Ylber Pilku dhe frymëzimi i atyre që sakrifikuan gjithshka që kishin, për Shqipërinë dhe për Dibrën

0
1085

Zoti Pilku, sot po kremtohet 103 – vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, ju si veprimtar i dalluar në komunitet, me kontribut financiar për çështjen kombëtare, a mund të na tregoni diçka nga historia e familjes suaj?

E kam shumë të vështirë të flas unë për familjen time, sepse u takon të tjerëve të flasin për mua – do të thoja se gjithçka, është e lidhur me familjen dhe atdheun . Familja e gjerë Pilku është një fis i nderuar në Dibër, dhe më gjerë, e dalluar për veprimtari atdhetare dhe patriotike.

Këtë veprimtari patriotike të parët e mi e nisën me gjashtë vëllezërit : Mehmeti, Mahmuti, Sadiku, Ramizi, Nazifi dhe Sali Pilku, të cilët ishin delegatë në Kongresin e Manastirit, ku u vulos fati dhe mbarësia e gjuhës shqipe. Një fotografi të tyre, unë e mbaj si frymëzim në zyrën e punës time për t’i treguar fëmijëve të mi dhe të gjithë pasardhësve tanë se ata janë krenaria kombëtare dhe familjare.

Do të kujtoja me këtë rast se mes këtyre kolosëve të familjes Pilku, dallohet edhe Jashar Pilku, pikërisht babai im – mentori im dhe i familjes Pilku pa të cilin edhe historia e fisit Pilku nuk do të ishte e plotë. Historia e babait tim – Jasharit, si një patriot dhe atdhetar i devotshëm dibran – është e njohur në mesin e dibranëve të vjetër. Babai im ishte një djalosh i kalitur në frymën kombëtare, edhe pse ai u rrit jetim që nga mosha 5- vjeçare, kur i kishte vdekur babai i tij. Ai po rritej në frymën atdhetare duke njohur edhe veprimtarinë e babait të tij si një atdhetar dhe zogist.

pilkhist.Jashari simbas atyre që e njohën u kyç në radhët e xhandarmërisë shqiptare dhe punoi për vendosjen e rendit dhe qetësisë në ato vite të hershme.

Në kohën e Italisë, ai punonte në magazinat qendrore në Tiranë. Kjo ishte një mundësi që ai të solidarizohet me vendlindjen e tij, duke e furnizuar me të gjitha nevojat e domosdoshme, që kërkoheshin atë kohë. Jashari ishte një burrë i devotshëm dhe fjalë urtë që gjithmonë u përcollën edhe tek gjashtë fëmijët e tij: tek unë, Fatmiri, Besniku, Xhaferi, Asllani dhe Fitimi.

Mirëpo, do të cekja me këtë rast se ne jemi edhe nipërit e fisit më të shquar dibran, fisit të Qokut të Iljaz Pashës dhe Xhemal Pashës në Klloboçishte të Maqellarës, pasardhëse e fisit më të vjetër e me zë të Gropajve, që njihet edhe gjenerali famëmadh i Skënderbeut, Zaharija Gropa, simbas hulumtuesve të historisë së familjeve të mëdha dibrane.

Unë me familjen time – bashkëshorten Vjollcën dhe tre fëmijët, dy djem dhe një vajzë – gjithçka, ia kemi kushtuar në këtë jetë familjes dhe atdheut tone. Edhe ne, si të gjithë shqiptarët, që jetojmë jashtë, po punojmë për të mbajtur familjen dhe për të kontribuar për kombin tonë. Shpresojmë, që gjithë së bashku ta bëjmë Shqipërinë, së bashku me Kosovën dhe trojet tona etnike.

 

Cila është historia e arratisjes suaj dhe ardhja në Amerikë?

Unë sikur gjithë dibranët, duke parë situatën e terrorit të asaj – që dikur quhej “Jugosllavi”, presionet dhe mungesën e perspektivës në vendlindje u detyrova të marr rrugën e kurbetit. Shkollimin e detyruar e kreva në vendlindjen time në Dibër, por duke pasur parasysh faktin se origjina ime si e përmenda më lart, vjen nga një familje atdhetare dhe me të kaluar që nuk i konvenonte sistemit dhe regjimit sllavo-komunist, nuk kishte alternativë tjetër pos rrugëtimit drejt lirisë, vendit kampion të lirisë dhe demokracisë SHBA-ve, vendit ku emigrantët realizojnë ëndrrat e tyre. Largimi ishte i dhimbshëm, pasi që sikur gjithë të rinjtë e shumtë dibranë – ndaheshin me vështirësi, dhe lot dhimbje – se po ndaheshim me familjen dhe Dibrën legjendare, ku u rritëm, u formësuam dhe kaluam një periudhë të bukur të jetës, tonë.

Më 4 janar 1988, kam shkelur për herë të parë tokën amerikane dhe u vendosa në Nju Jork. Vitet e para të fillimit të jetës – si çdo bashkatdhetar në mërgim, ishin të vështira dhe me shumë peripeci. Por, me zgjuarsi, mund dhe djersë, dhe traditën e trashëguar, ndihmën e miqve dhe shokëve, anëtarëve të familjes së ardhur para meje e fillova angazhimin tim në biznes, për të qenë i sukseshëm.

Zgjodha – lëminë e ndërtimit, mbasi ishte me preferenca më të mëdha në atë kohë dhe një biznes fitimprurës dhe një biznes që kishin bërë shumë dibranë të suksesshëm, aty ku unë dhe familja ime gjetëm veten edhe me ndihmën e Zotit jemi bërë të suksesshëm . Mbas tre viteve që erdha në SHBA ngrita kompaninë time, të cilën e mbanim së bashku me bashkëshorten time Vjollcën, me të cilën lidhet jo vetëm jeta ime por edhe çdo sukses në familjen tone, duke filluar nga një familje e shëndoshë por edhe e suksesshme. Së bashku kemi një kompani të ndërtimit e cila për çdo vit shënon suksese dhe rezultate shembullore. Për shumë vite kompania jonë “Pilku Construction”, e specializuar për skelet e të gjitha madhësive, u bë kompani lidere në ato pjesë të shteteve amerikane.

Edhe sot biznesi i ynë shtrihet në Nju Jork, Nju Xhersi dhe shtete të tjera. Ajo që e dallon “Pilku Construction”, është se kjo në kuadër të biznesit gjithmonë ka mbajtur punëtorë nga atdheu dhe vendlindja. Përveç kësaj, “Pilku Construction”, ka ndihmuar dhe sistemuar disa shqiptarë për të nisur një fillim të mbarë në SHBA, në biznes .

 

Sa i ruani vlerat dhe traditën dibrane, sot në SHBA?

Unë me bashkëshorten time, bijë nga fisi Marku me familjen jemi tejmase të lidhur dhe këtë e kemi parë si pjesë e pandashme e jetës dhe punës së përditshme. Të gjithë bashkërisht jemi të angazhuar në kompaninë e tonë, e cila manaxhohet tani nga djali im Valoni, dhe Vjollca, dhe vajza Blerona. Vjollca – është një kontribuuese e madhe në sukseset e biznesit “Pilku Construction”. Ajo ishte gjithnjë përkrah meje dhe ishte shtytje për të gjitha rezultatet dhe të mirat që gëzojmë së bashku sot me një familje tipike dhe me vlera dibrane.

Madje, Valoni edhe pse është rreth 25 vjeç, ai drejton dhe menaxhon kompaninë dhe biznesin. Djali tjetër Atdheu është i përkushtuar pas jetës universitare, ku po studion mjekësinë si një student i shkëlqyer. Ndërsa vajza Blerona, që ka mbaruar studimet e larta, gjithashtu është e përfshirë në punët e kompanisë së familjes Pilku.

Ky biznes është i ngritur nga duart e mi por udhëhiqet dhe menaxhohet me sukses nga familja. Kjo ka bërë që pas shumë vjet punë – tani gjejë kohë më shumë për të pushuar, apo për t`iu përkushtuar punëve të tjera që me shumë sukses të vijoj punët e trashëgimtarëve të familjes Pilku.

 

Cili është humanizmi dhe kontributi i juaj në SHBA ?

Gjithmonë jam prirur si familje nga ajo që kur dikush të shtrinë dorën – duhet ndihmuar. Kjo më ka bërë që të mos hezitoj ndaj atyre që ta shtrijnë dorën – njerëzve me halle dhe nevoja të domosdoshme. Dhe shembull e frymëzim për këtë ne shqiptarët kemi Nënën e madhe – Nëna Terezen, Nënën e gjithë botës, që duhet të marrim shembull të gjithë. Nëse kemi mundësi të ndihmojmë, pse të mos e bëjmë.

Për këtë, rasti më i fundit i imi human, ka qenë ai për një djalë të sëmurë nga Dibra në Francë si dhe ai për të ndihmuar një familje të varfër dibrane në Peshkopi të Shqipërisë, dy vjet më parë.
Unë me kompaninë time kam qenë edhe një kontribues për artin, kulturën, median dhe shumë evenimente e vepra kombëtare.

Kam qenë një kontribuues për luftën e UÇK-së në Kosovë, por më shumë për luftën e UÇK-së në Maqedoni, ku kam derdhur shuma të mëdha dollarësh, për të cilat nuk do t`i bëj publike, sepse është vepër kombëtare. Pas kësaj periudhe, kam qenë një nga bashkorganizatorët dhe kontribuuesit e shumë demonstratave dhe protestave të shqiptarëve para OKB-së në Nju Jork, para administratës amerikane në Uashington dhe aktivitete tjera. Kam qenë edhe nismëtar për unifikimin e faktorit politik shqiptar në Maqedoni, por fatkeqësisht asnjëherë kjo përpjekje nuk u arrit që të bëhet një unifikim dhe një fuqi e subjektit politik shqiptar.

Nuk mundem të le pa permendur me këtë rast edhe kontributin tim dhe familjes time për mbështetjen e manifestimit të 100 – vjetorit të Kryengritjes së Përgjithshme të Dibrës kundër pushtuesve serbë dhe eksodit të parë masiv dibran. Kjo ngjarje u përkujtua në shtatorin e 2013 në Shqipëri me dy aktivitete të rëndësishme në Tiranë dhe Dibër.

Zoti Pilku, për herë të parë qytetin e Brooklynit, ku jetojnë rreth 30 mijë shqiptarë, me rastin e 103 vjetorit të Ditës së Flamurit e keni hijeshur me flamurin kur e zi duke i bërë edhe më krenarë shqiptarët e Amerikës, për këtë ditë shënuar.

Me thënë të vërtetën e kam pasur ëndërr që një ditë, ta shikoja Kosovën e pavarur dhe Nju Jorkun kryeqendrën e shqiptarëve të Amerikës, andaj vendosa me gjithë familjen time me shpenzimet e mija ta vendos së bashku me organizatën Rrënjët Shqiptare flamurin kuq e zi në disa rrugë të Brooklynit, qytetit i 3 milion banorëve, të dukemi edhe më krenarë që jemi shqiptarë dhe një falënderim për këtë vend, Amerikën, atdheun e dytë, të cilit i jemi mirënjohës për që ka bërë aq shumë për ne kombin shqiptar dhe që na jep mundësinë të ngrejmë flamurin kuq e zi.

Së fundi duke pasur parasysh atë ëndrrën tuaj për Dibrën – kur e latë atë, duke menduar se se një ditë ajo të ishte e lulëzur si e shihni atë sot?

Kur e shikoj Dibrën, qytetin tim të zemrës të cilin e vizitoj për çdo vjet në ketë gjendje që është, sot, ku dibranët po e braktisin për ditë – më më më vjen shumë keq.

Shiko se sa të shqetësuar janë dibranët e Amerikës, për atë që ata e quajnë “skandalin në komunën e Dibrës”, i cili ka të bëjë me skenarin e tjetërsimit të varrezave autoktone shqiptare në varreza otomane. Kjo po realizohet përmes një rrethimi me gardh e me hekura dhe vendosjen në hyrje të saj të një një porte të madhe me pllakën me mbishkrimin “Varreza Otomane”, e cila është sponsorizuar nga një projekt me agjencinë turke për zhvillim “TIKA”, dhe natyrisht edhe pëlqimin e kryetarit të komunës, Ruzhdi Lata.

 

Varret e Dibrës nuk mundet të jenë kurrë të turqëve, ato janë të dibranëve. Lind pyetja: ku janë varrosur dibranët – që e luftuan pushtimin otoman?

Më duhet të citoj një mikun tim në Florida për këtë rast ku ai thotë se “po preket në mënyrë flagrante dinjiteti dhe krenaria dibrane, historia e këtij qyteti, që ka bërë histori madje dhe në faqet e historisë sonë kombëtare. Dhe, kjo fatkeqësisht – po bëhet nga disa personalitete, që nuk u takon të merren me me këto çështje, mbasi ajo është një çështje, që u takon të merren vetëm historianët e kualifikuar “.

Ajo çka po ndodh sot me varret e vjetra të dibranëve në qytetin e Dibrës, po bëhet nga njerëz, të cilët po i shkojnë deri në fund asaj, që të mposhtin Dibrën historike, si një qytet që ka një vend të rëndësishëm edhe në historin tonë kombëtare, vendin ku kanë lindur në realitet dhe kan vdekur ose jetojnë, ata burra, që kanë punuar me pushkë dhe pendë për këtë vend – duke mos kursyer as veten, pasuritë e tyre – as jetën e fëmijëve të tyre , për Shqipërinë dhe për Dibrën. (Illyria)

IMG_5429Ylber, Aslan,Fitim,Fatmir,Xhafer dhe Besnik

bel4 bel6 bel5 bel3 bel2 bel7 bel1

 

 

NO COMMENTS

Leave a Reply