Dibra zbriti nga kodrinat në rrafshinë

0
260

Dibra zbriti nga kodrinat në rrafshinë

Dibra gjatë shekujve dhe dekadave të fundit ndryshoi gradualisht në aspektin e përcaktimit urbanistik. Pjesa më e madhe e banorëve filluan të zbresin nga pjesët e epërme të qytetit në pjesën e poshtme

Dibër – Qyteti i lashtë i Dibrës dekada dhe shekuj më parë ka qenë i vendosur në kodrinat, në të cilët, edhe tani, në disa pjesë, kanë mbetur lagje të vjetra. Por, sot Dibra pothuaj është vendosur në pjesën e poshtme të kodrinave dhe në pjesën fushore të saj. Dibranët me nostalgji flasin për Dibrën e vjetër dhe lagjet e saja të famshme, “Kodrën e Bejlerëve”, pastaj për lagjet “Varoshit”, “Tikvarcës”, “Buduleci”, “Çeshma e Demçes”, “Shaveci” etj. Poashtu Dibra e vjetër ka patur një pozitë edhe në pjesën e poshtme të kodrinave, siç janë lagja “Dervish Mustafa”, “Bajram Begu” dhe lagja “Inqari”. Dibra gjatë shekujve dhe dekadave të fundit ndryshoi gradualisht në aspektin e përcaktimit urbanistik.

Pjesa më e madhe e banorëve filluan të zbresin nga pjesët e epërme të qytetit në pjesën e poshtme. Sot Dibra ka zënë një pjesë të madhe të fushës së saj dhe ndërtimet kryesisht realizohen në pjesën fushore. Lagjet aktuale ku janë ndërtuar vendbanimet të reja quhen lagjet të Tylbes. Gafur Bllata është një dibran i respektuar i cili ka 79 vjet dhe është një njohës i mirë i etapave të shpërnguljes së dibranëve nga pjesa kodrinore në pjesën fushore. Dibra gjatë historisë në pjesën dërmuese të saj ka qenë e vendosur në pjesën kodrinore. Sidomos, është e njohur Kodra e Bejlerëve ku kanë jetuar edhe familjet më të pasur të Dibrës. Kjo lagje ka qenë një sinonim për familjet më të njohura dibrane, tregon Bllata dhe shton se familje me renome kanë jetuar edhe në lagjet të Varoshit dhe të Shavecit.

Të parët tanë tregonin se familjet të fuqishme në aspektin ekonomik të cilët kanë dominuar me tregtinë e Dibrës kanë qenë të vendosur në lagjet në fjalë, thekson bashkëbiseduesi ynë. Një shpërngulje e pjesshme nga pjesa e epërme e qytetit regjistrohet pas Luftës së Dytë Botërore. Por, shpërngulja masive dhe ndërtimet më të mëdha të shtëpive individuale në pjesën e fushës së Dibrës janë realizuar pas tërmetit katastrofal që goditi Dibrën në vitin 1968. Gafur Bllata sqaron se atëherë kanë filluar ndërtime në shumë pjesë të fushës dhe, përveç lagjeve të përmendura, janë ngritur lagjet e reja. Kjo shpërngulje ndodhi meqë pushteti vendor i atëhershëm urbanizoi pjesët e fushës dhe filloi të jep leje për ndërtimin e shtëpive individuale. Bllata thotë se ndërtimi masiv në pjesën fushore të qytetit maksimalisht dëmtoi zhvillimin e bujqësisë. Fusha e Dibrës dukshëm u zvogëlua meqë qyteti tani është shtrirë në pjesën më të madhe të saj, thotë Bllata. Dibra ka patur tre lagje kryesore, thekson Muhamet Hysa, 80 vjeçar. Ishin lagjet e njohura Bajram Begu, Inqari dhe Dervish Mustafa,. Lëvizja e popullatës ishte masive meqë u mundësua me planet detale që të ndërtohen shtëpi në pjesët të ulëta të komunës. Normalisht një dyndje e madhe ndodhi pas tërmetit katastrofal, thotë Hysa dhe shton se atëherë, rreth viteve të 70-ta, u ndërtuan lagjet e reja të qytetit. Në pjesën e Varoshit kanë qenë edhe shkollat më elitare të Dibrës. Dibra tetë dekadat e fundit ka ndryshuar shumë.

Tani i kemi harruar lagjet e vjetra, shumë shtëpi janë boshatisur dhe familjet dibrane të vjetër që ishin bartësit kryesorë të qytetërimit, sot jetojnë në lagjet e reja të qytetit, thotë Hysa. Mbaj mend, tregon Hysa, se në pjesën e poshtme të qytetit ato vite jetonin kryesisht bujqit dhe blegtorët dibranë, meqë kishin afër fushën pjellore. Hysa jep sqarime edhe për shpërnguljen e banorëve nga disa fshatra në Dibër. Ai thotë se lagjet e vjetra të cilët boshatiseshin nga qytetarët, në një pjesë të madhe të tyre sot janë të banuara me fshatarë të cilët në Dibër kanë ardhur sidomos viteve të 70-ta nga rajoni i Zhupës dhe Rekës së Poshtme. Për lagjet e vjetra të qytetit të Dibrës me nostalgji të madhe flet edhe dibrania, Nexhmie Sadiku. Edhe ajo ka kaluar të 80-tat dhe shumë mirë e njeh jetën e qytetit të saj.

Lagjet e vjetra në pjesën e epërme të qytetit ishin lagje të cilët i jepnin qytetari Dibrës. Atje banonin familjettë vjetra të Dibrës. Si e re mbaj mend ishte një kënaqësi e madhe të kalosh në lagjen e Bejlerëve. Poashtu në atë pjesë të qytetit gjendeshin shtëpitë me një arkitekturë tipike qytetare. Dibra sot në pjesën më të madhe të saj shtrihet në rrafshinë. Qyteti vazhdon të ndërtohet në këtë pjesë, edhe pse shumë shtëpi në pjesën kodrinore janë të rrënuara, të boshatisura dhe ka mundësi që në këtë pjesë të bëhen ndërtime të reja. Siç ka lëvizur koha, ka lëvizur edhe tregu, shitoret dhe pjesa administrative e qytetit. Dibranët e moshuar me nostalgji kujtojnë pjesët e epërme të qytetit, të cilat gjenerata e re shumë rrallë i viziton. Kjo pjesë e qytetit tani ka humbur bukurinë dhe epitetin e qytetërimit dibran. (V.S./KOHA)

NO COMMENTS

Leave a Reply