Saturday , October 20 2018
Home / Intervista / EKSKLUZIVE/ Haxhi Maqellara intervistë për portalin DibraIme

EKSKLUZIVE/ Haxhi Maqellara intervistë për portalin DibraIme

ntervistoi: Arsim Kolari

Haxhi Maqellarën të gjithë e njohim si një figurë të shquar dhe të spikatur të historisë së muzikës së pastër shqipe. Veprimtaria artistike më e shkëlqyer e tij, pasqyron periudhën e viteve të ’80-ta, kur lëvizja kombëtare kishte marrë hov për çlirimin e Kosovës, prandaj dhe motivi patriotik merr me këngët e tij një tingëllim kushtrues e aktual. Nga ana tjetër, në repertuarin e tij gjeti shprehje atmosfera e dasmës dibrane, përshkrimi I dashurisë rinore, mbi të gjitha malli I mërgimtarëve. Haxhiu, me veprimtarinë e tij artistike, konsiderohet themeluesi I një rryme të re muzikore, e cila sot e kurdoherë gjen vend në vatrat arbërore. Kohët e fundit disi i ka munguar skenës sonë, ndaj për të folur rreth karrierës dhe jetës së tij, ju ftojmë të lexoni këtë intervistë …

Dibraime.com: Ç’ përshtypje ruani nga fëmijëria juaj ?

Haxhi Maqellara: Si fëmi i vogël këndoja shpesh nëpër shtëpi, ndërsa për herë të parë kam kënduar në sallën e kinemasë së vjetër të Dibrës, në moshën 7 vjeçare. Mësuesi im i parë, i ndjeri, Skënder Daci, më mori nga fusha e Udovës dhe më çoi drejt e në sallë. Ka qenë një emocion i jashtëzakonshëm, sepse për herë të parë këndoja para publikut. E kam thënë edhe në një intervistë tjetër: njeriu përmes kujtimeve, kujton të kaluarën e tij të pakthyeshme. Si fëmijëria, ashtu edhe rinia, për njeriun janë pjesë e paharruar e jetës së tij. Fëmijëria jonë ishte shumë më e mirë se kjo e sodit, edhe pse na mungonin lodrat.

Dibraime.com: Na thoni, si u kyçët në ansamblin “Liman Kaba” dhe mëpas në “Ibe Palikuqi”?

Haxhi Maqellara:  Në Sh.K.A. “Liman Kaba” jam antarësuar në vitin 1968, ku isha anëtari më i ri i kësaj shoqërie në atë kohë. Ndërsa, në Sh.K.A. “Ibe Palikuqi” të Shkupit, në vitin 1982. Jam krenar për të dy shoqëritë, sepse në të dyja kam lënë gjurmë si këngëtar, kompozitor e koreograf.

Dibraime.com: Në të vërtetë, ishin vite të arta ato kur i këndonit Dibrës dhe Kosovës me mall ?

Haxhi Maqellara: Ishin me të vërtetë të arta, të tilla do të mbeten, sepse janë të papërsëritshme…

Dibraime.com: Nëse do t’ju pyes për të dyja kohët, cilën do të zgjidhnit ?

Haxhi Maqellara: Patjetër që do të zgjidhja kohën time, sepse këndonim me shpirt dhe zemër, edhe pse e kishim të ndaluar. Ne ngritëm popullin në këmbë përmes këngëve patriotike që i këndonim.

Dibraime.com: Bashkëpunëtorët tuaj!…

Haxhi Maqellara: Janë shumë  dhe do të kem edhe më shumë. Nuk do të ndalem deri sa të vdes. Jam krenar që kam bashkëpunuar me kompozitorët më të mëdhenj shqiptar, që nga i ndjeri dhe i madhi Musa Piperku, Fahri Beqiri, Edi Balili, Përparim Tomçini, Sajmir Çili, Edmond Zhulali, e të tjerë, duke mos harruar dhe mësuesin tim të parë të muzikës, zotëri Atli Qormemetin. Gjithashtu, dua të përmend edhe poetët Jorgo Papingji, Agim Doçi, e të tjerë.

Dibraime.com: A mbani mend ndonjë moment të veçantë nga jeta dhe publiku ?

Haxhi Maqellara: Kam shumë momente të bukura gjatë koncerteve të mija në Kosovën “martire”. Sallat e sporteve mbusheshin plot e përplot, ndërsa mua më duhej që me përcjelljen e 6 policëve të futem në sallë. Të paharruara do më mbeten, sidomos koncertet në Prishtinë, Pejë, e veçmas në Gjakovë.

Dibraime.com: Jeni edhe kantautor. Na thoni cilat këngë I keni punuar personalisht ?

Haxhi Maqellara: Tekstin dhe muzikën e hitit shekullor “Lulkuqja e Gjakovës”, e kam shkruar unë. Po ashtu, “Nusja e maleve kreshnike”, është “Kënga e Shotë Galicës” dhe “Kaçanikut i raftë pika”. Që të gjitha kanë tekstin dhe muzikën time, pa harruar këtu këngën e kurbetit, “Më ka marrë malli për nanën time” apo siç njihet në publik “Seç m’u dogj kjo zemër e shkreta” dhe “Malli për Dibrën time”, kushtuar qytetit të lindjes.

Dibraime.com: Keni mall për Dibrën ?

Haxhi Maqellara: E kush nuk ka mall për vendlindjen? Mallin për Dibrën e kam pasqyruar edhe në këngën e sipërpërmendur.

Dibraime.com: Si ju duket fakti që po ju interviston një i ri si unë ?

Haxhi Maqellara: Fakti që ju po më intervistoni, tregon se populli ynë ka vlera të pamohueshme edhe tek brezi i ri. Këto vlera i keni edhe ju dhe unë, sinqerisht ju përgëzoj për këtë.

Dibraime.com: Nga artistët e kohës sonë, cilin do veçonit ?

Haxhi Maqellara: Do veçoja miken time të ngushtë Shkurte Fejzën, Arif Vladin, Vera Laçin e Lirie Rashën. Kuptohet, dhe shumë këngëtarë të tjerë nga Shqipëria dhe Kosova, por këta janë të preferuarit e mi.

Dibraime.com: Fjala juaj për këngën dibrane ?

Haxhi Maqellara: Fatmirësisht, kënga dibrane mbetet e njëjtë dhe unike. Nuk ka ndryshuar dhe besoj se nuk do ndryshojë…

Dibraime.com: Si e shpjegoni faktin që në vlerat artistike janë bërë shumë “goditje” ?

Haxhi Maqellara: Në vlerat artistike janë bërë goditje të rënda dhe të pafalshme. Sidomos nga pseudo këngëtaret, të cilat gjysëm lakuriq na servirin videoklipe me këngë, të cilat vetëm shqip nuk janë! Ekonomia e tregut ka bërë punën e vet.

Dibraime.com: Si lindi ideja për realizimin e këngës kushtuar Rekës?

Haxhi Maqellara:   Ideja për realizimin e këngës “Unë jam Zot mbi këtë dhe”, kushtuar shqiptarëve të Rekës, lindi nga dibrani Fanol Cami, që jeton në Çikago. Ai, në bashkëpunim me vëllezërit Mentor e Gazmend Lleshi,Ylber Pilku, Agim Lleshi, Salaudin Erbeli dhe unë kontribuuam në aspektin financiar. Për tekstin e këngës u përkujdes mjeshtri i pendës Agim Doçi, ndërkaq muzika dhe orkestrimi u bë nga i madhi Edmond Zhulali.

Dibraime.com: Jeni në pregaditje të ndonjë projekti të ri ?

Haxhi Maqellara: Të jem i sinqertë, nuk kam ndonjë projekt, përveç albumit të dytë me 10 këngë të vjetra dibrane…

Dibraime.com: Haxhi, ju falenderoj që pranuat të jemi bashkë në këtë intervistë,më keni nderuar. Ju uroj mbi të gjitha shëndetin, e mëpas suksese e mbarësi, ashtu siç e keni traditë…

Haxhi Maqellara: Gjithashtu, pata kënaqësinë… Të fala vëllazërore, sinqerisht Haxhiu! /DibraIme.com/ Arsim Kolari

Check Also

Shezai Rrokaj: Reforma në drejtesi u deformua nga maxhoranca

Deputeti i LSI, Shezai Rrokaj në një intervistë për InTv deklaron se institucionet e reja të …

Komentoni

%d bloggers like this: