Tuesday , November 13 2018
Home / Intervista / GËZIM ALPION – NE SHQIPTARËT DUHET TË LOBOJMË PRANË VATIKANIT PËR SHENJTËRIMIN E NËNË TEREZËS (Intervistë)

GËZIM ALPION – NE SHQIPTARËT DUHET TË LOBOJMË PRANË VATIKANIT PËR SHENJTËRIMIN E NËNË TEREZËS (Intervistë)

GËZIM ALPION – NE SHQIPTARËT DUHET TË LOBOJMË PRANË VATIKANIT PËR SHENJTËRIMIN E NËNË TEREZËS (Intervistë)

E Martë, 11.11.2014, 09:11am (GMT+1)


 Studiuesi thekson se çështja nuk qëndron në përvetësimin me çdo kusht ekskluziv te figurës së Nënë Terezës, ikonës së humanizmit, sepse ajo na përket neve, shqiptareve po aq sa edhe botës

“Vizionarja fetare Nënë Tereza bëhet edhe më shumë ‘e jona’ kur e ndajmë me të tjerët, pa bërë kompromise në lidhje me origjinën e saj të pakontestueshme shqiptare dhe, të frymëzuar nga shembulli i saj, t’u zgjasim dorën të braktisurve duke u kthyer atyre, atë që murgesha shqiptare e quante të shenjtë: dinjitetin njerëzor”.

Kështu shprehet studiuesi Gëzim Alpion në një intervistë për gazetën “Shekulli” mbi kontributin dhe figurën e Nënë Terezës. Ai tregon se, për herë të parë për Nënë Terezën ka lexuar kur ka qenë student në Kajro, në vitet ‘80. Më pas, interesi i tij si studiues ka nisur në prag të lumturimit në vitin 2003, pas sherrit mediatik në Maqedoni, midis sllavo-maqedonase dhe shqiptarëve, në lidhje me përkatësinë e saj.

Studiuesi shprehet se, deri tani fushata për shenjtërimin e Nënë Terezës është përkrahur nga rreth 1700 persona, që janë nga 40 vende të ndryshme. Sipas tij, është me rëndësi që peticionin ta nënshkruajnë më shumë njerëz, sepse nisma të tilla duhen për të zgjidhur çështje të lëna pas dore.

Dr. Alpion, ju jeni marrë për një kohë të gjatë me figurën e Nënë Terezës, keni studiuar veprimtarinë dhe jetën e saj, po ashtu keni lobuar fuqishëm për të. Por si ka lindur e gjithë kjo?

Për Nënë Terezën fillova të lexoj për herë të parë kur isha student në Kajro në vitet ‘80. Ndërsa si studiues, interesimi im nisi në prag të lumturimit të saj në vitin 2003, kur filloi ‘sherri’ mediatik në Maqedoni midis sllavo-maqedonasve dhe shqiptarëve, në lidhje me përkatësinë e saj etnike. Pretendimi sllav, veçanërisht nga ana e sllavo-maqedonasve, se Nënë Tereza gjoja nuk është shqiptare nuk synon thjesht ‘përvetësimin’ e një personaliteti të shquar. Mohimi i origjinës etnike të Nënë Terezës duhet parë në kontekstin e strategjisë së vjetër sllave, për të fshirë plotësisht lidhjen e kombit shqiptar me kristianizmin, lidhje që e ka gjenezën që nga koha e apostujve, pra disa shekuj përpara se sllavët paganë filluan të emigronin drejt Ballkanit. Gjatë një vizite në Maqedoni mësova për thënien e një intelektuali sllavo-maqedonas se: “Kur shqiptarët të bëhen të ndërgjegjshëm për traditën e tyre kristiane, pretendimi ynë se ata gjoja kanë ‘ardhur’ në Ballkan në kohën e perandorisë osmane, nuk do të pi më ujë”. Kjo është një nga arsyet kryesore, për mendimin tim, se përse edhe sot, sllavo-maqedonasit refuzojnë ta pranojnë origjinën shqiptare të Nënë Terezës. Kur Gonxhe Bojaxhiu banonte në Shkup, gjuha shqipe nuk lejohej të flitej në publik. Fakti që mesazhi në pllakën përkujtimore që ndodhet në truallin ku ndodhej shtëpia e Nënë Terezës është shkruar në gjuhën angleze dhe atë sllavo-maqedonase, por jo në gjuhën amtare të murgeshës tregon se, edhe pas kaq shumë vitesh dikush në Shkup ka alergji ndaj gjuhës shqipe. Kjo nuk do të thotë se në vitin 2003 isha dakord plotësisht me mënyrën sesi mediet shqiptare e trajtuan këtë çështje. Për mendimin tim, tendenca për t’i veshur Nënë Terezës petkun e heroinës së kombit, ishte dhe mbetet një veprim sa “parokial”, po aq edhe i nxituar. Mënyra se si drejtuesit e politikës shqiptare, dhe për pasojë mediet që ata kanë nën kontroll, e ‘përdorin’ Nënë Terezën, vend dhe pa vend, është një tregues shqetësues hipokrizie dhe patriotizmi sezonal. Ne kërkojmë më çdo kusht ta përvetësojmë ekskluzivisht këtë ikonë të humanizmit, jo se kemi mësuar diçka nga filozofia dhe aktiviteti i saj bamirës, por sepse në një kohë kur ne po përjetojmë një dështim moral kolektiv, Nënë Tereza na bën të ndihemi mirë para botës. Vizionarja fetare Nënë Tereza bëhet edhe më shumë ‘e jona’ kur e ndajmë me të tjerët, pa bërë kompromise në lidhje me origjinën e saj të pakontestueshme shqiptare dhe, të frymëzuar nga shembulli i saj, u zgjasim dorën të braktisurve, duke u kthyer atyre atë që murgesha shqiptare e quante të shenjtë: dinjitetin njerëzor.

Kanë kaluar 11 vjet që nga lumturimi i Nënë Terezës, ndërsa shenjtërimi i saj vazhdon ende të vonohet… Përse mendoni se ndodh kjo?

Ka disa arsye për këtë vonesë. Shkurtimisht mund të them se, vonesa ka të bëjë me faktin që Vatikani, për fat të keq, në thelb akoma mbetet një institucion patriarkal, pavarësisht se numri i murgeshave (800,000) është dy herë më shumë se i priftërinjve (400,000). Mesa duket, kur vjen puna për shenjtërimin, Kisha ka dy radhë: një radhë të shkurtër për burra dhe një radhë shumë më të gjatë për gra. Fakti për dyshimet që Nënë Tereza përjetoi në lidhje me ekzistencën e Zotit dolën në pah sapo filloi procesi i beatifikimit, kjo diktoi që Gjon Pali i II-të tregohej më i ‘kujdesshëm’ në vlerësimin e figurës së saj. Për pasojë, papa polak, i cili ishte kolegu më i ngushtë i murgeshës shqiptare, nuk arriti ta realizojë para se të vdiste shenjtërimin e saj, pavarësisht dëshirës për të dëshmuar mirënjohjen e tij, për shërbimet e Nënë Terezës ndaj Selisë së Shenjtë dhe papatit të tij. Po kështu nuk duhet harruar se aktiviteti bamirës dhe vizioni i Nënë Terezës, nga viti 1950 deri në vitin 1997 në Indi dhe në mbarë botën, pati dhe vazhdon të ketë kundërshtarët e saj në Kishën Katolike. Kjo është edhe një arsye tjetër përse çështja e shenjtërimit të Nënë Terezës ka mbetur në vend.

Çfarë na ngelet ne, shqiptarëve për të bërë për këtë çështje?

Në këto kushte, ajo që ne shqiptarët mund të bëjmë, është të lobojmë pranë Vatikanit në mënyrë që procesi i shenjtërimit të rifillojë. Për fat të keq, Kisha Katolike Shqiptare, tani për tani, nuk është në gjendje të lobojë me intensitetin e Kishës Polake, e cila në sajë të një fushate intensive arriti të realizojë lumturimin dhe shenjtërimin e Gjon Palit të II-të në një kohë rekord. Këto janë disa nga arsyet se, përse pas peticionit pranë qeverisë shqiptare për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, më 14 qershor këtë vit unë fillova një peticion të dytë, që do të jetë edhe peticioni im i fundit si aktivist i shoqërisë civile, këtë radhë drejtuar Vatikanit, për të rifilluar procesin e shenjtërimit të Nënë Terezës. Jam i ndërgjegjshëm se me këtë iniciativë, unë deri diku kam ‘komprometuar’ objektivitetin tim si studiues. Ky është një veprim që e bëra me ndërgjegje të plotë dhe për këtë çështje, ashtu si edhe për Rrugën e Arbrit, do të vazhdoj të loboj me vite po qe se është nevoja. Argumentimi se, nuk duhet lobuar për shenjtërimin e Nënë Terezës pasi Kisha ka rregullat e saj me të cilat nuk duhet të përzihemi, aq më tepër një studiues si unë që nuk është katolik, është sa bajat po aq edhe hipokrit. Unë respektoj çdo besim fetar që predikon ‘common sense’ dhe vlerësoj predispozicionin e Kishës Katolike për të ‘dëgjuar’.

A ka patur shenjtërime të mëparshme përmes peticioneve?

Askush nuk bëhet laureat i Çmimit Nobel pa një lobim të fuqishëm. Kandidatura e Nënë Terezës për Çmimin Nobel për Paqen nuk qe e suksesshme dy herë. Asaj iu akordua Nobeli radhën e tretë si rezultat i një lobimi intensiv në vitin 1979. Kisha Katolike nuk funksionin shumë ndryshe nga komisionet e Çmimit Nobel. Kjo dëshmohet edhe nga rasti që përmenda më sipër në lidhje me angazhimin e lobit polak për të realizuar lumturimin dhe shenjtërimin e Gjon Palin të II-të.

Si ka vijuar peticioni për shenjtërimin e Nënë Terezës? Sa firma janë siguruar deri më tani?

Që të shenjtërohet Nënë Tereza duhet të lobojmë, së pari ne, shqiptarët pavarësisht mos/përkatësive fetare. Deri tani fushata për shenjtërimin e Nënë Terezës është përkrahur nga mbi 1700 vetë, nga më shumë se 40 vende të botës. Disa nga intelektualët dhe priftërinjtë shqiptarë dhe të huaj më kanë shkruar për të ndarë shqetësimin e tyre në lidhje me numrin e nënshkrimeve. Përgjigjja ime është: ndërsa do të jetë mirë që peticionin ta nënshkruajnë më shumë njerëz, rëndësia e kësaj nisme, ashtu si në rastin e Rrugës së Arbrit, nuk qëndron në numrin e nënshkrimeve, por në faktin se fushata të tilla kanë filluar. Këto nisma përcjellin mesazhin e duhur si pranë qeverisë shqiptare (në lidhje me Rrugën e Arbrit) ashtu dhe pranë Vatikanit (për shenjtërimin e Nënë Terezës) se veprime konkrete priten për të zgjidhur çështje të lëna pas dore.

Dihet se Nënë Tereza pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Indi, aty ku edhe njihet më shumë veprimtaria e saj. Por a ka ndonjë vend tjetër që interesohet, po aq sa India për figurën e saj?

Shqiptarja Nënë Tereza me të drejtë e konsideronte Indinë si vendin e saj. Kjo nuk do të thotë se të gjithë indianët e duan Nënë Terezën apo aprovojnë plotësisht filozofinë dhe aktivitetin e saj. Këtë çështje e kam trajtuar në disa nga studimet e mia. E rëndësishme është se një numër i madh indianësh e duan dhe e respektojnë Nënë Terezën për përkushtimin e saj ndaj të varfërve, pavarësisht përkatësive të tyre fetare dhe etnike apo statusit social. Në një monografi që po shkruaj tani unë po përqendrohem edhe në respektin që Nënë Tereza gëzonte dhe vazhdon të gëzojë në një vend tjetër. Është me rëndësi të kuptojmë se një figurë si Nënë Tereza nuk ka ‘përkatësi’ kombëtare në kuptimin e mirëfilltë. Nënë Tereza është një nga njerëzit e shquar që i përkasin njerëzimit.

Që kur ishte gjallë, por sidomos pas vdekjes si në disa vende edhe në Shqipëri ka zëra që vënë në pikëpyetje misionin e Nënë Terezës. Si e shpjegoni këtë dhe çfarë komenti keni ndaj zërave kundër?

Si çdo personalitet i përmasave ndërkombëtare, është e paevitueshme që edhe Nënë Tereza të jetë burim i vazhdueshëm debatesh. Në këtë kontekst është e natyrshme që edhe ne shqiptarët, të kemi këndvështrimet tona, të cilat nuk kanë përse të përkojnë gjithmonë. E rëndësishme është që debatet tona të mos frymëzohen dhe për pasojë të vuajnë nga paragjykime dhe influencë që synojnë dobësimin e kohezionit kombëtar dhe përçarje. Unë nuk jam dakord me interpretimin se gjoja toleranca jonë fetare është pasojë dhe tregues i indiferencës tonë. Po qe se kjo është e vërtetë atëherë do të na duhet të pranojmë se toleranca edhe mirëkuptimi që, Nënë Tereza tregoi ndaj feve të ndryshme ishin po i kësaj natyre.

Para një viti, Serge Larivée, Genevieve Chenard dhe Carole Sénéchal, botuan një artikull, në të cilin pretenduan se kishin fakte të mjaftueshme për të vënë në pikëpyetje lumturimin dhe shenjtërimin e Nënë Terezës. Cili është mendimi juaj për këtë studim?

Botime ‘sensacionale’ rreth Nënë Terezës ka shpesh dhe unë nuk para u kushtoj shumë vëmendje. Me studimin në fjalë u mora kur më kërkoi një intervistë për të gazeta daneze “Kristeligt Dagblad”, që u botua më 8 mars 2013. Unë vendosa kontakt me studiuesit kanadez dhe, siç prisja, në email-et që më dërguan, ata pranuan se, ajo që ata dhe mediet trumbetuan si një ‘zbulim’ origjinal, ishte thjesht një përsëritje e informacionit dhe konkluzioneve, që kishin marrë nga studimet e botuara për Nënë Terezën, përfshirë edhe nga librin im, “Mother Teresa: Saint or Celebrity?”(“Nënë Tereza: Shenjtore apo e Famshme?”). Këta studiues, po të përdorim shprehjen e Andy Warhol, përjetuan ‘15 minutat’ e tyre të famës duke lënë një shije të keqe, përsa i përket mosrespektimit të etikës profesionale që konsiderohet e shenjtë në botën akademike. Nuk është çudi që një studim i tillë nxori konkluzione të nxituara dhe të gabuara.

ERALD DELIU

Check Also

“Bilblitat e Korabit”: Erioni dhe Jozefina fitues të edicioni të 8-të

Në sallën e koncerteve të Qendrës për kulturë në Dibër  më 26 tetor 2o18 , në …

Komentoni

%d bloggers like this: