Friday , October 19 2018
Home / Kulture / Kosova miqësoren e parë historike e nisi me barazim 0:0 me Haitin

Kosova miqësoren e parë historike e nisi me barazim 0:0 me Haitin

image

 

Historike! Kosova shkel për herë të parë në tokën e futbollin ndërkombëtar me një miqësore kundër Haitit që mund të konsiderohet edhe si guri i themelit për një libër të gjatë që do të shkruhet ndër vite. Në stadiumin “Adem Jashari” të Mitrovicës mori rrugë treni i futbollit të shtetit më të ri të Europës, me një kombëtare që edhe pse nuk mund të luajë ende ndeshje zyrtare, i dërgoi FIFA-s një kartolinë plot ngjyra duke i dhënë institucionit ndërkombëtar të futbollit botëror sinjalin se kombëtarja e Kosovës është gati për të treguar se trojet kosovare janë një tokë ku futbolli lulëzon edhe pse pranvera e futbollit kosovar duhet ende të vijë. Në stadiumin e rikonstruktuar të Mitrovicës ishin plot 17 mijë të pranishëm ku ra në sy edhe prania e krerëve të shtetit dhe shumë politikanëve kosovarë, të cilët ndoshta nga emocioni por edhe prej faktit se Kosova nuk mund të këndojë ende himnin e saj në të tilla ndeshje, zbritën në fushë për të takuar lojtarët e Haitit në momentin që po këndohej himni kombëtar i vendit të vogël ishullor. Ndërkohë që në shkallët e stadiumit nuk munguan flamujt kombëtare të shoqëruar nga ata kosovarë dhe një banderolë e madhe me figurën e Januzajt, Shaqirit, Berishës, Xhakës dhe Behramit, të cilët e kanë ftesën e tyre nga tifozët e një qyteti që ka luftuar jo pak për të arritur në këtë ditë. Minutat e pritjes kaluan me shpejtësi si një ëndërr vere pasi dhe gjithçka është.

Emocionet spostohen nga shkallët e stadiumit dhe zëmrat e tifozëve në fushën e blertë ku fjalën e morën 11 të përzgjedhurit e Albert Bunjakit. Trajneri kosovar i kuzhtëzuar nga fakti se ende nuk mund të thërrasë nën urdhrat e tij disa nga yjet që po shkëlqejnë në qiellin e Europës, zbriti në fushë një skuadër gati gati të panjohur ku flamurin e vetëm e mbante Samir Ujkani. Kosova e ndrojtur dhe ende e pakolauduar, i nisi minutat e para duke studiuar kundërshtarin dhe duhej të vinte minuta e 12-të që Hasani të jepte sinjalin e parë me një goditje të fuqishme nga e djathta e zonës së rreptësisë por topi u bllokua nga portieri Zephirin që i mohoi sulmuesit kosovar shansin për të hyrë në histori. Haiti në vendin e 79-të në renditjen e FIFA-s, tentoi disa herë të ngacmonte portën e Samir Ujkanit, por ishte Kosova që rrezikoi dy herë në minutën e 30-të me Bunjakun dhe Azemin, të cilët nuk arritën të ngrinin peshë stadiumin “Adem Jashari”. Në të 37-ën, Ilir Azemi pati mundësinë më të mirë të kësaj pjese teksa i shërbyer saktësisht nga Hasani goditi dobët një top që u përplas te mbrojtësit kundërshtarë. Në pjesën e dytë 25-vjeçari Anel Raskaj mori përsipër organizimin e lojës në repartin e mesfushës duke e filtruar topin disa herë në zonën e Haitit por sulmuesit vendas u treguan të pakujdesshëm. Në të 70-ën, Bytyçi pasoi vertikalisht një top për Hasanin që gaboi në finalizim. 3 minuta më vonë Enis Alushi krosoi nga e majta e sulmit por topi kaloi gjithë pasqyrën e portës së Haitit pa u devijuar nga asnjë lojtar, ndërsa Faton Toski ekzekutoi një goditje dënimi që kaloi shumë pranë shtyllës së majtë pingule të miqve. Minutat në vijim Haiti u tregua më i kujdesshëm duke e shqetësuar Ujkanin vetëm në fundin e kohës së rregullt.

0-0 por jo pa fitues sepse ajo që triumfoi në këtë takim ishte kombëtarja e Kosovës. Një ndeshje drithërimash ku britma e një populli më në fund u dëgjua sepse futbolli bashkon kombe dhe këtë e vërtetoi edhe Mitrovica bashkë me Kosovën duke i dhënë jetë një ëndrre. Miksim emocionesh që duhet të konkretizohen në punë, shumë punë për të ndërtuar një kombëtare të denjë, ashtu siç e meriton toka e talenteve të mëdhenj si Xhaka, Behrami, Shaqiri apo Januzaj. Kosova e futbollit sapo ka lindur, të gjithë mund ta ndihmojnë që të ecë e vetme dhe krenare në botën e futbollit ndërkombëtar. /Radio Vala – burimi:supersport.al

Check Also

Shqipëria 60 vjet në UNESCO

60 vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në UNESCO kulmoi sot me një aktivitet në Tiranë, …

Komentoni

%d bloggers like this: