Friday , October 19 2018
Home / Lajme nga Dibra / Shqiptarët protestojnë, qeveria e vendosur për të devijuar lumin Radikë

Shqiptarët protestojnë, qeveria e vendosur për të devijuar lumin Radikë

Ditën e diel në ora 11 në qytetin e Peshkopisë do të protestohet kundër devijimit të Lumenjve Vjosa e Radika. I gjithë organizimi vjen nga Aleanca kundër devijimit të lumenjve të cilës do të bashkëngjiten pjesëtarë të pushtetit vendor të Dibrës dhe shoqata të ndryshme joqeveritare. Aleanca e këtillë është rajonale kundër planeve të qeverive të Greqisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë për devijimin e rrjedhës së lumenjve Aoos, Vjosa dhe Radika.

Aleanca është krijuar nga persona të ndjeshëm kundër kësaj kauze, që besojnë dhe shpresojnë në një marrëdhënie me transparente të politikave midis vendeve fqinje në rajon, thuhet në reagimin e tyre.

Sipas përfaqësuesve të Aleancës, thuhet se misioni i tyre është mos lejimi i devijimit të asnjë cm3 ujë të këtyre lumenjve nga shtrati natyror sepse Parlamenti shqiptar njësoj si qeveria nuk ka reaguar ndaj veprimeve të qeverive greke e maqedonase, edhe pas lajmeve se vetë qytetarët grekë dhe ata  shqiptarë në Maqedoni, protestojnë kundër këtyre projekteve.

Zëdhënësi i Qeverisë,  së Maqedonisë, Aleksandar Gjorgjiev ka theksuar vendosmërinë e realizimit të projektit të Fushës së Lukovës, edhe pse ministrat shqiptarë të Ekologjisë, Ekonomisë dhe komuna e Dibrës janë shprehur kundër projektit, pasi që parashikohet ndryshimi i rrjedhës së lumit Radika dhe rrezikimi i ambientit jetësor në zonën e Dibrës.

“Gjatë realizimit të projekteve do të mbahet llogari maksimale për respektimin e standardeve ekologjike dhe për respektimin e mjedisit jetësor për çka hartohen një numër më i madh i studimeve, në të cilat janë të kyçura edhe organizata relevante të huaja ndërkombëtare, të cilat do të kenë pjesëmarrje në realizimin e projekteve dhe të cilat japin edhe një garanci shtesë se nuk do të ndërmerret diçka që do të thotë prishje e balancit ekologjik dhe rrezikim i mjedisit jetësor”, theksoi zëdhënësi  Gjorgjiev./ Arbana Qormemeti

Check Also

Trajnim mbi mediat në Dibër

Rreth 50 nxënës nga shkolla e mesme “28 Nëntori” në Dibrë morën pjesë në trajnimin …

Komentoni

%d bloggers like this: