Tuesday , October 23 2018
Home / Lajme nga Dibra / Varrezat e Dibrës trazuan shpirtërat e gjallë e të vdekur

Varrezat e Dibrës trazuan shpirtërat e gjallë e të vdekur

Tjetërsimi i varrezave autoktone shqiptare në Dibër ka trazuar shpirtërat në këtë qytet.

“Në qoftë se Ruzhdi Lata mori guximin dhe këto varre tona i emërtoi si varreza osmane, atëherë meqë kemi një shekull nga pushtimi dhe administrimi qendror sllav, atëherë ky mund të na shpikë pastaj varre sllave apo djallëzi tjera”, thotë Jakup Marku, këshilltar i pavarur komunal në Dibër dhe njeriu më i zëshëm dhe guxishëm që godet të keqen që ka mbuluar Dibrën.

Kjo qytezë historike shqiptare e shumë vlerave dhe traditës së bujshme në arsim, kulturë dhe sfera të ndryshme, sot është tkurrur dhe e mbuluar nga një hije e zezë, nga e keqja dhe heshtja me drithërima.

Banorët janë të frikësuar të flasin dhe kur i dëgjon arsyet e tyre të vjen një ndjenjë turpërimi të brendshëm shpirtëror. Mbërritëm në ora 09.00 në këtë qytetë të boshatisur me rrugët dhe kafenetë gjysmë të zbrazura.

Dhe destinacioni ynë i parë ishin varrezat, dhe sapo shkuam pranë tyre për të parë pllakën shpifëse me mbishkrimin  “Varrezat otomane”, miqtë e mi më informuan menjëherë se argatët e pushtetit të komunës kishin rënë në gjurmët tona dhe plani i tyre ishte që të na gostisin dhe të na inskenojnë të vërtetën e tyre djallëzore me varret autoktone shqiptare dibrane.

Dhe pas shkrepjeve të fotografive, duke braktisur varrezat, në një moment kaloi protagonisti kryesor i këtij tjetërsimi, pra kush tjetër pos kryetarit të komunës Ruzhdi Lata, kryetari apo “babëziu” i qytetit të kapur, siç e quajnë kundërshtarët e tij të heshtur.

Duke vajtur tek makina jonë, lëvizi me shpejtësi Lata si shofer i makinës së tij zyrtare “Touareg” i tipit të fundit.

Marku: Janë varrezat tona, ta dij Lata se nuk heqim dorë

Jakup Marku thotë se varrezat janë ‘puro’ shqiptare dhe s’ka kush i tjetërson. Sipas tij kjo lojë e çmendurisë së Ruzhdi Latës do të përfundojë dhe drejtësia do të sfidojë këtë të keqe.

“Në këto varreza deri pas luftës së dytë botërore këtu janë varrosur qytetarët dibran. Meqë janë mbushur hapësirat e varrezave dhe pas luftës së dytë varrezat e reja kaluan në pjesën tjetër të qytetit. Sot e kësaj dite, qytetarët dibran i thonë varrezat e vjetra të Dibrës. Këtu kanë qenë varrezat e Sait Najdeni, dhe pas viteve të 90-ta u transferuan në varrezat e reja të qytetit, ku u vendos një pllakë përkujtimore. Atëherë ia shtrojmë një pyetje Latës, se ku janë varrosur dibranët, apo ku janë varret tjera të Dibrës, gjatë shekujve apo viteve të kaluara. Shumë familje kanë varreza dibrane që i dijnë me emra e mbiemra”, theksoi për INA, Jakup Marku.

Ai thotë se projektet e tilla gjithmonë kanë pasur interesin material dhe idetë djallëzore për riotomanizimin e trojeve shqiptare.

Marku thotë se do ta ngris këtë çështje në të gjitha nivelet institucionale dhe ndërkombëtare.

“Pas kësaj do të ngrejmë këtë çështje edhe në nivele të tjera, përfshirë edhe aktakuzë për të hetuar se çfarë në të vërtetë po ndodhë me këtë skenarë apo planifikim antiqytetarë dhe diskriminues. Duke shkuar edhe deri tek gjykata më e lartë ajo Kushtetuese. Në mbledhjen e ardhshme të këshillit do të kërkojë që të diskutohet dhe të ngritet kjo çështje”, thekson këshilltari i pavarur, Jakup Marku. Sipas tij, vetë veprat që i bënë ky hoxhë në qytetin e Dibrës, atëherë del se është interes serb dhe interesa otomane, për shkak se ai ka përkrahjen edhe të partive turke.

“Në qoftë se do të refuzohet kjo, unë do të ndërmarrë aktivitete të sensibilizimit dhe udhëheqjes së grupimit qytetarë, për të sensibilizuar Dibrën, me kërkesën për shkarkimin e tij, duke respektuar të gjitha procedurat ligjore”, rrëfen me bindje të plotë, Jakup Marku.

Dibranët heshtin, por të revoltuar 

Shumica e dibranëve nuk duan të flasin për këtë temë. Një pjesë e tyre edhe pse paraprakisht përmes linjave të telefonit pranonin se do të flisnin dhe dëshmonin se katragjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre janë të varrosur aty, më pas mbyllnin telefonat, apo refuzonin.

Një protagonist i tillë ishte edhe një plak 90 vjeçar, dëshmitarë kyç i gjithë dëshmive, që vërtetonin se babai i tyre ishte i varrosur në varrezat e vjetra të Dibrës.

“Edhe pse pranoi para 1 orë të flas, tani nuk do dhe nuk hap derën e shtëpisë. Dhe pas insistimit tonë, na erdhi përgjigja se nuk dëshiron të flas se nipin me fakultet të kryer e kishte të papunë dhe se mund të pësonin dhe ta dëmtonin për të mos u punësuar kurrë”, na tha shoqëruesi ynë në këtë rrugëtim me rrëfime rrënqethëse dhe ishte vërshtirë të besoje se kjo është Dibra, siç e kishim njohur më përpara.

Ishin edhe shumë protagonistë të tjerë dibran, që nuk donin të flisnin të vërtetën e historisë së tyre dhe varret e baballarëve të tyre.

“Është e çuditshme të ndodhë kjo në Dibër, por kështu janë bërë njerëzit. Frikësohen nga ky pushtet poshtërues, që është hakmarrës dhe me pasoja, dhe si i tillë perceptohet nga shumë dibran në këtë qytet të boshatisur”, thotë një dibran në moshë që na u prezantua me emrin Musai.

Por i palëkundur dhe bindës për të thënë të vërtetën e varrezave dhe të familjes së tij ishte Remzi Jegeni, me profesionin e kontabilistit, i cili në bisedën për INA zbardh me detaje gjithë historinë e familjes dhe varret e tyre në varrezat e vjetra të qytetit.

“Ato varre janë tonat, sepse aty kam gjithë familjen. E tërë familja ime Jegeni është e varrosur aty. Dibra s’ka pas turq. Në Maqedoni turqi ska, ky mund të jetë në numër të vogël. Përndryshe këto që janë regjistru, turq ska.  Tre breza kanë qenë aty të varrosur. Katragjyshi Zenel Jegeni, gjyshi Sefedin Jegeni, gjyshja Emine Kuriu Jegeni. Ka edhe nga familja Opre dhe shumë familje tjetër. Ato që pretendon kryetari është një pakicë, që smund të thomi edhe si përqindje. Familja Oboku dhe shumë familje të tjera Kërluku, Vërlaku. Ka pasur shumë varreza”, rrëfen për INA, Remzi Jegeni.

Dibranët thonë se varrezat e vjetra kanë qenë edhe në pjesën ku sot është rruga apo hapësirat e tjera përballë pjesës së mbetur të varrezave që sot po planifikohen të tjetërsohen. Dibranët në heshtje duan më shumë sqarime dhe duan anulimin urgjent të këtij skenari që ka interesa të rrezikshme për këtë vatër tradicionale të atdhetarizmit.

“Kur Tirana nuk ekzistonte apo kishte një pakicë banorët, Dibra kishte mijëra banorë. Apo perfektura e njohur e Dibrës, që ishte me mbi 40 mijë banorë, si një vendbanimet më të banuara. Ne si dibran jemi gjithandej dhe nuk duhet të heshtim. Duhet të ngritemi në këmbë kudo që jemi, të protesojmë dhe të parandalojmë këtë akt gjenocidal dhe asgjësues, që bëhet për interesa të ndryshme”, thonë një mërgimtarë dibran që kishte ardhur nga Amerika.

E lam Dibrën pak pa rënë terri i mbrëmjes, ku në dalje përkujdeseshin dy patrulla policie me policë të shpërndarë në të dy anët e rrugës. (N.P/INA)

 

S’KA KOMENTE

PËRGJIGJU

 

 

Check Also

Kryetar i Këshillit Shqiptar Amerikan për vizitë në Dibër

Dje në Komunën e Dibrës për vizitë ishte veprimtari i njohur nga SHBA, zoti Haxhi …

Komentoni

%d bloggers like this: