë që thuhet se ka mbi 70 mijë njerëz me gjak dibran.
Për Rrugën e Arbrit ka një peticion të intelektualëve dibranë të vitit 1996. Ka edhe një peticion me firma dhe online iniciuar nga intelektuali dibran Prof. Dr. Gëzim Alpion, Bujar Karoshi dhe të tjerë.
Për Rrugën e Arbrit u hodh “kazma e parë” nga Fatos Nano në qershor 2005. Për Rrugën e Arbrit u zotuan (dhe për të mos ua ngrënë hakun bënë ca kilometra jashtë çdo standardi) gjatë tetë vjetëve qeveria Berisha.
Me flamur “deri në lartësitë e Korabit” doli Edi Rama me deputetët e Dibrës.
Asgjë nuk u bë dhe, siç duket, asgjë nuk do të bëhet.
Dibrës i morën pasuritë e nëntokës (deri në një milionë tonë krom në vit), thanë këneta, ndërtuan hidrocentrale, ndërtuan fabrika dhe uzina në tërë vendin. Rruga për në Peshkopi mbeti po ajo rrugë që u hap në vitet e para pas çlirimit.
Rruga Muhur – Kukës, në dalje të urës së “siratit” ka një basoreliev me emërtimin “Rruga e Rinisë”, rrugë e nisur dhe e mbaruar me kazmën, djersën dhe gjakun e të rinjve nga e gjithë Shqipëria në prill-tetor 1946  është po ajo e 70 vjetëve të shkuara ashtu siç janë rrugët për në Çidhën e Lurë, Selishtë, Gollobordë e të tjera, e të tjera.
Dibra është e harruar nga e kaluara por edhe nga e sotmja zyrtare, shtetërore e shoqërore.
Ajo që më dhemb dhe më detyroi tu drejtohem ju i nderuari Bujar, si intelektual dibran, është heshtja, vetdrynosja e gojës nga intelektualët dibranë në tërësi dhe e dy shoqatave dibrane që vegjetojnë në Tiranë e degët e tyre me “kryetar, sekretar e anëtar” të një “familje e gjaku”.
Pse nuk flasin intelektualët dibranë? Pse nuk flasin shoqatat dibrane? Pse nuk shkruajnë, flasin e bërtasin në mbrojtje të Dibrës nga MBYTJA DHE ZHDUKJA dhe  pse nuk e ngrenë zërin  NË QIELL për krijimin e infrastrukturës rrugore me RRUGËN E ARBRIT  si hap të PARË dhe me rrugët e tjera që do ti bënin malet e Dibrës që nga Lura, Kacnia, Korabi e deri në malet e Gollobordës, burime të mrekullueshme turistike dhe shtëpi të përhershme të qëndrimit në Dibër të Dibranëve?.
Më falni i nderuar Bujar që ju drejtohem pa ju dhënë ndonjëherë dorën dhe pa pirë një kafe Dibre së bashku, por zë më të fortë dhe çelës më universal për të hapur drynin në gojën e intelektualëve dibranë në Tiranë e më gjerë se ju nuk gjej.
Ndihmoje Dibrën tënde dhe tonën duke i bërë intelektualët Dibranë të flasin e bërtasin që atyre dhe nipërve e stërnipërve tu krijohen kushtet që në orën gjashtë  të mëngjesit të shkojnë në Llixhat e Peshkopisë apo të Dibrës së Madhe dhe në orën nëntë të ulen në karrigen e zyrës apo të ngrenë qepenat e dyqanit. Peshkopia dhe Dibra e Madhe do të jenë me Rrugën e Arbrit më afër se sa Tirana me Lushnjën…

Abdurahim Ashiku

Athinë, 30 qershor 2016  /abn.al

NO COMMENTS

Leave a Reply