Tuesday , November 13 2018
Home / Medicina / Aparat i ri për transplantimin e mëlçisë

Aparat i ri për transplantimin e mëlçisë

Edhe pse transplantime të mëlçisë janë kryer që nga viti 1963, ky mbetet një operacion i komplikuar dhe i rrezikshëm. Rreth 28 për qind e personave që marrin mëlçi të transplantuar vdesin brenda 5 viteve. Tani, një procedurë e re në Qëndrën Mjekësore të Universitetit të Pittsburgut premton shumë përsa i përket ruajtjes më mirë të organeve gjatë procesit të transplantimit.

Ky aparat është duke pompuar tek një mëlçi derri një lëng të pasur me oksigjen.

Doktor Paolo Fontes thotë se kjo pajisje përbëhet nga dy pompa të ndryshme dhe secila prej tyre dërgon lëngun në mëlçi përmes venës kryesore dhe nëpërmjet arteries hepatike.

Në Institutin McGowan për Mjekësinë Rigjeneruese, kirurgu Paulo Fontes thotë se oksigjeni zgjat jetën e indeve të organeve deri në 9 orë.

Tani për tani, 20 deri 40 për qind e të gjitha mëlçive të dhuruara për transplantim hidhen poshtë për shkak se janë mbajtur të ngrira për një kohë të gjatë dhe nuk kanë marrë oksigjen të mjaftueshëm.

Doktor Fontes thotë se edhe më parë ka pasur aparate ose zgjidhje të këtij problemi, por shumë pak njerëz përqëndrohen në faktin se për çështje të ndryshme terapeutike me organet nevojiten temperatura të ndryshme, dhe këtë ne përpiqemi të arrijmë, thotë doktor Fontes.

Pas kërkimeve për më shumë se 20 vjet, shkencëtarët në Universitetin e Pitsburgut, së bashku me kolegët nga Qendra Mjekësore në Universitetin Groningen, Holandë, arritën të krijojnë një lloj gjaku artificial që ushqen të gjithë organin me oksigjen. Provat e kryera me kafshë laboratorike dolën 100 për qind të suksesshme.

“Si një kirurg transplantimesh për 25 vjet, unë u befasova se mund të bëja një transplantim të mëlçisë në një kafshë dhe disa orë pas operacionit, kafsha dukej sikur nuk kishte ndodhur asgjë”, tregon doktor Fontes.

Aparati e ul temperaturën e mëlçisë së dhuruar ndërkohë që fut në gjak molekula të hemoglobinës të cilat depërtojnë shumë të thellë në inde, duke ofruar 8 herë më shumë oksigjen se sa aparatet e zakonshme.

Shkencëtarët tashmë janë duke pritur për miratim nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave të SHBA-së për të filluar provat klinike të mëlçisë së oksigjenuar në njerëz.

Ndërkohë shkencëtarët janë duke punuar në zgjerimin e sistemit të tyre për të gjitha llojet e organeve të transplantuara, përfshi gjymtyrët./voa

Check Also

KUR DIGJENI NË DIELL, lyeni lëkurën me QUMËSHT dhe me këtë PËRBËRËS: Skuqja do të zhduket menjëherë!

Duhet t’i dini të gjitha këto truqe për zgjidhjen e problemit, i cili mund t’ju …

Komentoni

%d bloggers like this: