Friday , October 19 2018
Home / Kulture / Një gjysmë shekulli në skenë

Një gjysmë shekulli në skenë

                                                                Një gjysmë shekulli në skenë        

 

Kjo “dyshe dibrane” kudo që u paraqit në Dibër, Shkup, Prizren, Zagreb, Tiranë e gjetkë u imponua artistikisht para spektatorit, ndaj u shpërblye ngrohtë me duartrokitje

Arbana QORMEMETI

Refik Papraniku dhe Abedin Kolari janë valltarët e parë të cilët  me kontributin e tyre kanë mahnitur publikun dibran dhe më gjerë. Në monografinë kushtuar shoqërisë kulturore “Liman Kaba”, autori nënvizon: Refikun dhe Abedinin, i paraqesim së bashku, ngase ata i bashkon vallja burimore  “Dyshja dibrane”, të cilën prej vitesh e kanë luajtur  me pasion dhe me zell të pashuar. Edhe para pak viteve  në moshë të thyer, Refiku e Abedini, këtë valle dyshe e luanin  mrekullueshëm, e dredhin në majë të gishtërinjve dhe mbi daulle e luajnë me elegancën më të lartë ashtu si në ditët rinore,duke shpaluar gjithnjë visarin e pashtershëm të traditës dibrane dhe gjithë shqiptare.

Këtë e dëshmuan edhe në festivalet e fundit “Sharri këndon”, ku morën merita si valltarë të shkëlqyer. Kjo “dyshe dibrane” kudo që u paraqit në Dibër, Shkup, Prizren, Zagreb, Tiranë e gjetkë u imponua artistikisht para spektatorit, ndaj u shpërblye ngrohtë me duartrokitje. Duhet ta duash vërtetë vallen, pastaj t’i përkushtohesh me aq dashuri si zotërinjtë Refik Papraniku dhe Abedin Kolari. Në të vërtetë as Refiku, tanimë i ndjerë, as Abedini nuk patën fatin të kryejnë shkollat artistike, por me punën dhe talentin e tyre,u bënë një shkollë për valltarët e rinj. Me vullnetin e madh, me intuitën e hollë, dhe shkollën e madhe të jetës ose leksionet mbi mjeshtërinë e valles u bënë valltarë të përmendur.

Ndaj këto pishtarë të valles sonë janë një eksperiencë   ku mund të bëhet mjaft përgjithësime teorike dhe të nxirren mjaft shembuj konkret të kompleksitetit të valles në planin e tabanit popullor. Analiza që mund t’i bësh punës krijuese të dy valltarëve artistë, është pa diskutim lidhur ngushtë me vallen që interpretojnë, që plason me përmbajtje tablo nga jeta nga dalin përpjesëtime të thella të problemeve shoqërore.  Ndaj, loja e perfeksionuar gjer në detaje e “dyshit” dibran përmes lëvizjeve artistike shpalos para spektatorit këto ngjarje të uljeve dhe ngritjeve të shqiptarit dhe dibranit nëpër kohë… Lëvizjet si thyerja e trupit, mbështetja në urëkrahësh, qëndrimet mbi daulle, gjithnjë të mbështetura në konceptin koreografik, të shprehura me një komunikim reciprok nga “dyshi” shprehin kodet e traditës sonë, zakonet e karraret e trashëguara brez pas brezi. Shpalosen në këtë dysh. Nderi, mikpritja, burrëria…

Aty shihet mençuria, dinjiteti, si dhe virtuoziteti dibran. Aty, poashtu shpalosen tipare njerëzore plot madhështi, butësi, shpirtgjerësi dhe shpirtbardhësi njeriu. Këto lëvizje plot elegancë shprehin idealet e larta dhe botën shpirtërore të shqiptarit nëpër kohë. Pra kjo valle “dyshe” është kala e kohës që sa më e vjetër që bëhet ngrit vlerën si muzeun të kohës, që si takon vetëm të shkuarës por përmes së sotmes synon të nesërmen, duke përkuar me rrënjët e thella që ushqejnë kurorat e drurëve të lartë, edhe dyshja vazhdon të ushqejë vetëdijen e detyrave që kemi ndaj traditës sonë popullore të njësishme dhe ndaj vlerave të tjera shpirtërore kombëtare. Ky çift artistësh me lojën e tyre të natyrshme krijonin  marrëdhënie të sakta, si me koreografinë ashtu edhe me çdo komponentë tjetër të podiumit. Kur dilnin  ne skenë valltarët, Refik Prapaniku dhe Abedin Kolari e gjithë salla reagonin, edhepse valltarët ende s’kishin  lëvizur aspak. Publiku dibran I ka respektuar  artistët e talentuar me trupet e bëshme e fytyrën aq shprehëse. I  njeh  se i kishte parë edhe shumë herë dhe gjithnjë ky publik hezitonte në magjinë e tyre artistike./kohaere.eu/

Check Also

Një dashuri e madhe për një botë të largët dhe të afërt shqiptare

Kur e kisha pyetur një ditë poeteshën Venus Khury-Ghata se kur kishte filluar të shkruante, …

Komentoni

%d bloggers like this: