Friday , October 19 2018
Home / Kulture / Dibrani, një autor në kërkim të njerëzores

Dibrani, një autor në kërkim të njerëzores

Shkruan Blerim Shabani

 

“E veçanta qëndron në aftësinë e këtij autori që të komunikojë me krijuesit tjerë duke i kërkuar ata kudo që janë. Dhe kjo vërtetë është një vlerë madhështore”

Përvjetori i njëzetë i debutimit të tij në letërsi ,me libër të botuar, ka shërbyer si rast për mbajtjen e një pasditeje letrare me krijuesin Shefqet Dibrani. Me këtë rast, në mesin e artdashësve dhe miqve të shumtë të poetit, në sallën e bibliotekës interkulturore “Pestalozi” në Cyrih u bë edhe promovimi i librit të tij të ri me poezi “Anatomia e brymës”.

Ky promovim bënte pjesë në radhën e aktiviteteve promovuese të Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë që vepron prej tri vitesh në Zvicër.

Aktivitetin e drejtoi Suela Jorgaqi, drejtuese e bibliotekës së përmendur. Ajo shfrytëzoi nga rasti të përshëndesë miqtë e fjalës së shkruar, duke u ofruar atyre mundësinë për të prezantuar aktivitetet e tyre artistike në ambientet e përshtatshme të bibliotekës. Jorgaqi ka vlerësuar me këtë rast edhe krijimtarinë e Shefqet Dibranit, autorit të një numri të konsiderueshëm librash, të botuar në harkun kohor prej 20 vitesh.

Ndërsa kryetari i SHKSH të Zvicrës Besnik Camaj ka bërë një prezantim të gjerë, siç ka thënë dhe ai vetë “më shumë të personalitetit të tij të veçantë se sa të poezisë” të autorit Dibrani.

“E veçanta qëndron në aftësinë e këtij autori që të komunikojë me krijuesit tjerë duke i kërkuar ata kudo që janë. Dhe kjo vërtetë është një vlerë madhështore. E shohim këtë edhe në letërkëmbimet e tij. Dëshmi është libri specifik „Letrat e Agimit“, një letërkëmbim me poetin kukësjan Agim Spahiun”, tha Camaj, duke e zgjeruar pastaj listën e komunikimit të Dibranit edhe me shumë krijues të tjerë shqiptarë.

Ai ka thënë më tutje se “Shefqeti është ndër autorët e rrallë që nuk e ka fshehur fare përkatësinë e tij politike, madje ai si askush tjetër ka qenë i angazhuar dhe është mburrur me të”.

Studiuesi Rami Miftari është ndalur në gjuhën e krijimtarisë së Shefqet Dibranit. “… gjuha e poetit Dibrani është pjesë e veçantë dhe shëmbëlltyrë e pastërtisë për kah fjalori i përdorur. Vlera e tij rritet akoma më shumë kur të kemi parasysh se jeton dhe vepron në mërgim pra nën ndikimin fonetik, sintaksor, shoqëror dhe ekonomik të gjuhëve të huaja”, ka nënvizuar Miftari, i cili ka bërë fjalë edhe për sentencat në poezinë e autorit.

Në aktivitetin e promovimit ka marrë fjalën edhe autori, Shefet Dibrani. Ai ka vënë theksin në përkushtimin që e ka karakterizuar rrugën e tij krijuese jo vetëm për të shkruar poezi por edhe për t`u marrë me trajtimin kritik të realitetit tonë në mërgim dhe në atdhe. Në këtë drejtim, Dibrani ka përmendur edhe vështrimin kritik në trajtë libri që ai e ka publikuar në lidhje me zhvillimet në partinë ku ai ka bërë pjesë prej themelimit të saj, në LDK.

Një pjesë të mirë të fjalës së tij, Shefqet Dibrani ia ka kushtuar njohjes dhe korrespondencës së bujshme që ai ka pasur me poetin tashmë të ndjerë nga Kukësi, Agim Spahiu, që ka ndodhur para rreth njëzet vitesh. Ndërsa në këtë kontekst ai ka përmendur edhe një hollësi interesante. Sipas tij, përkushtimi ndaj veprës së Spahiut, i është shpërblyer në  formë të veçantë. Vëllai i poetit Spahiu në shenjë falënderimi i ka siguruar botimin e librit që po promovohej, “Anatomia e brymës”.

Poezi nga libri “Anatomia e brymës” kanë deklamuar Adem Kicaj dhe Qamil Çekaj.

Check Also

Një dashuri e madhe për një botë të largët dhe të afërt shqiptare

Kur e kisha pyetur një ditë poeteshën Venus Khury-Ghata se kur kishte filluar të shkruante, …

Komentoni

%d bloggers like this: