Inva Mula: “Magjia hyjnore e zërit”

0
381

Intervistoi: Mira Tuci

Ndërsa talentet e operas shqiptare vijojnë të na befasojnë me sukseset e tyre. Inva Mula është një personalitet që qëndrueshëm zë vend në skenat botërore dhe ato shqiptare. Ndonëse jo me një opera, kësaj here ajo ishte pika kulmore së bashku me mezzosopranon Vikena Kamenica në realizimin për herë të parë të plotë në skenën shqiptare të simfonisë nr. 9 të Bethoven në Kremtimin e Ditës së Europës.

Një sipërmarrje gjigande ku çdo centimetër i skenës kishte një vokal ose një instrument, Inva në rrugëtimin nga Bethoveni në Tiranë për tek realizimi i operas “La Boheme” në Beograd rrëfen përjetimet e saj dhe shqetësimin permanent mbi kushtet në të cilat artistët e talentuar shqiptarë interpretojnë. Një rrëfim që na zbulon dorën e shenjtë të Nënë Terezës teksa realizonte koncertin në katedralen e Prishtinës e deri tek bekimi që e lumja Nënë Terezë ju ka dhënë artistëve shqiptarë të cilët do të performojnë me një koncert të plotë në Vatikan më 3 shtator para shenjtërimit të saj nga Papa Francesku. Deri atëherë Inva nuk resht së kënduari gëzimit të jetës, atë që përçon edhe Bethoveni.

Para rrugëtimit tuaj për në Beograd, ndalesa është Tirana me një vepër plot gëzim sic  është simfonia numër 9-të e Bethovenit. Cili ishte përjetimi juaj?

 

1- Të marrësh pjesë në simfoninë numër 9 është një kënaqësi e bashkuar me një përgjegjësi shumë të madhe, e bashkuar me një emocion shumë të madh dhe do të thoja gëzim shpirtëror. Jo kot simfonia, koha e katërt e simfonisë quhet shpërthimi i gëzimit, oda e gëzimit. Mendoj që Bethoveni i cili ka shkruar 8 simfonitë e tjera dhe simfonitë siç e dimë, janë të shkruara për orkestër ka dashur që zërin njerëzor ta ketë prezent në mesazhin e tij. Pasi vetëm zëri i njeriut ka fuqinë ta japi këtë gëzim. Zëri i njeriut është instrumenti shpirtëror, instrumenti më i fuqishëm dhe ai ia arriti qëllimit pikërisht duke bërë një nga koralet më të jashtëzakonshme dhe duke futur katër zërat e këngëtarëve  me shpërthimin që e ka vetëm simfonia nr 9 e Bethovenit. Simfoninë e 9-të nuk e kisha kënduar asnjëherë dhe jam shumë e gëzuar që e këndova këtu në Tiranë, do jetë mbresëlënëse kudo që të programohet simfonia 9 unë do të kujtoj që këtë kënaqësi për herë të parë e kam ndjerë në operan e Tiranës dhe në kushte shumë të bukura, shumë të veçanta për arsye se ne kremtonim Ditën e Europës. Dhe ta festosh këtë me një orkestër me pjesëmarrje kaq të jashtëzakonshme, unë nuk e kisha parë ndonjëherë orkestrën kaq të fuqishme, kaq të plotë, duke parë 6-7 kontrabase në orkestër, zakonisht orkestrat shqiptare kanë vetëm dy kontrabase dhe mbi të gjitha për të parë të rinjtë shqiptarë të luajnë në këtë orkestër. Ishte një mesazh i jashtëzakonshëm, jo vetëm në kor.  Ktheja kokën dhe shikoja vajza dhe djem 15-16 vjecarë dhe shikoj në orkestër rininë shqiptare e cila luante kaq bukur në instrument.

 

-Duke parë përmasat e produksionit nuk mund të mos mendosh për vështirësitë e plotësimit të kaq shumë elementëve!

2- Vështirësia kryesore është në pjesëmarrje, ju e patë që ishte një orkestër e përforcuar, e cila besoj se në këto evenimente ka një impakt të jashtëzakonshëm, shumë të fuqishëm, vetë formacioni që ka dhënë Bethoveni e kërkon një pjesëmarrje të tillë, do doja që ky koncert ti kalonte kufijtë e Teatrit të Operas dhe Baletit mbase të realizohej në shesh, pasi vetë mesazhi dhe ideja e këtij koncerti në ditën e Europës e mbart një madhështi të tillë. Ajo që duhet theksuar është një mesazh që na vjen nga Bethoveni, sot një pjesë e kohës së katërt të simfonisë 9-të është pjesë e himnit zyrtar të Europës. Mund të imagjinoni, që Bethoveni në momentin që ka shkruar simfoninë të imagjinojë Europën e sotme, Europën e bashkuar. Gjenialiteti i Bethovenit në atë kohë ishte i tillë që me vizionin e tij me anë të muzikës ai të jepte një mesazh  kaq të fortë sa ne sot na duket normale muzikë të kohës së katërt të simfonisë vërtet japin imazhin e Europës së bashkuar.

-Teksa në sfondin e intervistës sonë ndodhet godina e Operas, nuk mund të mos ndalemi gjatë në atë që mund të quhet laboratori i talenteve shqiptare të operas dhe muzikës!

3- Jo vetëm opera, por më gjerë edhe liceu artistik, mendoj që ajo ka qënë bërthama, ka qënë laboratori ku janë bërë eksperimentet e para meqë e filluam me termin e laboratorit. Unë personalisht, edhe pse kam kënduar dhe e vogël para se të filloja në liceun artistik, mënyrën profesionale të zërit dhe zhvillimit tim artistik i kam filluar në liceun artistik. Ashtu si edhe instrumentistët, sepse mos harrojmë vërtet opera ka qënë laboratori i zërave dhe këngëtarëve, por mos harrojmë se sa instrumentistë të shkëlqyer kanë dalë nga liceu artistik dhe më vonë nga Akademia e arteve.

Gjithmonë i bëj pyetje vetes, si ka mundësi që në Shqipëri ka kaq shumë talente?!

Asnjëherë nuk e kam përkufizuar, nuk e kam gjetur ende formulën, them që është një popull me talent natyral. Shqiptarët janë njerëz që luftojnë gjithmonë për numrin një dhe skena kërkon pikërisht këtë lloj ambicie. Vetëm kjo ambicie e çon artistin më përpara. Por duke kaluar në këtë laboratorin e madh të operas dhe baletit do të thoja që është vërtet një skenë e cila sic e dimë ka dhënë kaq shumë talente dhe shpresoj që të vazhdojë të jetë e tillë. Talenti nuk mjafton ka nevojë të rritet, dhe për tu rritur një talent ka nevojë për kushte, ka nevojë për konkurencë, ka nevojë për nivel artistik dhe përkrahje dhe mendoj që bëhet shumë pak për artistin shqiptar.

Për tu kthyer vetëm pak javë më parë, tek turi juaj në Amerikë, ju keni krijuar një skuadër simpatike me pianistin Genc Tukici dhe dirigjentin Bujar Llapaj dhe ngritët një koncert të plotë në Toen Hall tek shqiptarët që kanë mall  për zërat shqiptarë!

4- Nuk flitet vetëm për mall, këtu flitet për dëshirën e shqiptarëve për të parë artistin e vet që interpreton në skena internacionale dhe të ndjehet mirë se dëgjon shqip. Flitet për këto lloj krenarie më shumë se sa mall. Por siç e thatë edhe ju, kjo skuadër simpatike por edhe shumë profesionale me maestron Bujar Llapaj dhe pianistin e mrekullueshëm Genc Tukiçi na ka dhënë rezultat, pasi ne këtë bashkëpunim e kemi filluar kur punonim për diskun tim “Për ty Atdhe” i cili doli me rastin e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë dhe me një koncert madhështor në Pallatin e Kongreseve dhe e kemi ruajtur këtë ekip pasi merremi vesh shumë mirë profesionalisht midis nesh. Kur na u bë ftesa për të shkuar në Nju Jork ne nuk nguruam, menjëherë e ringritëm programin. Koncerti ka qënë një koncert të cilin ata e quajtën historik dhe ishte vërtet i tillë për shumë arsye. Arsyeja kryesore është se vendi i përzgjedhur për koncertin është një nga vendet më mitike në Broduej, një nga sallat ku kanë interpretuar artistët më të mëdhenj botërore. Nuk është salla ajo që e bën por historia që ka kaluar përmes saj, sepse ne ndoshta për dimensionet e orkestrës që kishim, mund të kishim edhe një sallë shumë më të madhe. Por të shikosh një publik kaq artdashës dhe më shumë se 1400 vende që mbushin atë sallë, me një dashuri të jashtëzakonshme dhe me një entuziasëm që vetëm arti mund ta japë. Mund të imagjinoni këtë elektrizim që kishte salla!

-Herë pas here mendoj se ky ka qënë viti I shqiptarëve, kam parasysh nga ideja për një himn tek realizimi I tij tashmë jemi pak muaj para shpërfaqjes së artit shqiptar para gjithë botës në Vatikan me 3 shtator!

5-Kur filluam këtë projekt ne nuk e mendonim kurrë që mund ta arrinim deri në interpretimin e himnit në Vatikan për arsye se nuk ishte fare zyrtare. Gjithçka nisi një vit më parë kur ne mendonim se duhet të bënim dicka por pa ditur se çfarë konkretisht. Ky lajm për ne në të njëjtën kohë ishte i zakonshëm, por edhe i jashtëzakonshëm pasi mund të imagjinoni kur ti fillon një projekt nga një mendim, nga një dëshirë. Ishte gazetarja nga Kosova Dijana Toska e cila në bashkëpunim me të madhin Dom Lush Gjergji nxorën një këngë të thjeshtë, një poezi të Nënë Terëzës, disa vargje të saj, një letër që ajo i shkruante nënës dhe një këngë e shkruar nga Lorenc Antoni i cili ishte edhe bashkëfamiljar i Nënë Terëzës. Ma dërgojnë këtë këngë në Tiranë dhe më thonë “nëse ka mundësi që nga kjo këngë të krijohet një himn dhe të intepretohet nga ty”.

Unë ju përgjigjem, është një këngë shumë e bukur por është e konceptuar për kor dhe vërtet ishtë një këngë e cila mund të bëhej një korale intime por nuk përbën atë plotësinë e gërshetimit shpirtëror duke arritur në një apoteozë të veprës së Nënë Terezës. Atëherë më lindi ideja duke marrë leje nga familjarët e kompozitorit Lorenc Antoni nëse ne mundeshim që këtë këngë ta transformonim në një himn. Përgjigja ishte pozitive dhe më tej në bashkëpunim gjithmonë me Gencin, ai shkroi një muzikë shumë të bukur mbi këto vargje dhe ngadalë ngadalë ky projekt mori rrugë. Një rrugë e gjatë derisa shkuam në koncertin historik në katedralen e Prishtinës dhe duke marrë ato emocionet e para, por deri në atë moment ne nuk e dinim që do zyrtarizohej shenjtërimi i Nënë Terëzës. Ka një rrugëtim shumë të bukur kjo këngë, ka një rrugëtim me një energji që vetëm Nënë Tereza mund të na e dërgojë. Prandaj them që është i jashtëzakonshëm dhe i zakonshëm në të njëjtën kohë. Duke ditur që ne po i shërbnim veprës së Nënë Tërëzës ajo na e shpërbleu duke e bërë të mundur që artistët shqiptarë të përfaqësojnë kombin në vigjilje të shenjtërimit të Nënë Terezës në Vatikan.

-A është përcaktuar se cilët do të jenë artistët shqiptarë në këtë koncert?

 

6- Mendoj që është akoma në fazën e seleksionimit të artistëve, pretendohet që të marrim artistët më të shquar shqiptarë por këtë do ia lëmë kohës. Ajo që mua më përket, unë jam shumë e lumtur që të interpretoj Himnin e Nënë Terëzës në këtë event.

Karriera juaj vijon dhe tani pas Tiranës ju pret opera e Beogradit. Emocion, kureshtje aq më tepër se po ecni në gjurmët e Tefta Tashko Koços që ka prezantuar gjithnjë elitën e traditës!

7- Opera e Beogradit është një teatër i cili ka një histori shumë të madhe, vetë godina e teatrit është në stilin e operas së Vjenës, Zyrihut apo Zagrebit, pra duket që arti atje ka patur një traditë e cila ka parë të kalojnë artistët më të mëdhënj botërorë që kanë interpretuar në këtë teatër.  Duke u zhveshur nga çdo lloj paragjykimi për të qënë në Beograd dhe duke qënë se unë bej një tur internacional kudo në botë mendova që një përfaqësim me një rol që unë e kam kënduar në gjithë botën do të ishte shumë mirë për imazhin tim si artiste dhe për imazhin e një marrëdhënieje historike. Unë shkoj si artiste dhe dua të vlerësohem si artiste dhe të jem pjesë e kompanisë. Artisti ka lirinë për të shprehur artin e tij kudo që të jetë. Ky është imazhi dhe mesazhi më i mirë që mund të japi një artist.

Jam shumë e lumtur që shkoj në një teatër ku 71 vite më parë e madhja Tefta Tashko Koço ka kënduar pikërisht La Boheme. Kjo përbën histori. Unë këndoj për herë të parë në këtë teatër në periudhën postkomuniste. Mund të imagjinoni gjithë historinë e Shqipërisë në raport me Ish Jugosllavinë dhe sot në marrëdhënie me Serbinë. Janë dy gjëra që nuk i ngjasin njëra-tjetrës, por ajo që ngjet nuk e di pse, është vepra që është e njëjta.

-A beson Inva Mula në koincidenca apo në energji të caktuara. Sa e kane ndihmuar dhe sa e kanë ndikuar ato këtë projekt dhe  në tërësi karrierën e Inva Mulës?

8-Unë nuk besoj që janë koincidenca, ne jemi pjesë e një rrjedhje të lirë të ngjarjeve dhe veprojmë me zgjedhjet tona. Zgjedhja jonë është e lirë në atë që ne na jepet, por kushtet dhe rrethanat përcaktojnë deri diku zgjedhjet tona. Ajo që mua më befason në jetë, është kur ndodhin disa gjëra të cilat ti nuk i ke menduar dhe kur ndodhin ti mendon se janë të zakonshme. Do t’ju tregoj një histori shumë të bukur e cila lidhet prapë me Nënë Terëzën dhe më nxit një pyetje në veten time që gjërat kanë një zgjidhje diku tjetër dhe ne edhe me zgjedhjen tonë të lirë nuk jemi në gjendje që ti përcaktojmë.

Një ditë para koncertit në Prishtinë që ishte data 4 Shtator unë këndoja në Palais des Festival në Kanë një koncert recital shumë të vështirë më veprat e Verdit dhe Gounosë që lidhej me jetën e Shekspirit. Pra ishte një koncert shumë i vështirë dhe do të jepej në Kanë me datën 4 dhe me datën 6 do të jepej në Berlin. Koncerti i Prishtinës ishte me datën 5, data nuk mund të ndërrohej dhe unë që në fillim thoja, po si ka mundësi, unë mund të këndoj, nuk do mundem dot ta përballoj. Jo vetëm të ruajtjes së zërit, zëri konsumohet gjatë një shfaqje të vështirë.  Pra fizikisht ishte gati e pamundur. Pas mbarimit të koncertit të Kanës duke patur dhe atë dëshirën që ti lë rezerva vetes për tu shlodhur po mendoja, duhet të zgjohem në katër të mëngjesit (ishte ora 12.00 e natës)  për të marrë një avion për në Vjenë e nga aty për të ndërruar avionin për në Prishtinë, të bëj prova, të bëj koncertin dhe pa fjetur të shkoj në Shkup të marr një avion që në orën 8 të mëngjesit të isha në Berlin për të bërë prova dhe për të bërë koncertin në darkë.

Dmth vetëm si program për ta shkruar në letër ishte shumë I lodhshëm, nuk e arrija dot. Sidoqoftë u përgatita psikologjikisht që duhet ta bëj, s’kam rrugedalje tjetër dhe në momentin që unë përgatitesha për të marrë avionin për të shkuar në Prishtinë më vjen lajmi që koncerti i Berlinit anullohet. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë, të anullohet një koncert në Gjermani. Kush ishte arsyeja?! Arsyeja ishte, meqë koncerti ishte jashtë me 10 mijë spektatorë parashikohej që do ishte një stuhi shumë e madhe dhe siguracioni nuk e merrte përsipër që publiku të ishte në kushte të mira sigurie dhe duhej anulluar koncerti. Mund të imagjinoni dot çfarë fuqie pati Nënë Tereza që më bën të anulloj koncertin e Berlinit dhe unë ti dedikohem koncertit të Prishtinës. Kjo është një nga gjërat më të çuditshme, atëherë do flasim për koincidenca?!!

NO COMMENTS

Leave a Reply