Kthejini sytë nga Lura

0
323

Nga më 11/03/2014

Lura4

Të gjithë kanë dëgjuar për bukuritë e Lurës, por jo të gjithë kanë shijuar ato. Unë e dua dhe jam shumë i lidhur me këtë trevë të turizmit shqiptar, jo vetëm sepse është një perlë e natyrës sonë, por, se aty me është dashur të kaloje jo pak nga fëmijëria ime, pasi shkoja shpesh tek gjyshi. Natyra i ka falur Lurës bukurinë, njerëzit e mrekullueshëm e thënë shkurt; perëndia e “ka gatuar me dorën e saj”. Këtë fundjavë udhëtova nga Tirana përgjatë rrugës së Kombit, mandej në Rrëshen, në Perlat, Selitë, Kurbnesh për të mbërritur në Lurë. U nisa me një dëshirë të madhe, u kënaqa pa fund dhe ktheva me një peng brenda vetes që po ikja shpejt, pasi nuk mund të rrija më shumë për arsye pune. U çmalla shumë duke shijuar ato bukuri, ato vargmale të derdhura aq bukur sa të magjepsin. Ndonëse ky ishte dimrit më i butë në afro një shekull (kujton gjyqi im afro 90-vjeçar Hasan Bruçi), sërish bora kishte mbuluar shpatet e maleve, brenda të cilave ndodhen 7 liqene. Para syve të mi ishte Lura me pyjet të paprekura që kujtoja nga fëmijëria ime dhe tashmë ajo e dëmtuar nga dora e njeriut, por sërish ngjate bukur. Vendasit thonë, e në fakt ashtu është që pas muajit maj aty është shumë mirë të pushosh. Në këtë muaj nis dhe ardhja e turistëve në mënyrë informale, por që nuk mungojnë asnjë vit. Bukur është dhe në dimër, kur bora vesh të gjithë zonë, por ama e izolon atë! Kjo ndodh pasi nëse bie shumë borë askush nuk kujdeset të hap rrugën, por dhe se vet rruga është e vështirë pasi nuk është vend dorë në të për të investuar.

Rruga nevojë për ndërhyrje emergjente Rrugëtimin nga Tirana përgjatë rrugës së Kombit në Rrëshen deri tek vendi i quajtur Livadhi i Turkut, e bëra mrekullisht mirë, pasi infrastruktura ishte e shkëlqyer. Por pjesa tjetër e rrugës ishte ende në gjendjen e viteve para ’90. Nga vendi i quajtur Livadhi i Turkut, pjesë e komunës Perlat, përgjatë rrugës në Selitë, Kurbnesh dhe fshatin Mërkurth si skaji fundor i njësisë administrative Mirditë, ngjitesh në Krej Lurë dhe mbërrin në qendër të Lurës. Distanca është vetëm 67 kilometra të cilat kanë nevojë për ndërhyrje emergjente. Institucionet e shtetit shqiptarë të gjitha pa përjashtim, qendrore, lokale duhet të reagojnë përballë kësaj situate. Në pamundësi të fondeve ndoshta për ta ndërtuar rrugën me zgjerim, asfaltim dhe sinjalistikë me standardet e pjesës deri në Livadh të Turkut, siç e quajnë vendasit, pjesën ku shkëputesh për të hyrë ne segmentin e paasfaltuar, të paktën për këtë pjesë ka nevojë për ndërhyrje sa më parë për tu asfaltuar. Kjo do të bënte të mundur që në Lurë nga kryeqyteti të mbërrihet në këtë perlë të turizmit shqiptar për pak më shumë së dy orë. Në kushtet aktuale pjesa prej 67 kilometrash nuk kalohet lehtë nga çdo makinë. Një situatë e tillë ka vështirësuar shkuarjen e një numri të  konsiderueshëm turistësh, por dhe të banorëve të Lurës të cilët lëvizin drejt Rrëshenit dhe Tiranës apo dhe zonave të tjera të vendit. Them vështirësuar, pasi turistët vendas dhe të huaj e kanë sfiduar këtë terren rruge të vështirë dhe çdo vit Lura ka turistë informal.

Zhvillimi i turizmit, pse nuk përfshihet Lura Shumë flitet për turizmin dimëror në vend, aq më tepër nga institucionet, por për zhvillimin e tij nevojitet së pari të krijosh infrastrukturën e duhur. Të paktën turistit duhet ti krijohen kushte të udhëtojë me rrugë të mirë deri në destinacion, pastaj të kërkosh investimet të tjera në zona si Lura apo qoftë dhe në zonat e tjera në vend pa bërë punën tende si shtet është e tepërt. Ndonëse në zonat e tjera janë kryer investime në Lurë, kjo nuk ka ndodhur duke vështirësuar shkuarjen e turistëve duke penguar zhvillimin e turizmit. Rrugës për në Lurë, ulem të pi në një kafe në Kurbnesh anës rrugës në një lokal që gjendet vetëm pak metra nga ura që të fut në ish-qytezën pasi aktualisht ishte braktisur, pranë ish- arshivës ose kur vjen nga Selita për në Lurë sapo kalon nënstacionin në Kurbnesh. Lokali sapo ishte hapur dhe një zonjushë po rrekej të ndizte sobën me dru për të ngrohur ambientin kur ne behëm në derë. Ajo nxitoi dhe na solli një furnelë për tu ngrohur teksa ne porositëm. E pyes e ka punë? “Kam 6 muaj që e kam hapur lokalin dhe e menaxhoj bashkë me vëllain. Mirë të themi pasi shyqyr zotit ky dimër ka mbajtur mirë dhe furgonat e Lurës punojnë si dhe vijnë turistë duke qenë se rruga është e hapur. Po të ishte dimër do e mbyllnim. Na shtohet puna më shumë pas muajit maj kur në Lurë vijnë turistët vendas dhe të huaj. E kemi këtë rrugën e keqe, por dhentë zoti kujtohen të vënë dorë mbi të dhe ta rregullojnë. Të paktën t’i hedhin një dorë asfalt” – thotë zonjusha të cilës nuk ia mësova emrin duke mos e pyetur si quhet. Pra, siç thonte dhe zonjusha, një rrugë e asfaltuar, do i sillte zhvillim jo vetëm Lurës, por dhe disa komunave të Mirditës. Të bën përshtypje fakti që institucionet shtetërore nuk janë aspak të ndjeshme ndaj Lurës. Në panairet e turizmit askush nga Lura nuk ftohet të marrë pjesë. Kjo perlë e turizmit shqiptar harrohet nga institucionet shtetërore duke mos u përfshirë në to. Edhe organizata ndërkombëtare që merren me zhvillimin e turizmit si GTZ, etj nuk e kanë parë të arsyeshme të investojnë për turizmin familjar ndoshta dhe duke parë rrethanat në të cilët po zhvillohet ky turizëm në Lurë në mungesë të infrastrukturës.

Privatët kanë nisur të investojnë në Lurë Ndonëse shteti e ka harruar plotësisht Lurën, vendasit nuk duan ta lënë fatin e tyre në dorë të të tjerëve qofshin këto dhe institucionet për të cilat fundja dhe i votojnë. Banorët e Lurës sigurisht që nuk mund të asfaltojnë 67 km rrugë, por kanë nisur të ndërtojnë hotele për të sistemuar ato turistë të cilët mbërrijnë atje. Hasan Hoti është një nga investitorët më të suksesshëm në Lurë i cili ka ndërtuar një hotel 4-katësh. Ai thotë se mori përsipër të kryejë investimin duke parë se pavarësisht infrastrukturës rrugore, turistët sfidonin dhe vinin në Lurë dhe për ketë nevojitej të iu përgjigjej me kushtet e duhura për akomodim. Lura është quajtur si perla e maleve shqiptare. Historianë të huaj, kalimtarë e udhëpërshkrues, i ka lënë pa mend kjo bukuri e rrallë. Austriaku Stinmestz, shkruan se “pamja nën shkëmbin e Kunorës është kaq e këndshme, sa s’ka shoqe në tërë Shqipërinë”, ndërsa një mjeshtër projektesh sportive, që kishte ardhur të shihte këndej, thotë se “për dy ditë isha në Zvicrën e Shqipërisë, aty ku Zoti ka falur shumë, ndërsa njeriu ka punuar pak”. Ndërsa aty nga viti 1908, Edit`h Durham do të shënonte në ditarin e saj se, “kur dola në Qafë Lurë, pashë një fushë kaq të bukur, që nuk e kisha parë në asnjë vend të Ballkanit”.

Kush është në të vërtetë Lura?

Mjafton të ngjitesh në Majën e Kurorës, 2121 metra e lartë, ku syri të kap një hapësirë të gjerë, para ke një “det” të tërë me male dhe lugina. Shikon prej këtu tërë vargun lindor të maleve që matanë kufirit, të cilat vijnë vargas: Kërçini, Skërteci, Korabi, Sosokoli, Gjallica e Lumës e deri Malet e Hasit. Nga veriu shikon Malet e Mirditës e të Shkodrës, kurse nga jugu, me një dylbi kundron edhe Durrësin, deri thellë në det. Mbi 1800 metra ndodhet Guri i Neshtës, një shkëmb interesant, ndër shekuj prej andej janë shembur miliona metër kub gurë; këtu gjendet dhe Lerasi, ku dëbora është gjithëstinore, një çudi më vete kjo. Poshtë Gurit të Neshtës, vijnë një pas një liqenet e bukur të Lurës, ose “sytë e kaltër” të natyrës. Më i moçmi është Liqeni i Madh, rreth 8 ha, i veshur dikur rreth e rrotull me pisha. Ç’mund të bëjë këtu dorë e njeriut, me motele e hotele, ngrehina alpine për rrotull tij dhe ato që mund të shtrihen me panela mbi ujët e kthjellët; rreth e qark me burime të bollshme uji të pijshëm. Ka legjenda të thurura kushedi se në ç’kohë ky liqen. Legjenda kanë në vetvete dhe liqenjtë e tjerë. Nuk mund të ngelnin këto bukuri akullnajore pa legjenda e gojëdhëna të atribuuara. Në veri vjen Liqeni i Rrasave, e pak më tutje ai i Lopëve, me një pamje shumë të bukur të rrethuar me livadhe e pyje. Mesi i tij është shumë i thellë, mendohet që këtu sipas gojëdhënave të përcjella, të jetë mbytur një lopë me 12 qe, ndaj mori këtë emër. Matanë liqenit është Blaçi, një lëndinë shumë e bukur me ujëra të ftohta, ndërsa uji i Krojit të Bardhë është shumë kurativ për gurët në veshka. Në jug të Liqenit të Madh, vjen Liqeni i Bruçit, me një pamje përrallore nga sipër, ku shquan uji i kristaltë, rrethuar me pisha dhe ahe të lartë. Po nga jugu vijnë liqeni i Hotit, ata të Kallabës dhe pak më tej, Liqeni i Zi, me ngjyrë tepër të kaltër dhe i rrethuar me pisha të dendura e lëndina, ku buron dhe ujë i ftohtë. Ngrihesh pak më sipër dhe para ke një ndër “mrekullitë e botës”, një margaritar i vërtetë. Liqeni i Luleve, në mes të një lëndine të butë, mbushur me bar të jeshiltë dhe hijeshuar me lule të shumta shumëngjyrëshe. Liqeni, sidomos në pranverë është i mbushur tej e tej me një lloj zambaku, një pamje mahnitëse. Pylli rreth e rreth ka qenë tepër i bukur, nuk mund të gjeje vend të dytë si këtu. Tërë ky brezar liqenesh dhe pyllnajash ka qenë i jashtëzakonshëm, me pamje magjepsëse. Dhe kështu, ulesh deri poshtë në qendër Lurë. Pak më në jug të liqenit të Luleve vjen Fusha e Pelave, rreth 7 kilometra, lëndinë e mrekullueshme. Prej kohësh duhet të jetë banuar ky vend, ose së paku të ketë patur fushime, madje gojëdhëna thotë se ky vend ka qenë vendqëndrimi dhe përgatitjeje ushtarake për kalorës dhe kuaj, ndaj dhe i mbeti ky emër.

NO COMMENTS

Leave a Reply