Friday , October 19 2018

Radika, provokimi (i dyanshëm) i radhës!

Shkruar nga Elvi Sidheri

 

 

Këto ditë në mes të publikut shqiptar e për fat edhe në media, po flitet mjaft për çështjen e devijimit të Radikës dhe impaktit mjedisor së pari për zonën e Dibrës së Madhe dhe më pas për influencimin e pashmangshëm mbi prurjet e lumit Drin në Shqipëri, të një sipërmarrje të tillë nga ana e qeverisë maqedonase. Pa marrë kompetencat (dhe njohuritë themelore) të specialistëve të kësaj fushe, gjithsesi ajo që dallohet qartë këto ditë, është një përçapje e dukshme për ta “përfjetur” këtë tematikë të nxehtë, duke aluduar haptazi se marrëveshje nuk ka, asgjë nuk është vendosur, që do mbrohen interesat e banorëve të Dibrës etj.
Fakti është që diçka po zjen, po piqet dhe në përshtypjen time (qofsha i gabuar)…edhe po digjet sidoqoftë! Gjë që do të thotë se në idenë time dhe të shumë të tjerëve, tashmë për këtë çështje është vendosur (ndoshta?) dhe pritet vetëm se kur do të nisin punimet e veprës në fjalë.
Radika siç e dimë është një lumë që çon ujë në Drinin e Zi i cili nga ana e vet burimin e ka në qytetin piktoresk të Strugës dhe vijimin e rrjedhës së tij e gjen nëpër territorin shqiptar gjersa derdhet në det. Thonë se tashmë, falë këtij projekti, ujërat e Radikës do të devijohen faktikisht drejt Vardarit dhe më tej udhën do ta marrin njëherë e mirë për në Egje.
Një problem shumë i koklavitur pra!
Nuk ka fare nevojë kështu që dikush të jetë specialist i çështjeve energjetike apo hidrike, që të kuptohet pa shumë sforco se diçka e tillë është praktikisht e pamundur të ndodhë në botën e qytetëruar, me vendime të njëanshme siç është konfiguruar deri tani, ky i palës maqedonase. Unë mund të sjell si shembull vetëm lumin e madh Danub për ta bërë idenë sa më të qartë. Danubi lind në Gjermani (nga Bavaria) dhe kalon shumëkund, në Austri, Hungari, Sllovaki, Kroaci, Serbi, Bullgari, Rumani dhe Ukrainë (për ca metra edhe në Moldavi). Tani e imagjinoni pak se çfarë “ferri i vërtetë” do të plaste po qe se njëri prej këtyre vendeve, do të bënte një çfarëdo ndërhyrjeje mbi rrjedhën apo degëzimet e Danubit, pa u konsultuar fare paraprakisht me të gjitha vendet e tjera ku ky lumë kalon? Danubi është një lumë i lundrueshëm, i cili mjaft shteteve pa dalje në det (si Austria, Hungaria, Sllovakia e Serbia)…u mundëson transportin e mallrave dhe njerëzve gjer në ujërat e kripura detarë dhe kjo gjë ngërthen në vetvete tërë rëndësinë që ky lumë paraqet për secilin vend që ai përshkon.
Drini i Zi (dhe Drini në përgjithësi) nuk është Danubi e këtë e dimë të gjithë! Por lumi Drin është një pasuri kombëtare e shtetit dhe popullit shqiptar pa as më të voglin dyshim sidoqoftë. Të futësh duart në sasinë e prurjeve të këtij lumi, do të thotë fare thjeshtë, se je duke vjedhur dhe goditur një aset të vyer kombëtar të këtij vendi! Kjo është puna në thelb, gjithçka tjetër është ose reagim i përligjur si pasojë e kësaj që duket se po gatuhet në kurriz të këtij lumi…ose tentativë për të fshehur një të vërtetë që duket sheshit, pra ekzistencën e një projekti të madh të palës maqedonase, me anë të të cilit Radika devijohet dhe ujërat e Drinit të Zi pakësohen (kurse ato të Vardarit shtohen).
Të thuash apo të pretendosh sot se një projekt i tillë është inekzistent, është njëlloj sikur t’u thuash njerëzve se lumi Drin dhe përroi i Lanës apo kanalet ujitëse të fushave të Myzeqesë (ato që nuk janë zënë ose bllokuar nga balta e dherat) janë e njëjta gjë! Mjafton një shikim i përciptë i lajmeve që vijnë nga IRJM-ja, në mënyrë që të kuptohet fare lehtë se ai projekt ekziston dhe është vënë në vijë prej kohësh për t’u zbatuar, aq sa edhe institucione të respektuara ndërkombëtare si Banka Botërore, llogaritet të jenë pjesë e tij.
Ndër të tjera vetë kryeministri i plotfuqishëm maqedonas Gruevski, në planet e “mëdha” për vitin 2014, përballë kamerave televizive e kishte thënë si “zotim” dhe përfshirë si prioritet edhe projektin në fjalë të Fushës së Lukovës, megjithë devijime të Radikës, transferime të ujërave që i takojnë Drinit të Zi e detit Adriatik për në Vardar dhe Egje, tunele nëntokësore që do ndërtohen për t’i shërbyer këtij qëllimi e kështu me rradhë.
Dhe të dihet mirë se kur kryeministri “vojvodë” i IRJM-së merr përsipër publikisht diçka…ai e bën atë gjë medoemos!
Projekti tjetër “vjedhës-rrjepës” i quajtur “Shkupi 2014” që përfshinte ndryshimin rrënjësor të faqes së qendrës së kryeqytetit maqedonas dhe “mbjelljen” aty të disa qindra monumenteve të ndryshme si dhe antikizimin e detyruar të së tashmes dhe të kaluarës së IRJM-së dhe banorëve të saj sllavë, është pra një konfirmim mëse i nevojshëm që do të nevojitej të na vinte në mendime duke e marrë më tepër se seriozisht këtë çështje delikate tani e tutje.
Viti 2014 tashmë ka ardhur dhe ndërsa “Shkupi 2014” po vjen drejt përfundimit, “Fusha e Lukovës” është ende në gjenezë. Do vënë në dukje po ashtu se IRJM është një vend me burime të mira hidrike, lumenj dhe pjesërisht (në shumicë në secilin rast) kontrollues i tre liqeneve të mëdhenj, atij të Ohrit, të Prespës dhe të Dojranit të cilët i ndan respektivisht me vendin tonë në dy rastet e para dhe me Greqinë në dy rastet e dyta (Prespa ndahet në tre pjesë ku sërish ana maqedonase është më e madhe).
Fqinjët tanë lindorë përshkohen edhe nga ujërat e lumit Vardar apo Drinit të Zi po ashtu si dhe nga lumenj të tjerë më të vegjël. Kjo gjë do të thotë që ashtu si në rastin tonë, prodhimi i energjisë elektrike në IRJM përballohet kryesisht nga HEC-ët (hidrocentralet) dhe jo nga TEC-ët (termocentralet) me thëngjill si në Kosovë apo nga centralet bërthamorë si në rastin e Bullgarisë.
Pra është e kuptueshme që fqinjët tanë të IRJM-së të jenë natyralisht të prirur që të investojnë në ndërtimin e HEC-ëve të rinj. E gjitha kjo domethënë që këto ide e projekte nuk kanë rënë si ndonjë shi i papritur e nuk janë as thagma apo fantazi të ndonjë zyrtari ose qeveritari të Shkupit, por ato janë në realitet politika afatgjata të shtetit maqedonas, që në mënyrë largpamëse (do thoja edhe “legjitime” po të mos na e vidhnin ujin e Drinit duke shkelur çdo parim apo konventë ndërkombëtarë lidhur me këto çështje)…synojnë t’i sigurojnë IRJM-së një situatë të shëndetshme energjetike. Është fakt gjithashtu që ky projekt mund të godasë rëndë ekosistemin unik të parkut kombëtar të Mavrovës në IRJM, speciet e rralla endemike dhe florën e faunën e asaj zone.
Po qe se në Shqipëri ekziston një Aleancë Kundër Devijimit të Lumenjve, në Maqedoni ka po ashtu një homologe të saj të quajtur “Zaedno za Reka-Së Bashku për Rekën…pra për Lumin Radika”…që lufton për të njëjtin qëllim edhe pse mbështetësit e saj, nuk flasin të gjithë shqip. Zona e Rekës në IRJM është një krahinë dikur gati tërësisht shqiptare, tashmë pre e një asimilimi të thellë sllavizues që i ka prekur shqiptarët e të dyja konfesioneve fetare, myslimanë dhe të krishterë ortodoksë. Në ditët e sotme popullsia shqiptare ortodokse ka pësuar asimilim total ose është shpërngulur tjetërkund nëpër IRJM dhe emigracion prej kohësh. Në të njëjtën kohë një pjesë e madhe e shqiptarëve myslimanë të këtij rajoni njëlloj janë gjendur nën presionet e shumta asimiluese dhe dëshmi për këtë është gjendja e vazhdueshme në komunën e Mavrovë-Rostushës (aty ku tiranasit venë shpesh për skijim) ku ish shqiptarët ndahen tashmë në “turq” dhe “maqedonas myslimanë” megjithëse mbiemrat e tyre ende nuk kanë marrë prapashtesat sllave “ski” e ku VMRO-ja e vojvodës fiton rregullisht në zgjedhje. Dëshmitë e gjuhës shqipe në këtë rajon janë të shumta dhe patrioti e rilindasi i shquar i këtij rajoni Josif Bageri apo rrënjët atërore të poetit tonë madhështor Migjeni, mbeten një simbol i pashlyeshëm i shqiptarisë së dikurshme të Rekës. Gjuhë shqipe që në Rekë dëshmohet në formë dorëshkrimi (pasazhe biblike) qysh në vitin 1868 nga fshati Niçipur i kësaj zone dhe na vjen në alfabetin cirilik kishtar e shkruar nga njëfarë Joan Serafimi sipas dialektit rekan Kohët e fundit edhe disa intelektualë të shquar maqedonas, kanë filluar t’i dëshmojnë dhe t’i rizbulojnë degët e tyre të origjinës shqiptare me bazë pikërisht në Rekë. Sesa i rëndësishëm është lumi Radika për zonën e Rekës, duket edhe në formën prej sinonimi të mirëfilltë që emri “Rekë (Lumë)” ka marrë për të gjithë këtë krahinë dhe banorët e saj. Vetë lumi Radika buron në lartësitë 2220 metra mbi nivelin e detit në Malin e Sharrit dhe rrjedh për 67 kilometra derisa derdhet në liqenin e Dibrës në fshatin Kosovrast. Është një lumë me ujë të kthjellët dhe të ftohtë me ngjyrë të gjelbër të thellë si pasojë e pranisë të karbonatit të kalciumit.
Pse ky “devijim” (moment devijimesh ky)…nga tema? Për shkak se doja të tregoj që Radika si lumë, mund të gjendet vërtetë gjeografikisht në brendësi të territorit të një vendi të huaj si IRJM-ja. Por Radika është e lidhur pazgjidhshmërisht me shqiptarët, me krahinën e shqiptare (të asimiluar) të Rekës së Epërme, me Dibrën e Madhe përherë shqiptare, me Drinin e Zi që buron në qytetin e banuar në shumicë prej shqiptarëve, pra në Strugë dhe në fund me Drinin, këtë pasuri tonën kombëtare që në Shqipëri shfrytëzohet gjerësisht për prodhimin e energjisë së domosdoshme elektrike nga HEC-ët e kaskadës së tij. Ekuacioni nuk ka shumë variante (edhe një gdhë në matematikë do e kuptonte)…po të na merret për projektin maqedonas të Fushës së Lukovës uji i Radikës që normalisht do të derdhej në Drin, atëherë në Shqipëri ky lumë do të sjellë më pak ujë!
Më pak ujë në Drin, do të thotë edhe më pak prurje për hidrocentralet tona për shembull… Më pak ujë në hidrocentrale është baras edhe me më pak drita në shtëpitë e shqiptarëve ndërkohë!
Po qe se një pasuri kombëtare e vendit tonë, do të lihet kaq pasivisht në duart dhe humorin apo dëshirat e qeveritarëve të pangopur e makutë të Shkupit, atëherë nuk do të duhej të habiteshim asnjëçikë kur edhe Vjosën grekët të na e “sekuestrojnë” qysh në burim, siç po përflitet këto ditë, pa e marrë as mundimin të na pyesin…sikur edhe sa për të larë gojën!

Check Also

Trajnim mbi mediat në Dibër

Rreth 50 nxënës nga shkolla e mesme “28 Nëntori” në Dibrë morën pjesë në trajnimin …

Komentoni

%d bloggers like this: